Shtatori për gratë e Krushës së Madhe ka rëndësi pasi në këtë kohë edhe u ofrohet një mundësi e punësimit. Gratë e kësaj ane përgatisin ajvarin në mënyrë tradicionale si dhe konservojnë produktet vendore.
Krusha e Madhe njihet për përgatitjen e ajvarit tradicional si dhe konservimin e turshive.
Kjo traditë është përcjellë edhe te familja e Kujtim Hotit.
Si fillim, nëna e tij nisi vetëm me përgatitjen e ajvarit e më pas si familje e zgjeruan punën edhe në konservimin e turshive.
Hoti specat i merr nga bujqit e kësaj ane. Tregon edhe për llojet e ajvarit, të cilat i bëjnë gratë nga Krusha e Madhe.
Këto produkte vendore shiten në tregun vendor, por edhe atë ndërkombëtar.
Një kavanoz bujku e shet deri në 6 euro. Thotë se kualiteti ka bërë që produktet vendore të cilat i përpunojnë dhe i konservojnë të jenë të kërkuara në treg.
“Fillimisht e kam pasur një lloj të ajvarit, atë me speca të gjallë. Pra, qysh vjen speci prej arës, pastrohet mirë dhe e grijmë, 8 deri në 9 orë e ziejmë. Me përfitimin e grantit nga Ministria e Bujqësisë e përgatisim edhe ajvarin me speca të pjekur. Vijnë specat nga fusha, u largohen bishtat, piqenn, qërohen, grihen dhe zihen. Këta speca zihen deri në 6 orë. Ajvarin e bëjmë në mënyrë shtëpiake për konsumatorët tanë. Ajvari me speca të gjallë është pak më i lehtë dhe është çmimi 4 euro, ndërsa me speca të pjekur është pak më shtrenjtë, 6 euro, sepse ka më shumë shpenzime”, thotë Hoti
Brenga më e madhe e tij është që punëtoreve t’u sigurojë punë gjatë gjithë vitit.
“Nëna, së pari kur ka filluar me ajvar, u pëlqye te konsumatorët, pastaj edhe e kem shndërruar si biznes familjar. Gradualisht e kem rrit punën. Brenga më e madhe te ne është se puna është sezonale dhe nuk po mundem me i premtuar punëtorit kontratë për 12 muaj. Nuk është qëllimi jonë që me rrit numrin e punëtorëve shumë, por këtyre punëtorëve t’i sigurojmë të ardhura”, tregon Hoti.
Fitnete Hoti që 8 vjet merret me përgatitjen e turshive dhe ajvarit. Thotë se kjo punë i sjell të ardhura të kënaqshme.
“Merrem me përpunimin e ajvarit dhe specit. Çdo gjë që është e mundshme e punojmë këtë firmë. Rreth orës 7:00 vijmë këtu dhe ora 17:00 e përfundojmë punën. Bukën e kem nga punë, shkojmë mirë me shoqe-kolege. Për gratë është shumë e rëndësishme kjo punë, të ardhurat i kem të mira. Sa rrijmë në shtëpi kalojmë kohë me shoqe. Me turshi ja kem nisë prej 5 qershorit tash dhjetor përfundon gjithçka”, tregon ajo.
Për Sadifa Hotin është viti i 10-të që punon në kohën e përgatitjes së ajvarit e turshive.
Thotë se do të dëshironte që punë të tillë të kishte gjatë gjithë vitit.
Me rrogën që merr nga puna sezonale, e ndihmon familjen e vet.
“Shumë mirë po kalojmë këtu. Jem 20 punëtore dhe kalojmë mirë. Normal të ndihmosh familjen është mirë. Për krejt është mirë. Kish qenë mirë me punuar më shumë, por edhe me kaq jem të kënaqur”, thotë ajo.
Kujtim Hoti produktet vendore të cilat i përpunon dhe i konservon, tash e disa vjet i eksporton ato edhe në Gjermani e Zvicër. Tregun e jashtëm synon ta mbulojë akoma më shumë me ajvar e turshi.
Për sivjet bujku ka planifikuar deri në 300 tonë turshi.