Selvia, petunia, viola dhe tagetes janë disa nga lulet që nxënësit mbollën në Parkun e kryeqytetit në Ditën e pranverës.
Nxënësit nga paralele të ndryshme në shkollën “Elena Gjika”, të cilët janë gjithashtu pjesë e klubit të gjelbër të kësaj shkolle, e shohin këtë aktivitet si një mundësi për vetëdijesim dhe për ruajtjen e hapësirave të gjelbra në Prishtinë.
“Është një eksperiencë e mirë, ku ndihmon në ruajtjen e ambientit, sepse fëmijët mund të luajnë në një ambient të pastër. Deri tash kam mbjellë 15 lule. Është hera e parë në këtë aktivitet, por është një aktivitet shumë i mirë për ne si të rinj”, thekson Kron Sokoli, nxënës i klasës së shtatë.
Hera Rudi, nxënëse e klasës së nëntë thotë se kjo është e rëndësishme për mirëmbajtjen e ambientit për ne dhe të tjerët”.
“Nuk është viti i parë që jam këtu. Edhe vitin e kaluar kam qenë, shumë më pëlqen ky aktivitet. Unë i kam mbjellë 10 lule, ndërsa shoqet e mia 30 lule”, deklaron Belma Ismaili, nxënëse e klasës së shtatë.
Vlera Pereci, nxënëse e klasës së nëntë deklaron se duhet angazhim më i madh në ruajtjen mjedisit për shkak të shëndetit.
“Pa dyshim është një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe e rëndësishme. Duke mbjellë lule dhe duke pasur një ambient të pastër, ne mund të jemi më të shëndetshëm”, deklaron Enida Sejda, nxënëse e klasës së gjashtë.
Në këtë aktivitet, nxënësit ishin të shoqëruar edhe nga mësimdhënësit.
“Ne nga klubi i gjelbër i shkollës sonë çdo vit mbjellim lule në parkun e qytetit. Edhe nxënësit e kanë mirëpritur këtë aktivitet”, thekson Albana Pallata, mësimdhënëse e biologjisë.
Në mbjelljen e luleve për Ditën e Pranverës e pranishme ishte edhe Donika Çeta, drejtoreshë e Parqeve në kryeqytet, e cila tha se sivjet fokusi i Komunës është më shumë në mbjelljen e drunjve dhe shkurreve.
“Sot fillojmë me lulet sezonale, por në ditët në vijmë ne do të vazhdojmë me mbjelljen e drunjve dhe shkurreve. Meqë janë lule sezonale, tre vjetët e fundit i kem reduktuar sa i përket mbjelljes së tyre. Viteve paraprake kemi mbjellë 1 milion e gjysmë, sivjet kem planifikuar 300-400 mijë lule që të mbillen. Buxheti për të gjitha projektet sa i përket drejtorisë së parqeve nga Komuna është 1 milion e gjysmë, ku janë të inkuadruara parqet jo vetëm në qendër, por edhe më gjerë”, deklaron Çeta.
Këtë vit do të mbillen rreth 400 mijë lule në hapësira të ndryshme të Prishtinës.