SOT

Pjetërshani ndezi dritat e Krishtlindjes e Vitit të Ri

Ndezja e dritave për Krishtlindje tashmë është bërë traditë në fshatin Pjetërshan të Gjakovës.

Qindra vizitorë, duke përfshirë edhe diasporën u bënë bashkë në ndezjen e dritave e në atmosferën festive.

Kris Uka mori rrugë nga Zvicra me qëllim që të jetë i pranishëm në ceremoninë e ndezjes së dritave të Krishtlindjes.

Anamaria Berisha dhe Odeta Rasi gjithashtu i gëzohen faktit që fshati i tyre i lindjes është zbukuruar për festat e fundvitit.

Për Gostin Ukajn është hera e dytë që merr pjesë në ndezjen e dritave në Pjetërshan. Pas 40 vjetësh ka lënë Zvicrën, aktualisht jeton në Jahoc të Gjakovës dhe ndihet krenar për këtë.

Shtjafan Ukaj thotë se në fshatin Stubëll të Vitisë, ku ai jeton, nuk ka organizime të tilla.

Për çdo vit shumë të rinj i bashkohen iniciativës për zbukurimin e kishës e të fshatit.

I pranishëm në këtë organizim ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Uroi që paqja dhe harmonia të mbizotërojnë në vend.

Dom Marjan Ukaj i cili i falënderoi të rinjtë që për çdo vit e zbukurojnë fshatin, thotë se festat shfaqin humanizëm, mirësi e paqe.

Famullitari thekson se vitin e kaluar mbi 17 mijë vizitorë e vizituan Kishën Katolike të Pjetërshanit në Gjakovë. Prej tyre ishin më shumë prej besimit islam sesa katolik.

Mbi 7 vjet fshati Pjetërshan shndërrohet në atraksion për vizitorë të shumtë, për shkak të zbukurimeve për festat e fundvitit.