Çmimi i kriptovalutës bitcoin po shënon një rritje të jashtëzakonshme qëkur Donald Trump fitoi zgjedhjet në Amerikë.
Trumpi gjatë fushatës elektorale kishte premtuar se nëse do të fitonte, do ta bënte kriptovaluten një aset klasë të pranueshme për investitorët.
Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve bitcoini shënoi një rritje nga 60 mijë në 85 mijë dollarë.
Njohësi i tregjeve financiare, Emanuel Bajra, thotë se rritja e çmimit të kësaj kriptomonedhe parashihet se do të rritet deri në 1 milion dollarë për njësi, deri në fund të kësaj dekade.
“Deri para kohës së zgjedhjeve, në fakt mania për bitcoin filloi para zgjedhjeve, gjatë verës, kur Donald Trump mori në dy konferenca të tregtarëve të kriptovalutave dhe iu premtoi atyre që është fans dhe ithtar i madh i kriptovalutave dhe nëse unë vije në pushtet do t’i ndryshojë gjërat, do ta rregulloj sistemin dhe do ta bëj kriptovaluten një aset klasë të pranueshme për investitor, nuk pat ndonjë rritje të çmimit atëherë. Dy ditë pas zgjedhjeve të 5 nëntorit, u ngritën prej 60 mijë në 85 mijë. Këtë të mërkurë preku 93 mijë dollarë një njësi e bitcoin, kjo është një rritje tepër e madhe dhe e pashpjegueshme. E ka karaktetin e tillë kriptovaluta sepse niveli i kuantiteti i shkëmbimit që ndodh është më i vogël sesa derivatet e tjera financiare dhe e ka një lloj komuniteti të njerëzve që e kuptojnë teknologjinë. Ajo e rritë nivelin e shkëmbimit të kriptovalutave. Gjasat janë që çmimi të vazhdoj të ngritët ende më lartë. Shumë mbajtës dhe pronarë të mëdha të kriptovalutave, po parashikojnë që deri në fund të vitit të ardhshëm të kalojë deri në 200 mijë dollar për njësi, ndërsa deri në fund të dekadës të prek deri në 500 mijë apo edhe deri në 1 milion dollar për njësi”, thekson Bajra.
Sipas tij, interesimi për investim në bitcoin është shumë i madh, pasi edhe vetë bankat më të mëdha e kanë pranuar atë si një aset klasë.
“Nëse e shikon listën e njerëzve që janë pronar të bitcoin të tregtueshëm ose janë njerëz privat miliarderë që janë aventurier me mënyrën se si investojnë, por çdo kategori e ndajnë një pjesë të riskut. Nuk investojnë gjithë kapitalin e tyre me gjithë luhatjen e madhe që po bëhet, por e ndajnë një pjesë të rriskut. Nëse sot e ka në mend të investoj 10 milionë, ai 1 milion e ndan vetëm për kriptovaluta ndërsa me pjesën tjetër e vazhdon investimin në treg normal. Interesimi është i madh kur edhe institucionet e mëdha janë të përfshirë sepse ka qenë një valë e pesimizmit, mos të harrojmë që akoma jemi në një eufori. Por për investitor serioz është mirë të kenë një investim në kriptovaluta”, thotë Bajra.
Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, dhe ish-kandidati republikan për president, Vivek Ramaswamy, do të bashkudhëheqin Departamentin e sapokrijuar amerikan për Efiçiencë Qeveritare. Departamenti për Efiçiencë Qeveritare do të njihet shkurt edhe si “DOGE”, apo që është emri i kriptovalutës dogecoin, që përkrahet publikisht nga Elon Musk.
“Doge Coin është interesante se përveç rolit që ky merr si drejtor i departamentit për krijimin e shpenzimeve apo reduktimin e shpenzimeve qeveritare, në të njëjtën kohë ka filluar edhe reklamimi i Doge Coin dhe ja ka rritë vlerën. Sepse Markapi i Dogecoin është më i lartë se shumë nga titanikët e industrisë amerikane. 46 milardë është margabi, vlera e përgjithshme e një kriptovalute, përderisa bitcoin operon në mes të 1.3- 1.4 triliardë që është më i madhi prej të gjithë kriptovalutave. Gjasat janë se do të ketë një lloj konkurueshmërie mes top 5-shës apo top 10-shës në mes tyre edhe bitcoin dhe doge coin. Pra është rritur interesimi i fansave të bitcoin, sepse është si një lloj animacioni mënyra se si ajo reklamohet, pra me anë të artit. Ka tërheqë vëmendje të mëdha edhe për shkak se një njeri i pasur qëndron pas saj. Tani ai do të jetë edhe me pushtet dhe është edhe njeriu edhe më i pasur, ose do të shkojë shumë lartë ose e kundërta në rast se gjërat i shkojnë keq në pushtet, sepse si Elon Musk, si Donald Trump janë të paparashikueshëm, nuk dihet se çfarë politike do të ndjekin”, thekson Bajra.
