Ka afro 2 dekada që është themeluar Shkolla e Mesme e Ulët 2 në Vushtrri, por nxënësit e kësaj shkolle asnjëherë nuk patën mundësi të zhvillonin lëndën e edukatës fizike në një palestër sportive.
Gjatë sezonit të dimrit e vetmja hapësirë që mund ta shfrytëzojnë për shah e pingpong u mbetet korridori i shkollës. Por, me gjithë kushtet jo të mira, talentet e vogla arritën t’i sillnin shkollës trofe e çmime të shumta e madje edhe mbajnë titullin e kampionëve në shumë disiplina. Njëri prej tyre është Enis Shuku, i cili lojën e shahut ka aftësi ta luajë shumë mirë.
“Kur kam qenë i vogël kam pasë gjithherë qejf me lu shah, edhe me shiku se si mund ta luaj, pastaj kam luajtë me gjyshen e babin derisa u mësova, ndërkohë kam qenë pjesë e kampionatit ku jam bërë kampion disa herë. Në shah duhet me qenë i mençur për të ditur me lu. Edhe shokët e mi janë lojtarë shumë të fortë në shah, tani synojmë ta marrim vendin e parë në gara republikane", thekson Shuku.
Mësimdhënësi i edukatës fizike, Arben Parduzi, thotë se është krenar që me gjithë pamundësitë për të zhvilluar sportet në një palestër, të rinjtë e kësaj shkolle u bënë disa herë kampionë.
“Është viti i 15-të që kjo shkollë funksionon, përveç klasës dhe korridorit për lëndën e edukatës fizike nuk kemi tjetër, gjatë verës dalim jashtë në oborr për ta shfrytëzuar kohën e mirë. Kanë filluar punimet për palestrën sportive por që ende nuk është finalizuar dhe shpresojmë që së shpejti të kemi një sallë ku mundmi normalisht me zhvillu lëndën e edukatës fizike. Në korridor aktualisht po e mbajmë lëndën, i kemi disa tavolina ku luajmë pingpong dhe shah, nxënësit e përfaqësojnë shkollën shumë mirë dhe qe sa vite jemi kampionë të shumëfishtë në sporte të ndryshme”, tregon Parduzi.
Ai thotë se mërzitet kur sheh gjeneratat që përfundojnë shkollën pa pasur mundësi asnjëherë të zhvillojnë sportin sikurse secili nxënës i shkollave të tjera.
“Ne jemi gëzuar që salla është afër finalizimit, ne si mësimdhënës do ta kemi më lehtë ta zhvillojmë këtë lëndë, nxënësit do të kenë kushte të mira dhe më pas disiplina të ndryshme në sport do të kemi mundësi me i mbajtë e patjetër presim sukses edhe më të madh seç kemi pasë deri tani. Tash në klasën e 9-të po e shohin se palestra është gati të përfundojë dhe për këto 4 vite nuk kanë arritë të kenë kushte dhe me mbajt një orë siç duhet, po na dhimbsen që ka shkuar një gjeneratë që ka pasur talent në gjitha sportet dhe nuk kanë arritë me mbajtë asnjëherë orën siç duhet në sallë, por të paktën tani për të tjerët do të ketë kushte më të mira”, thotë Parduzi.
Drejtori i kësaj shkolle, Halil Parduzi, tregon për pretendimet e sivjetme që të jenë të parët edhe në nivelin shtetëror.
“Kemi mësimdhënës të përkushtuar në sport përkundër kushteve jo të mira, në korridor zhvillohet loja e shahut dhe e pingpongut, por prapë jemi kampion në nivel vendi. Këtë vit pretendojmë të jemi kampion republikan në shah, përkundër sfidave të ndryshme nxënësit tanë nuk dorëzohen, janë të përkushtuar që puna e tyre të sjellë rezultatet më të mira”, deklaron Parduzi.
Sipas tij, nxënësit e kësaj shkolle në fund të 2026-s do të mund të shfrytëzojnë palestrën sportive dhe korridori më nuk do të jetë sallë e improvizuar.
“Kampion kemi qenë në futsall, në hendboll, në shah, së fundmi herë në gara komunale në shah kemi marrë 3 vendet e para, por kemi çmime edhe në nivel ndërkombëtar. Punimet e sallës kanë filluar disa vite më herët, por për shkak të inflacionit u ndalën punimet, tani kanë rifilluar punimet intensive dhe si projekt 2-vjeçar i bie që në fund të vitit 2026 të jemi me sallë sportive”, thekson Parduzi.
Nxënësit e kësaj shkolle përveç sporteve edhe në gara të diturisë për disa herë me radhë ishin të parët në lëndët shkencore në nivel komunal dhe shtetëror.