SOT

Panairi argëton të vegjlit me libra, muzikë e lojëra

Dita e dytë e festivalit dhe panairit të librit për fëmijë mblodhi shumë fëmijë nga shkollat dhe kopshtet e ndryshme. Përveç librave të shumtë, aty fëmijët gjetën argëtim përmes lojës e muzikës.

Loja në ekip është ajo që po e shijojnë shumë.

Të entuziazmuar, të vegjlit e shkollave dhe çerdheve të ndryshme, po e shijojnë festivalin dhe panairin e librit, që po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Argëtimin po e gjejnë edhe përmes muzikës e vallëzimit që po ofrohet këtu.

Por, libri është ai që i ka mbledhur të gjithë, e për të cilin po shprehin interesim të madh shumë fëmijë.

Me fytyra të buzëqeshura, nxënësit tregojnë se sa shumë u pëlqen libri.

“Sot ne kemi ardhur në panairin e librit. Kemi ardhur të shikojmë libra të rinj, sepse nga libri mësojmë shumë. Më pëlqen shumë dhe pashë shumë libra të rinj”, thotë një nxënëse.

“Kemi ardhur në panairin e librit. Më shumë po më pëlqejnë librat”, thotë një tjetër.

Organizimin e festivalit të librave e mirëpresin mësimdhënësit, të cilët kanë sjellë nxënësit këtu.

Sadete Qorri-Avdyli, mësuese në shkollën “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë, thotë se fëmijët i janë gëzuar shumë këtij panairi.

“Është shumë i rëndësishëm, sepse panairi u ndihmon fëmijëve që të njihen me llojet e librave, me botimet e reja që prezantohen në çdo panair dhe gjithmonë janë të rëndësishme që të mbahen sa më shpesh panairet e sidomos për fëmijët më të vegjël. E kanë pritur me dëshirë dhe gjatë gjithë rrugës kanë vallëzuar në autobus. Në krahasim me gjeneratat e tjera, këto tani lexojnë më pak për shkak të teknologjisë, por që informacionet i kanë nga më të ndryshmet. Do të thotë, fëmijët kanë shumë informacione për moshën që e kanë”, thotë ajo.

E mësuesja, Sebahte Sopjani, nga po e njëjta shkollë thotë se në këtë kohë të teknologjisë, është e rëndësishme që fëmijëve t’u ekspozohet sa më shumë libri.

“Këto festivale na duhen shumë dhe të shtrihen në të gjitha qytetet, e jo vetëm në kryeqytet. Është e rëndësishme që të bëhen më shpesh, sidomos tash që po jetojmë në kohën e teknologjisë që ta shohin më shpesh librin dhe ta duan më shumë”, thekson ajo.

Sipas saj, motivi për leximin e librave te fëmijët nuk është si më parë.

“Nuk është motivi siç ka qenë më parë, por ne jemi ata që duhet t’ia instalojmë dëshirën për librin. Fëmijët janë gëzuar shumë për panairin”, thotë Sopjani.

Gjatë dy ditëve të para të Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, ka pasur interesim të madh, thotë Jonida Hajdari, vullnetare e festivalit.

“Jemi duke kaluar shumë mirë, ka pasur interesim edhe prej kopshteve edhe prej shkollave. Fëmijët e shkollave kanë blerë më shumë libra, ndërsa fëmijët e kopshteve i kemi argëtuar më shumë me muzikë. Deri tani ka pasur interesim goxha të madh. Gjithçka ka shkuar shumë mirë, siç e kemi planifikuar”, thotë ajo.

Ky festival u organizua nga organizata “Etea”, në bashkëpunim me bibliotekën “Hivzi Sylejmani” dhe do të zgjasë deri më 6 tetor, nga ora 10:00 deri në orën 16:00.