Zhvillimi i luftërave në botë nuk ndikon te kriptomonedhat – thotë njohësi i tregjeve financiare.
“Njerëzit gjatë krizave gjeopolitike shkojnë tek ari ose deri diku te dollari, mirëpo për shkak të sanksioneve ndaj Rusisë, njerëzit kanë shkuar dhe janë tërhequr nga dollari duke shkuar në ari dhe për atë arsye kemi pasur edhe një rivlerësim të arit shumë më të madh në çmimore këto muajt e fundit. Bitcoin është më agnostike në kuptimin se mund të ketë çfarëdo lufte dhe ajo nuk mund të ndikohet. Ku ka efekt? Është te tregu i mallrave, është thithëse shumë e madhe e energjisë e materialeve të cilat duhet të krijohet energjia si: thëngjilli, nafta për shkak se shumë nga minimet që bëhen për kriptovalutat duhet të bëhet minimi i madh i energjisë. Nuk e shohin si strehimore nga lufta, por si mundësi që po i skajojë disa para aty dhe të shoh se çfarë po bëhet. Përderisa të tjerët janë në mnyrë kuantifikuese duke e rritur çmimin dhe ata janë fanatikët më të mëdhenj të kriptovalutave sepse e shohin se në një të ardhme paraja normale mund ta humb rëndësinë e saj nëse e kemi një ekosistem më të pasur të kriptovalutave. P.sh shkon në Kinë apo Tajlandë ata e kanë paranë digjitale të tyre dhe kjo ka filluar të zgjerohet shumë. kjo po shihet si një model i të ardhmes, edhe vet Trump ka premtuar se do ta krijoj dollarin digjital. Suedia është njëra nga vendet që është duke eksperimentuar, po ashtu Britania e Madhe”, deklaron Bajra.
Përveç investitorëve të mëdhenj e të huaj, interesimi ka filluar të rritet edhe në Kosovë.
“Unë marrë mesazhe të përditshme nga të rinjtë të cilët e kuptojnë teknologjinë, ka interesim por nuk e dinë në fazën e ekzekutimit. Para 5-6 viteve ka qenë më e lehtë por tani për shkak të ekosistemit që është krijuar sepse ajo është përdoru për krime të ndryshme, prandaj po hezitojnë të shprehen haptazi, por ka interesim përmes platformave tregtuese, por për disa njerëz që e kanë një masë të kapitalit nëse vazhdon me këtë rritje, njerëzit mund të kenë përfitime, por varet në çfarë platforme kyçesh, sa merresh me të dhe sa e kupton teknologjinë”, thekson Bajra.
Ai sugjeron të rinjtë të kenë kujdes para investimit, duke e përdorur kriptmonedhën për investim dhe jo për futje në borxh.
“Jam i hapur për nga aspekti në mënyrën se si e gjykoj tregun. Natyrisht momentalisht nuk kemi konkurrencë të madhe tek bankat. Depozitat që i kemi te bankat nuk po t’i japin kthim të konsiderueshëm për të mbuluar një lloj shpenzimi mujor apo diçka tjetër. Njerëzit po shikojnë alternativa, në përgjithësi ekosistemi në Ballkan nuk është i pjekur në atë nivel që të kemi frekuencë të fuqishme të tregtimeve. Bitcoin apo kriptovaluta i ka dhënë një kurajo dhe njerëzit po marrin risk. Riskun merre, por jo të gjitha vezët në një koshere. Nëse i ke 200-300 euro mos i fut të gjitha në kriptovalut pasi peizazhe i investimeve është bukur i zgjeruar dhe i sofistikuar. Gjurmo, hulumto, mos shko vetëm në ato ku ka eufori të rritjes. Merr kohë, kupto më shumë ekosistemin. Rreziku është mirë të marrin, por jo me masën që duhet të marrim borxh apo të marrim në bankë që të investojmë. Pra duhet ta kemi mendësinë e rritjes së vlerës ekonomike dhe futjes në borxh ta dëmtosh bilancin tënde ekonomik”, thotë Bajra.
Thekson se në Kosovë mund të ndodhin shumë lehtë edhe mashtrimet.
“Ka edhe mashtrim të mëdha, sidomos me rritjen e kriptovalutave që ka shumë uebsajte që merren me këtë punë. Unë bej thirrje për rritjen e bursës së Kosovës. Por për momentin nuk e kemi këtë bursë për shkak të pasigurisë që e kemi. Mos të harrojmë që mashtrimet shumë më lehtë ndodhin në sistemin tonë se sa në perëndim sepse atje e kanë të rregulluar, ndërsa këtu e kemi një infrastrukturë tjetër që duhet të marrim risk dhe të investojmë”, deklaron Bajra.
Rritja e vlerës së bitcoinit ka filluar të ndikojë pozitivisht edhe në kriptovalutat e tjera.