Përmes tabelës digjitale, sot po mësojnë renditjen e duhur të fjalive.
Është kjo ora mësimore në kuadër të lëndës “Lexim, shkrim krijues dhe dramë”, që fëmijët e shkollës “Qamil Batallit” po e praktikojnë që nga gjysmëvjetori i parë i këtij viti shkollor.
Nga shtatori i vitit që lamë pas, shkolla “Model” dhe katër shkolla të tjera të Prishtinës patën fatin të nisin procesin e mësimit tërëditor, për klasat e ciklit të ulët 1-5.
Me fillimin e implementimit të kësaj reforme nga komuna e Prishtinës, në këto shkolla janë shtuar edhe orët në të cilat fëmijët kanë mundësi të aktivizohen më shumë në lexim.
Kjo po u ndihmon atyre të jenë më aktivë dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre të komunikimit.
“Në lëndët zgjedhore po mësojmë për matematikë dhe gjuhë shqipe. Për shembull për leximin, shkrimin më të mirë e në matematikë për shumëzimin me numra me qindëshe, me dhjetëshe, me njëshe etj. Prej që kemi hyrë në klasën e tretë më shumë lexojmë, më shumë funksionojmë dhe më shumë të punojmë”, tha Belina Çunaku, nxënëse në shkollën “Qamil Batalli”.
“Ne kemi mësuar që t’ua ndërrojmë vendin fjalëve në fjali. Neve na nevojiten shumë këto mësime sepse duhet të zhvillohemi dhe të mësojmë si të lexojmë dhe të shkruajmë”, tha nxënësi Diar Zhushi.
“Unë kam mbajt në mend që kemi mësuar për ndërrimin e fjalive. Që i kemi pasur fjalët me i ndërrua dhe me krijua fjali. Mësuesja po na ndihmon të mësojmë fjalë të reja që nuk i kemi ditur”, tha nxënësja Ajra Mehmeti.
“Kemi mësuar të krijojmë fjali. Shumë na ndihmon. Po lexojmë më shumë dhe krijojmë më shumë”, tha nxënësja Elsa Topalla.
“Sot kemi mësuar që një fjali ta ndryshojmë dhe ta zgjasim më shumë. Po mësojmë të lexojmë, matematikë, po mësojmë të shkruajmë më mirë, për pavarësinë, mineralet e fjalë të reja”, tha nxënësi Diar Ajeti.
Arsimtarja Fitore Thaqi thotë se fillimi i implementimit të mësimit tërëditor po u ndihmon shumë fëmijëve.
“Që nga shtatori kemi filluar me mësimin tërëditor në shkollën tonë, një sfidë e re por që jemi duke ja dalë shumë mirë. Një sfidë që po na sjellin gjëra të reja, nxënësit po mësojnë aftësi, shkathtësi të ndryshme. Aftësi dhe shkathtësi të shumëfishta po fitojnë edhe në lëndën në orën “lexim, shkrim, krijues dhe dramë”. Në këtë lëndë nxënësit zhvillojnë aftësi të ndryshme komunikimi që është shumë e rëndësishme sidomos për fëmijët nxënësit tanë që të kenë një aftësi të tillë të zhvilluar, të shprehurit dhe të komunikimit të tyre”, deklaroi Thaqi.
Lëndët shtesë për këta nxënës nuk i jep mësuesja e tyre por arsimtarët e lëndëve përkatëse.
“Me mësimin tërëditor është lënda e tillë që përveç mësimit të gjuhës amtarë me mësuesen e tyre, nxënësit zhvillojnë orë edhe me arsimtarë. Me këtë rast fëmijët kanë mundësi të zhvillohen më shumë që të jenë më të aftë të krijojnë aftësi të të shprehurit dhe krijimit. Nxënësit ndihën më të lirë të shprehën në këto orë ku aktivitetet janë më të lira”, tha Thaqi.
Kjo po u ndihmon shumë atyre për të qëndruar larg edhe teknologjisë.
“Ka një ndikim të madh, një efekt që mund të vlerësohet sepse nxënësit janë në një mësim tërë ditor dhe në çdo orë ata janë të angazhuar të zhvillojnë aftësitë e ty të ndryshme. Kur ata të lexojnë ne mundohemi të ua vëmë në pah se leximi krijon mundësi më të mirë të të shprehurit. Mundohemi që në këtë moshë teknologji të jetë në nivel më të ulët tek përdorimi i fëmijëve. Mësimi u ka bërë që gjatë kohës që janë në shkollë të kenë qasje minimale në teknologji”, tha ajo.
Kjo shkollë, e njohur ndryshe edhe si shkolla “Model”, ka edhe bibliotekën e cila ndihmon që kjo lëndë të zhvillohet edhe më mirë.
Lejla Dërguti, bibliotekare e shkollës thotë se ata kanë mbi 10 mijë libra të ndryshëm, të gjuhës shqipe e po ashtu edhe të huaj.
“Biblioteka jonë është njëra ndër bibliotekat më të bukura mund të them në Prishtinë ndoshta edhe më gjerë. Është mjaft e pasur me fondin e librave, i kemi mbi 10 mijë libra, nxënësit janë shumë të interesuar të marrin libra, kemi lloj-llojshmëri të tyre si nga autorët tanë dhe të huaj. Kemi një ambient të mrekullueshme. Përveç bankave dhe 40 karrigeve kemi këtu mbahet edhe ora e leximit. Ata janë të lirshëm nga mësuesit të marrin gjatë kohës së pushimit ose në fund fare, vijnë i marrin librat e i kemi edhe disa rregulla. Libri varet edhe pre tirazhit të fletëve se është një libër më i hollë nxënësit e mbajnë 5-7 ditë, mirëpo nëse libri është më voluminoz afati është deri në 3 javë”, tha Dërguti.
Për t’i regjistruar fëmijët që marrin libra, ata kanë programet digjitale.
“Përveç mënyrës siç ka qenë më parë përmes kartelave tani kemi një program digjital dhe përmban të gjithë titujt e librave dhe në fund i marrin librat ku regjistrohen emrat e mësuesve të nxënësve. Në mënyrë digjital regjistrohen dhe përmes ngjyrave se kur merren dhe kthehen librat”, tha ajo.
Nga shtatori i vitit të kaluar mësimi tërëditor filloi edhe në shkollat “Qamil Batalli”, “Faik Konica”, “Xhemajl Mustafa” dhe “Nazim Gafurri”.