SOT

Objekti i “Qendrës Protokollare” i harruar nga institucionet

Gjithçka ka mbetur në gjysmë, ndonëse kanë kaluar 20 vjet. 

Projekti për ndërtimin e Qendrës Protokollare në Parkun e Gërmisë në Prishtinë gjatë viteve ka kaluar nëpër procedurë të gjatë dhe të ndërlikuar, e cila përfshin vendime politike, çështje ligjore dhe shqetësime mjedisore. 

Nisma për ndërtimin e Qendrës Protokollare ishte dhënë në vitit 2004, ndërsa punimet kanë filluar në mars të vitit 2005.

Megjithatë, gjatë përgatitjes së projektit, nuk u respektua Ligji i Planifikimit Hapësinor 2003/31. Ky ligj kërkonte përmbushjen e kushteve urbanistike dhe mjedisore, të cilat nuk u morën parasysh në këtë rast.  

Lidhur me këtë çështje emisioni “Sot” ka dërguar pyetje në Kuvendin e Kosovës, Komunën e Prishtinës dhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Përgjigje të shkurtër me shkrim ka kthyer vetëm Kuvendi.

“Nuk ka vendim për ndërprerjen e punimeve. Projekti Qendra Protokollare Gërmia ka qenë çështje shqyrtimi në procedurë gjyqësore”, tha Burim Etemaj, koordinator për marrëdhënie me publikun në Kuvendin e Kosovës.

Driton Tafallari, inxhinier i ndërtimtarisë, thotë se ndryshimet politike dhe mospajtimet mes institucioneve të nivelit lokal e qendror, kontribuuan në ndërprerjen e mëtejshme të projektit.  
“Ky objekt ka filluar në fillimet e viteve 2000, ndërsa në vitin 2005 ndaj këtij projekti është bërë një padi nga një grup i shoqërisë civile. Arsyeja ka qenë sepse është duke u ndërtuar në një zonë të gjelbër. Kjo padi është hedhur poshtë nga gjykata 5 vjet më vonë, me arsyetimin e mungesës së kompetencave nga shtruesit e padisë. Që 15 vjet ky objekt mbetet peng si një gërmadhë. Mendoj se urgjentisht duhet të bëhet diçka me këtë objekt. Mos të harrojmë se vlera investive, kontrata e cila është nënshkruar për këtë objekt ka qenë rreth 3.5 milionë euro”, tha Tafallari. 

Projekti implikon të paktën tri institucione, e të cilat sipas Tafallarit do të duhej të koordinoheshin për mënyrat e funksionalizimit të tij. 

“Arsyeja pse ka mbetur situata e tillë janë se është bërë një mikës i kompetencave. Gjykata në vitin 2009-10, ia ka kthyer kompetencat mbrapsht  Parlamentit të Kosovës, që deri më tash nuk ka bërë asgjë lidhur me këtë. Në anën tjetër objekti gjendet në tokën e komunës së Prishtinës, të cilët deshën apo jo, kanë hise në këtë objekt. Dhe në anën tjetër e kemi një zonë të gjelbër, të rëndësisë mjedisore, ku patjetër e kem të involvuar edhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Mendoj se ky trekëndësh mes vete duhet të takohen dhe të bëjnë një planifikim për të mirën e qytetarëve. Iniciator i parë lidhur me këto ndryshime duhet të jetë Komuna e Prishtinës, sepse është më e shpejtë në marrjen e vendimeve”, tha ai. 

Eksperti i ndërtimtarisë, Driton Tafallari, thekson se me një buxhet deri në 2 milionë euro mund të kryhet e gjitha.

“Si kërkesë kemi që objekti të përshtatet me natyrën, të mbulohet me gjelbërim dhe drurë. Ka hapësirë të mjaftueshme vetëm na duhet ta gjejmë krijuesin e kreativitetit. Për ta përfunduar e gjithë objektin duhet një buxhet 1 milion ose 2 milionë euro, mirëpo ja vlen. Objekti rrezikshmëri në aspektin statik nuk ka, sepse betoni është i qëndrueshëm, por vetëm kem dëmtime të qëllimshme ose jo të qëllimshme, sepse është nën kontrollin e askujt”, deklaroi Tafallari. 

Lokacionin ku është planifikuar ndërtimi i objektit, Tafallari e konsideron si hapësirë të përshtatshme për të rinjtë, kryesisht për aktivitetet e tyre sportive. 

“Ky është një aset shumë i rëndësishëm dhe i vlefshëm për Komunën e Prishtinës, por edhe për krejt Kosovën. Jem duke folur për një objekt me dhjetëra, mijëra metra katror, të cilit nëse i bëhet një investim mundet me qenë jashtëzakonisht i vlefshëm sidomos për të rinjtë e Kosovës. Këtij objekti duhet t’i ndërrohet destinimi dhe të shndërrohet në një zonë sportive-rekreative, mbajtjen e trajnimeve apo seminareve që kanë të bëjnë me sportin”, tha ai.  

Qendra Protokollare në Gërmi në gjendjen e tashme paraqet rrezik për qytetarët, meqë është shndërruar në strehë të përdoruesve të drogave, e edhe e qenve endacakë. Qytetarët kërkojnë të merret vendim – për renovimin ose rrënimin e objektit.  

“Ky objekt e shëmton Parkun e Gërmisë, këtij objekti duhet t’i jepet një zgjidhje ose të rrënohet ose t’i jepet një destinacion i ri. I cili mendoj se duhet të jetë për rini, për argëtim ose gjatë verës më shfrytëzu fëmijët. Ose të rrënohet e të kthehet në gjendjen e mëparshme”, tha qytetari Ismet Kelmendi. 

“Objekti mund të shfrytëzohet për atë që është destinu. Pra me qenë një objekt në të cilin zhvillohen takimet e rëndësishme, për ndonjë institucion të rëndësishëm. Në këtë rast i bëj thirrje kryetarit të Komunës, Përparim Rama që të mendoj edhe për shtigjet e gërmisë jo vetëm për shtigjet e asfaltit”, tha qytetari Armend Jashari.  

Qendra Protokollare në Gërmi aktualisht ka mbetur në pritje të zbatimit të vendimeve përfundimtare për funksionalizimin e projekteve.