Zhvillimi i teknologjisë dhe ritmi dinamik i jetës kanë bërë që shumë njerëz të distancohen nga leximi i librave të kopjeve fizike. Kjo ka çuar në një rritje të interesit për gjuhët ndërkombëtare, ndërkohë që studimi i gjuhës shqipe është shpesh në rrezik të neglizhohet.
Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të botës, por, sipas njohësve të fushës, kohët e fundit ka pak të interesuar për të studiuar dhe lexuar në shqip.
Dëshira për të mësuar gjuhën e nënës vjen nga familja, ashtu kishte qenë edhe për Medina Mehmetin, tani redaktore gjuhësore. Familjarët e saj kishin qenë studiues të shqipes e më pas edhe mësimdhënësit e parë, një shtysë e fortë që edhe Mehmeti të ndiqte një drejtim të tillë për studime akademike.
“Qysh nga shkolla fillore kam pasur interesim më të theksuar në gjuhën shqipe falë mësimdhënëses, edhe familjarët kanë studiuar gjuhën shqipe kështu më shumë m’u shtua interesimi për gramatikën sesa për letërsinë. Kur vendosa të studioja qëllimi ishte mësimdhënia, por gradualisht unë u inkuadrova në redaktim, lekturim e po ashtu u angazhova në disa punë”, thotë Mehmeti.
Sipas saj, gjuha shqipe është një nga më të vështirat për të mësuar gramatikën, një e vërtetë që ajo e kishte kuptuar gjatë mësimdhënies së shqipes për të huajt.
“Shqipfolësit mendojnë se veç pse dinë të flasin shqip nuk kanë nevojë të studiojnë, por gramatika e gjuhës shqipe është shumë e ndërlikuar, këtë e kam kuptuar edhe kur i kam mësuar ndërkombëtarët për gjuhën shqipe, e kam kuptuar se sa vështirë është t’ia shpjegosh rregullat e shqipes një anglishtfolësi”, deklaron Mehmeti.
Ajo shton se shqipfolësit nuk lexojnë mjaftueshëm dhe kjo ka bërë që fjalori i tyre të mos pasurohet me shprehje të reja.
“Mua më bëhen 10 vjet që merrem me këtë punë dhe më ka mbetur si deformim sa herë që lexoj një status ose diçka që ka shkruar dikush menjëherë i vërej gabimet elementare dhe në ato raste nuk e marr seriozisht as statusin dhe personin që e ka shkruar, kemi problem në të shkruar, sepse mungon interesimi për lexim. Mendoj se mediat e shkruara dhe televizive duhet patjetër të kenë të punësuar redaktorë e lektorë gjuhësorë që të eliminohen gabimet drejtshkrimore sepse dalin joseriozë”, thekson Mehmeti.
13 vjet më parë Zgjim Sherifi nga Presheva udhëtoi drejt Prishtinës me qëllim për të studiuar letërsinë. Megjithatë, për shkak të mungesës së kuotës ai e ndryshoi drejtimin e studimeve dhe vazhdoi me studimin e gjuhës shqipe.
“Unë gjimnazin e kam përfunduar në Preshevë, kur erdha për studime këtu në tetor të 2012, kam pa që nuk ka kuota për neve të Preshevës për ta studiuar letërsinë, e pastaj kalova në gjuhë, aksidentalisht kam bërë këtë ndryshim që më pas e kam shijuar, por që nuk kishte qenë qëllimi primar. Kur u pranova e pashë që gjuha nuk është siç duket, nuk është vetëm ta flasësh, nuk ka veç morfologji dhe sintaksë, por ka gramatikë, e cila është e vështirë, por nuk jam penduar që e kam studiuar”, deklraon Sherifi.
Ai tani është i punësuar në një nga libraritë e kryeqytetit, përderisa tregon se vëren interesimin e paktë të lexuesve për të blerë libra në gjuhën shqipe.
“Kam punuar në punë të ndryshme, në gazetari, në lekturë, kam redaktuar libra, e tani jam në librarinë “Dukagjini” dhe të gjitha punët i kam pasur me fushën që kam studiuar. Fatkeqësisht kohëve të fundit interesimi për të lexuar gjuhën shqipe është më i vogël sesa për të lexuar anglisht. Të rinjtë sot lexojnë në gjuhë të huaja e përkthimet që po bëhen po lihen anash, kjo shkakton pasoja nga ajo që më pas bëjmë gabime në të shkruar. Gjuha shqipe është e bukur dhe shumë e pasur dhe ka shumë mundësi në të përkthyer”, thekson ai.
Sipas Sherifit, mungesa e të lexuarit varfëron fjalorin e gjithsecilit.
“Kam kaluar edhe në gazetari shumë, kam kolegë të tillë dhe e kam parë që kanë mangësi në të shprehur dhe në të shkruar, kjo është si pasojë e mungesës së të lexuarit”, shton ai.
21 shkurti njihet ndryshe si Dita Botërore e Gjuhës Amtare, e cila ka për qëllim promovimin e diversitetit gjuhësor dhe kulturor, si dhe nxitjen e përdorimit dhe mbrojtjen e gjuhëve amtare në mbarë botën.