I ka bërë bashkë projekti “Dhuro me Zemër”. Përmes tij, këta të rinj nga Ferizaj vullnetarisht po përgatisin ëmbëlsira për t’ua shitur qytetarëve që i takojnë në rrugë.
Vullnetarët e “Kryqit të Kuq” të degës në Ferizaj u kanë vënë një çmim prej 1.5 euro ëmbëlsirave të tyre, e me ato mjete që do të grumbullohen do të ndihmohen familjet në nevojë dhe të moshuarit që jetojnë pa përkujdesje.
“Eksperienca ime në “Kryqin e Kuq” filloi nga garat komunale për dhënien e ndihmës së parë dhe unë isha e përzgjedhur. Për “Kryqin e Kuq” kam qenë e informuar për punën, porse nuk e njihja nga afër dhe më pas u interesova, u bëra pjesë e një trajnimi, e diskutuam idenë për të ndihmuar kategoritë në nevojë, zgjodhëm të ndihmojmë të moshuarit dhe mënyra më e mirë për të ndihmuar ishte përmes shitjes së ëmbëlsirave që edhe qytetarët munden me i shiju e njëkohësisht me ndihmu”, thotë Arsa Shahini, vullnetare në “Kryqin e Kuq”.
Edhe pse të reja në moshë, thonë se fakti që po ndihmojnë dikë me punën e tyre i bën të ndihen të përmbushura, e më shumë po u pëlqen kur projekti “përqafohet” edhe nga qytetarët e bizneset e ndryshme.
“Po ndihem shumë mirë sepse nuk jemi në këpucët e tyre për të kuptuar se si ndihen ata, por nuk ka më mirë se me ndihmu, unë këtë e bëj me zemër sepse e di që edhe në të ardhmen kur do ta vesh mantelin e bardhë do t’i ndihmoj të tjerët. Diçka që më ka bërë përshtypje është mbështetja e të gjithëve, madje pakon nuk e merrnin por na ofronin të holla edhe më shumë se duhej”, thotë Shahini.
Asnjëherë nuk e kishin menduar veten në punë vullnetare. Rastësia i solli këtu, por thonë se do të vazhdojnë edhe më tej.
“Na është dhënë mundësia për ofrimin e ndihmës vullnetare mirëpo asnjëherë nuk e kam mendu se do të jem vullnetare, por sot duke qenë pjesë e “Kryqit të Kuq” e rrethuar me njerëz kaq të mirë mund të them se e kam gjet veten aty ku i përkas”, thotë vullnetarja tjetër Anisa Ibishi.
Gjatë paradites i kanë obligimet shkollore, e në mesditë vullnetaret i përvishen punës në përgatitje e shitje të ëmbëlsirave.
“Përgatitjen e bombicave e kemi filluar para 2 javësh, kemi dalë në shesh dhe biznese të Ferizajt ku të gjithë na kanë mirëpritë, kur na shohin që jemi nga “Kryqi i Kuq” nuk na kthejnë prapa”, thotë Ibishi.
E nga “Kryqi i Kuq”, dega në Ferizaj, thonë se qëllimi i projektit nuk ishte vetëm për të ndihmuar ata në nevojë, por edhe të rinjtë të kuptojnë rëndësinë e të ofruarit ndihmë vullnetare.
“Ky trajnim ka qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin vullnetar të të rinjve, vullnetarët kanë mësuar se si të përpilojnë projektet e tyre, ata kanë ardhur me një ide për shitjen e ëmbëlsirave dhe me të hyrat që do të grumbullohen do të ndihmohet një shtresë që nuk janë në gjendje të mirë ekonomike. Ne i kemi vizituar disa prej këtyre familjeve dhe të rinjtë kanë vendosur me vazhdu me aktivitetin që me grumbullu sa më shumë të holla”, tregon Jehona Kuqi nga Kryqi i Kuq.
E krejt kjo iniciativë filloi me një buxhet prej 200 eurosh me të cilat u blenë produktet bazë për përgatitje, e deri tani përmes shitjes kanë arritur të mblidhen mbi 500 euro.
“Kemi filluar me një fond që është nda nga Kryqi i Kuq i Kosovës me vlerën prej 200 eurosh, me ato të holla i kemi blerë produktet e deri tani kemi grumbullu shumën mbi 500 euro, por po shohim se aktiviteti po shkon mirë dhe se ka shumë bamirës që duan të kontribuojnë për këto familje”, thotë Kuqi.
Projekti do të vazhdojë të zhvillohet edhe për pak kohë deri sa të arrihet një shumë e kënaqshme, porse nevojitet edhe ndihma e të tjerëve duke blerë pako të ëmbëlsirave që synimi i ndihmës të arrihet sa më parë.