SOT

Përmes autoboteve, ujësjellësi dërgon ujin e Batllavës te qytetarët

Po vazhdon të jetë i pranishëm mangani në ujin e liqenit të Badocit. Për këtë arsye qytetarët që furnizohen nga ky liqen nuk po mund ta përdorin ujin e çezmës as për gatim. Për këtë, ujësjellësi çdo ditë me 4 autobote po shpërndan ujë në lagje të ndryshme të Prishtinës

Me bidonë në duar, qytetarët po presin në radhë për të marrë ujin, i cili është i përdorshëm për pije.
Përmes këtyre autoboteve, banorëve të rrugës “Qamil Bala” në lagjen “Bregu i Diellit”, po u mundësohet dy herë në ditë furnizimi me ujë të pijes direkt nga liqeni i Batllavës.

Në të njëjtën mënyrë kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” po dërgon ujë edhe nëpër lagjet e tjera të kryeqytetit dhe këtë do ta bëjë deri në uljen e vlerave të larta të manganit. 

Janë 4 autobote, të cilat janë në lëvizje në kryeqytet gjatë tërë kohës.

Megjithëse ky është një lloj lehtësimi për banorët, qytetari Valon Berisha, thotë se kjo çështje duhet të merret më seriozisht nga institucionet përgjegjëse. 

“Ky është një lloj lehtësimi për banorët, por mendoj që kjo duhet të merret seriozisht edhe nga instancat përgjegjëse për këtë punë, duhet ta rregullojnë këtë çështje sepse nuk shkon kështu. Unë qëllova rastësisht sot dhe po e marr ujin, përndryshe po duhet ta blejmë. Në anën tjetër është një lloj lehtësimi për qytetarët që nuk kanë mundësi të blejnë ujë ose të furnizohen me ujë përkohësisht”, thotë ai.

Sipas tij, nuk është e lehtë bartja e ujit çdo ditë, sidomos në ndërtesat ku nuk ka ashensorë.
“Unë për vete jetoj në katin e katërt dhe në hyrjen ku jetoj nuk ka lift e duhet ta bartim ujin. Normalisht që shkakton telashe e vështirësi, por që duhet ta gjejnë një zgjidhje, sepse edhe vitin e kaluar ka qenë i njëjti problem dhe siç duket nuk është marrë seriozisht zgjidhja e problemit dhe u përsërit përsëri”, deklaron ai.

E një banore e kësaj lagjeje, dyshon se vlera e manganit ka qenë e lartë shumë më herët sesa që vetë “Ujësjellësi” e ka deklaruar.

“Është shumë e vështirë, po e dimë orarin, por koha ndonjëherë s’po na përshtatet, plus bartja e tyre, tash është mosha dhe bartja deri në katin e katërt. Qe sa ditë është duke ardhur me ngjyrën e verdhë jo vetëm tani, pra ky problem është që moti. Nuk e kemi pirë, por për të përgatitur, kemi përgatitur”, thotë ajo.

Nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” thonë se procesi i furnizimit me ujë për pije po shkon shumë mirë dhe se në disa zona ka kërkesë më të madhe.

“Procesi i furnizimit me ujë për pije dhe përgatitje të ushqimit po shkon shumë mirë. Në disa zona ka kërkesa më të mëdha e në disa deri diku. Uji i autoboteve është 100 për qind ujë për pije. Ky furnizim është i mjaftueshëm, ngase e kanë vetëm për pije dhe ushqim, pjesën e pastrimit të shtëpisë, rrobave dhe për të bërë dushe e kanë, sepse mangani nuk ndikon në lëkurë aspak”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Megjithëse ka pasur ulje të vlerave të manganit, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, prezenca e këtij elementi kimik, është ende mbi vlerat e lejuara.

Si i tillë, ai nuk mund të përdoret as për pije e as për gatim, pasi mangani nuk arrin të largohet as pas vlimit.

“Gjatë analizave të kryera gjatë ditëve të fundit, vërehet ulje e vlerave të Manganit, por megjithatë, këto vlera ende janë mbi vlerat e lejuara sipas Udhëzimit Administrativ Ne: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”. IKSHPK-ja thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se me vlimin e ujit, Mangani nuk eliminohet, siç duhet të veprohet te rastet me ndotje bakteriologjike të ujit. Prandaj, për momentin është i papërdorshëm për pije”, njofton IKSHPK.

Por, sa është i dëmshëm mangani?

Ilir Shehu, profesor i kimisë, shpjegon se si mund të ndikojë te njerëzit përdorimi i manganit në vlerë më të madhe, se sa ajo që është e lejuar.

“Mangani është një element që është i përhapur shumë në tokë, ujë, por mund të jetë edhe në ajër dhe sasia e tij është mjaft e përhapur, pra gjendet në sasi më të lartë se hekuri. Sa i përket efektit të tij te njerëzit, në vlera të ulëta mund të jetë si nutrient, pra i dobishëm. Por në rast se kemi tejkalim të vlerave të tij si në rastin e Badocit, atëherë ky mund të paraqesë efekte toksike. Kryesisht i atakon moshat e reja, fëmijët dhe moshat e shtyra, pra mund të ndikojë kryesisht në sistemin nervor qendror. Helmimet ndodhin për një periudhë më të gjatë, sipas OBSH-së, nëse mangani përdoret për një periudhë më të gjatë, atëherë mund të ndikojë në helmimin e njerëzve, pra duke atakuar së pari sistemin nervor qendror”, thekson Shehu.

Profesori tregon pse vlera e manganit po rritet më shumë në këtë periudhë të vitit.

“Edhe te ne është zgjuar kureshtja, sepse është rasti i dytë në të njëjtën periudhë kohore, pra edhe në vitin 2023 në të njëjtën periudhë kohore ka ndodhur dhe si duket ky lidhet me ndryshimet klimatike, sepse në këtë kohë kemi ulje të temperaturave dhe në këtë rast ndodhin edhe reaksione kimike që mundësojnë që vlerat e manganit të paraqiten më të larta. Për shkak të uljes së temperaturës, kolona e ujit mund të përzihet, shtresat e ulëta me shtresat e larta, e prandaj ndikon që të rritet sasia e manganit. Këto dy vite është bërë më alarmante, nuk mund të predikoj për më herët”, deklaron Shehu.

Zonat që furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badocit janë: Bregu i Diellit, Matiçani, Lagjja e Spitalit, Hajvalia, Prishtina e Re etj.