Në gjimnazin “Ahmet Gashi” të kryeqytetit mësojnë rreth 1.200 nxënës, ndërsa shkolla ka 34 paralele dhe rreth 70 mësimdhënës.
Megjithatë në këtë institucion ka një emër që spikat për punën e tij si profesor, ky është Amir Maliqi, i cili ligjëron psikologjinë, edukon, por edhe frymëzon nxënësit e kësaj shkolle.
Përtej detyrës së tij si profesor, Amir Maliqi ka një përgjegjësi të veçantë: mban në kujdestari tri klasa maturantësh.
Për profesorin e psikologjisë, mësimdhënia nuk është thjesht një profesion, por një mision i mbushur me pasion dhe përkushtim.
“Së pari mendoj se duhet me pasë një motiv shtesë, një dëshirë të madhe për arsim për të punuar me nxënës. Dhe përveç kësaj edhe një korrektësi, sepse të punosh me 100 nxënës e të jesh kujdestar duhet t’i kushtosh vëmendje në mënyrë të barabartë, sepse nëse përqendrona vetëm te 12/4 dhe te 12/3 jo e shohim se nuk mundemi me arrit një sukses të mirë me një klasë por tjetrën. Unë gjithmonë nisem me atë që mësimdhënia dhe edukimi nuk janë një profesion por një mision që duhet kërkuar zemër dhe përkushtim për ta realizuar këtë”, thekson ai.
Kur Maliqi mori në kujdestari klasat 12/2, 12/3 dhe 12/4, sfida e tij e parë ishte disiplinimi dhe numri i madh i mungesave të nxënësve.
Megjithatë, me një bashkëpunim të ngushtë mes tij, nxënësve dhe prindërve, ai thotë se arriti të reduktonte mungesat brenda pak muajsh.
“Ato klasa të cilat i kam marr kanë qenë me numër shumë më të madh të mungesave dhe numri i mungesave janë reduktuar qysh nga muaji i dytë. Në kujdestari 12/2 i kam që 3-4 muaj, 12/3 pothuajse dy muaj ndërsa 12/4 një vit e gjysmë. Klasa 12/4 me sukses janë më të mirët dhe mungesa kanë më pak, brenda muajit vetëm 5 mungesa mund t’i kem. Me klasat që jam kujdestari tash me mungesa shkojnë deri në 20 në muaj, por jo më tepër. Ne përdorim disa metoda edhe në mësimdhënie sikurse projekt prezantim, parapërgatitje për universitetin. Në qoftë se motivi, korrektësia krelojnë mes vete edhe suksesi nuk do të mungojë”, deklaron ai.
Për nxënësit, Maliqi është më shumë se një profesor; është një mbështetje për të ardhmen e tyre.
“Duke e ditur që kujdestari i klasës e luan një rol kyç në edukimin e nxënësve, ashtu e luan edhe kujdestari ynë sepse e kem një bashkëpunim të mirë mes kujdestarit, drejtorisë dhe prindërve. Falë përkushtimit dhe punës së palodhshme të kujdestarit tonë Amir Maliqi, klasa jonë ka arritur suksese mjaftë të mëdha sepse jem edhe klasa më ë mire dhe kem mungesa më pak në shkollë”, thotë nxënësja Bleona Shala.
Edhe nxënësja Blinera Krasniqi, ka thënë se Maliqi i motivon për mësime.
“Profesori ynë Amir Maliqi është profesor i mirë, i cili na motivon jo vetëm te pjesa e mungesave, por edhe te mësimet. Psikologjia ka qenë një lënë e re për mua dhe që nga klasa e 11, më ka hy dëshira të thellohem më shumë në këtë lëndë por edhe ta studioj. Ne jem me fat për profesorin, i cili gjithmonë na ka shpjeguar në mënyrat më të thjeshta lëndën e psikologjisë”, thekson Krasniqi.
Kryetarja e nxënësve të shkollës, Albesa Tahiri, gjithashtu vlerëson punën e profesor Maliqit, duke e cilësuar atë si një nga mësuesit më të dalluar të shkollës.
“Profesori Amir Maliqi është një profesor i mirë, i cili jo vetëm që na mëson, por edhe na frymëzon për jetë. Ndryshme profesori është zgjedhur edhe si profesori më i dalluar i shkollës nga nxënësit. Profesori është shembull për krejt shkollën”, thekson Tahiri.
Drejtori i shkollës, Haxhi Metaj, thekson se suksesi i nxënësve është dëshmia më e madhe e punës së profesorit Amir Maliqi
“Unë jam nisur nga praktika ime. Sa kam qenë në një kohë si mësimdhënës zakonisht i kam mbajtur dy klasë kujdestari. Ne e kem një mësimdhënës të ri dhe është entuziast për mësimdhënie, në fillim të vitit ja kem dhënë vetëm kujdestarinë e një klase. Dhe në atë klasë nuk ka pasur asnjë mungesë. Pastaj ia shtova edhe një klasë dhe rezultati ishte se mungesat fillonin të zvogëloheshin, pastaj edhe në klasën e tret e njëjta ndodhi. Edhe bashkëpunimin me nxënës dhe prindër e ka të mirë”, deklaron Metaj.
Profesori Amir Maliqi ka 10 vjet që ligjëron psikologjinë dhe është 35 vjeç. Ai është një shembull i suksesit dhe përkushtimit në fushën e mësimdhënies, duke ndikuar pozitivisht në jetën e nxënësve të tij.