Me ngjyrë të gjelbër e më shumë në numër se zakonisht, shtëpizat e “Verë n’dimër” tashmë janë vendosur në sheshet e Prishtinës, për festat e fundvitit.
80 prej tyre janë vendosur në sheshin “Xhorxh Bush” të cilat janë të një madhësie 2x2, përderisa në sheshin “Zahir Pajaziti dhe “Skenderbeu”, shtëpizat do të jenë më të mëdha 2x3, dhe tashmë janë vendosur edhe ulëset.
Festivali do të jetë i hapur për 45 ditë dhe në to do të operojnë 120 biznese, tashmë të përzgjedhura nga operatori ekonomik dhe ndërmarrja publike “Sports Marketing”.Festivali pritet të startojë të dielën, më 1 dhjetor, nga ora 18:00.
Kryeshefi i “Sports Marketing”, Bardh Krasniqi, ndan disa detaje nga nata e parë.
“Gjithçka është drejt përfundimit. Jemi drejt finalizimit të punimeve të patinazhit dhe pjesëve të tjera të prezantuara, përderisa bizneset do të fillojnë të vendosen nga e premtja. Prej 18:00 fillojmë te ‘Zahir Pajaziti’, kalojmë te sheshi ‘Skenderbeu’ me një performancë të Shpat Dedës dhe prej orës 21:30 kalojmë në ‘Xhorxh Bush’ me Dafina Zeqirin”, thekson Krasniqi.
3900 euro do t’i kushtojë një biznesi një shtëpizë përgjatë kohës që do të operojë në festivalin “Verë n’dimër”. Përderisa, 3 shtëpiza do të jenë pa pagesë të dedikuara për kategoritë e shoqatave në nevojë.
Më shumë informacione nga festivali, Krasniqi i ka ndarë ditë më parë për KTV-në.
“Kjo ka qenë ideja fillestare qysh të mirë organizohemi dhe qysh njerëzit të kalojnë një kohë kualiteteve në shesh. Për këtë e kemi kategorizuar zonat. Në 3 zona. Në zonën e Katedrales do të jetë një skenë e madhe, risi do të jenë të gjithë këngëtarët shqiptarë dhe ndërkombëtarë, do të ketë koncerte dhe program artistik të mirëfilltë. Në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ do të ofrojmë një super aktivitet që do të jetë patinazhi. Do të jetë caroseli. Këndet i kemi paraparë që secili qytetar ta gjejë veten aty. Prandaj është shtrirë në gjithë sheshin dhe jo të shkojnë vetëm në një pjesë”, deklaron Krasniqi.
Sipas tij, sivjet i është dhënë hapësirë e madhe edhe bizneseve të reja.
“40 biznese janë të parapara në rregullore që janë më të reja se 10 vjet. Pra sivjet i është dhënë hapësirë në një numër më të madhe bizneseve të reja”, thekson ai.
Qytetarët e mirëpresin këtë festival, megjithëse kanë kritika për ngjyrën e shtëpizave.
“Shtëpizat janë ide e re mbase edhe mund të funksionojë. Shpresoj ta arsyetojnë ata që e kanë ideuar, duket se është më ndryshe, një parapërgatitje për Vitin e Ri, mbase do të ketë suksese dhe qytetarët do të mund ta gëzojnë. Është një petk i ri që e plotëson imazhin e përgjithshëm të Prishtinës dhe krijon te qytetarët një kënaqësi. Unë vij shpesh në festat e fundvitit, një kombinim i modernes me tradicionales, një parapërgatitje që synon t’ua urojë qytetarëve festat”, deklaron një qytetar.
“Çdo organizim që bëhet dhe i mbledh rininë për festë nuk është gjë e keqe. Por kujdes duhet të kenë për sigurinë, për lëndët narkotike e të tjerë. Përndryshe kemi rini të mrekullueshme. Gjithmonë duhet të ndryshojmë diçka, ndoshta as ata që e kanë përgatitur këtë nuk iu ka pëlqyer. Për ngjyra nuk më pëlqyen as mua”, thekson një tjetër.
Pas përfundimit të dy festivaleve “Verë n’dimër” dhe “Akull n’verë”, 300 mijë euro pritet të shkojnë në llogari të “Sports Marketing”.
Megjithëse dritat e bredhi janë vendosur nga ky festival, Komuna e Prishtinës ka ndarë edhe 240 mijë euro të tjera për dekorimin e kryeqytetit për festat e ndryshme përgjatë dy vjetëve.