Problemi me mbeturinat në kryeqytet është prezent tash e sa kohë.
Kur jemi afër stinës së verës ky problem vetëm sa vjen e bëhet më i theksuar.
Gjatë javës së kaluar Komuna e Prishtinës ka sjellë në kryeqytet 1700 kontejnerë të rijnë, me të cilët synon ta minimizojë sasinë e mbeturinave nëpër lagjet e kryeqytetit.
Këta kontejnerë janë të pajisur edhe me sensorë, të cilët do ta njoftojnë bazën e mbikëqyrjes në kohën që duhet të zbrazet.
Disa janë duke qëndruar në oborrin e ndërmarrjes komunale “Trafiku Urban”, kurse disa të tjerë që nga e premtja kanë filluar të shpërndahen në rrugën “Agim Ramadani”, si dhe në lagjen “Dardania”.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, e pranon që këta kontejnerë nuk do të jenë zgjidhje për vëllimin e madh të mbeturinave aktuale në Prishtinë.
Në anën tjetër qytetarët mendojnë që kontejnerët e rinj nuk do ta zgjidhin problemin me mbeturina.
Ata thonë se gjendja është alarmante dhe se Komuna duhet të ketë një plan konkret.
Në muajin nëntor të vitit 2023 përmes një rregulloreje ka ngritur faturën e mbeturinave nga 4.07 në 6.20 euro.
Kompania që mbledh mbeturinat në kryeqytet “Pastrimi” së bashku me NPB-në në muajin shkurt kanë punuar edhe disa kontejnerë të rijnë, mirëpo vetëm 55 prej tyre ishin futur në funksion.