Secili prej nxënësve ka sjellë nga një saksi me lule, për t’i dhënë më shumë ngjyra dhe jetë oborrit të shkollës.
“Shkolla e Gjelbër” njihet për përkushtimin ndaj mjedisit, dhe me ardhjen e pranverës, angazhimet rriten për ta përgatitur tokën që fidanët të japin frytet më të mira.
Jara Beka po mbjell lulen e saj të preferuar, të cilën e ka sjellë me shumë dëshirë në shkollë. Ajo thotë se do të kujdeset për të deri në lulëzimin e plotë.
“Unë sot kam vendosur ta sjell një lule për ta zbukuruar ambientin në shkollën time, këtu po ashtu e kemi një serë në të cilën mbjellim lule, perime, dredhëza të cilat në fund i konsumojmë. Sot në këndin e matematikës kemi mbjellë lule dhe mundohemi çdo vit të mbjellim sa më shumë fidanë të ndryshëm. Unë i ndihmoj edhe familjes time kur ata mbjellin por edhe në shkollë sepse më pëlqen të kemi ambientin e pastër. Sot jam munduar ta sjell lulen më të mirë që të jetojë gjatë dhe mos të vyshket, nga sot e tutje unë kujdesem për të”, thotë Beka.
Ndërsa Liri Ademi është përkushtuar ndaj serrës së shkollës. Bashkë me shoqet dhe shokët e tij kanë mbjellë domate, speca e dredhëza, të cilat planifikojnë t’i shijojnë së bashku kur të vijë koha e vjeljes.
“Ne kemi mbjellë perime, domate, speca, dredhëza, unë mbolla domate e shokut i ofrova specat. Procesi është shumë i lehtë edhe në shtëpi kam mbjellë të tilla. Në kohën e tyre të vjeljes ne vetë do t'i konsumojmë ato, e gjatë kësaj kohe do t'i ujisim, shkolla më pëlqen shumë sepse është një ndër më të pasura me gjelbërim jam shumë i lumtur që jam pjesë e saj”, thekson Ademi.
Mësimdhënësja Fitore Maçani thotë se pranvera është periudha më e ngarkuar për stafin dhe nxënësit. Me të filluar ditët me diell, nisin mbjelljet dhe përkujdesja për ambientin.
“Pranvera në shkollën tonë çdo vit fillon me mbjellje, përkujdesje ndaj mjedisit, nxënësit sjellin lule, mbjellim në hapësira të shkollës, në kulm, në serrë më shumë mbajmë perime që ofrojnë fruta në të ardhmen dhe në përgjithësi është pranverë e gjallëruar. Nxënësit e kanë krijuar si shprehi e dinë që duhet të kujdesemi për mjedisin e shkollës dhe dallohemi për ambientin që e kemi, kanë shumë dëshirë të kujdesen për të dhe sidomos në ditën e shkollës kontribuojnë edhe më shumë”, deklaron Maçani.
Ajo shton se nxënësit mezi presin të dalin jashtë, sidomos pas orëve mësimore, për të kontribuar në zbukurimin e ambientit.
“Zakonisht edhe me lëndët mësimore zgjedhore kemi fokus mbrojtjen e mjedisit dhe përmes saj i marrin njohuritë bazike, por kur zbatohet në praktikë është diçka që atyre u pëlqen edhe më shumë dhe kështu e fitojnë shprehinë në mbrojtjen e ambientit. Qysh nga procesi i mbjelljes së bimës dhe atyre brenda serës, nxënësit kanë me u kujdes për to deri sa të bëhen për konsumim, jemi në mësim tërëditor e kemi kuzhinën këtu dhe bëjmë kombinime të ndryshme dhe të njëjtat produkte mundemi me i shfrytëzu edhe në kuzhinë për nxënësit”, thekson Maçani.
Drejtori i “Shkollës së Gjelbër”, Besart Ismajli, thekson se qëllimi kryesor është edukimi i nxënësve që nga vegjëlia, ta duan dhe të dinë si të kujdesen ndaj mjedisit.
“Shkolla jonë fillon punën pranverore qysh nga dita e parë që mban moti i mirë, madje këto ditë jemi edhe më shumë të zënë sepse afër e kemi ditën e shkollës, kemi bashkëpunim të mirë me nxënësit, prindërit, organizata të ndryshme e po ashtu edhe komunën e Prishtinës të cilët na kanë premtuar që do na sjellin fidanë të reja, madje edhe Ndërmarrja "Gjelbër" na ka premtuar se do të sjellë fidanë bio, eko-ulëse dhe po ashtu edhe dredhëzat bëhen çdo vit nga shkolla jonë”, deklaron Ismajli.
Në Ditën e Tokës, nuk do të mungojnë as aktivitetet mjedisore. Nxënësit, së bashku me stafin dhe Komunën e Prishtinës, do të organizojnë mbjellje të fidanëve të ndryshëm. Në të njëjtën ditë, shkolla feston edhe përvjetorin e themelimit të saj.