SOT

Panelet solare ua kursejnë 400 euro katër shkollave të Ferizajt

Në vitet e fundit inflacioni i lartë është ndier gjithandej dhe vazhdimisht është bërë thirrje që të kursehet sa më shumë energjia eklektike. Disa institucione arsimore kanë qenë me fat duke përfituar nga një fond i Bashkimit Evropian, i cili do të ndihmojë në kursimin e saj.

Komuna e Ferizajt tani ka pajisur 4 shkolla të qytetit me panele solare, e që përmes këtij projekti faturat e energjisë elektrike po arrijnë me një kosto më të ulët.

Vetëm për pak kohë sa është përdorur energjia përmes paneleve solare, në këto shkolla janë arritur të kursehen 115 KW.

Marevci thotë se përmes dritës po prodhohet energjia, e në matjen e parë që është bërë duke krahasuar periudhën e njëjtë të vitit kaluar, 400 euro më pak u faturuan në shpenzimet e energjisë elektrike.

Në këta muajt e verës panelet solare veçse filluan funksionimin e tyre, kursimi ka qenë minim 50% më lirë. Gjithsesi efiçienca do të jetë më e duhur në sezonin e dimrit.

Ai thotë se Komuna e Ferizajt vazhdimisht interesohet për fonde të tilla, porse në të ardhmen në qoftë se nuk do ta kenë fatin e njëjtë për përfitimin e tyre, atëherë vetë Komuna do të mundohet që secila shkollë të pajiset me panele solare dhe të kursehet sa më shumë energjia elektrike.

Panelet solare po shihen si investimi i duhur për të ardhmen e energjisë elektrike, përpos që faturimi është në një shifër më të ulët, edhe për ambientin konsiderohet si alternativë më e shëndetshme.