Punimi që paraqet instalimin e plotë elektrik në një shtëpi, i realizuar nga nxënësit e shkollës “Qendra e Kompetencës” në Skenderaj, u prezantua në kuadër të Panairit të Edukimit
Ky panair, që mbledh bashkë shkolla publike dhe private nga e gjithë Kosova, ka për synim të prezantojë aftësitë dhe arritjet e institucioneve arsimore, për t’ua lehtësuar nxënësve të shkollave të nënta zgjedhjen e drejtimit të tyre të ardhshëm profesional.
Edi Rrecaj, nxënës i drejtimit të elektroteknikës, thotë se nëse e do këtë profesion, ia vlen ta studiosh.
Ai me entuziazëm shpjegon në detaje projektin që ka realizuar së bashku me shokët e tij të shkollës.
“Këtu e kemi bërë një instalues të shtëpisë ku i kemi vendosur disa impiante elektrike, priza, trefazore etj. Njehsori e shpërndarja e siguresave dhe si profesion më pëlqen shumë instalues elektrik. Kam pas dëshirë ta studioj. Nuk është edhe e lehtë të realizohet por kur e donë një profesion të ecë mirë”, deklaron Rrecaj.
Nga drejtimi i arkitekturës, nxënësit kanë zgjedhur të prezantojnë një punim me rëndësi simbolike dhe historike – maketat e kullave të familjes Jashari, të realizuara nga Sonila Dervishi.
“Ne jemi nga shkolla “Qendra e Kompetencës” nga Skenderaj. Kemi ardhur t’i përfaqësojmë punimet më të mira që i kemi. Maketet kemi zgjedhur t’i prezantojmë kullat e familjes Jashari, që janë simbol i Kosovës. Kemi sjellë edhe punime tjera të profileve tjera. Për faktin që vet jemi nga Skenderaj dhe kemi dash që ta sjellim këtu si histori tonën”, thekson ajo.
“Dizajnin e shoh si një gjuhë vizuale e cila shprehet përmes formës, ngjyrave apo materialeve që kemi dëshirë të qepim ose premë. Do të prezantojmë një veshje nga Frida Carden që është prezantuar nga një piktor”, shton nxënësja Fatlinda Feka.
Nxënësit e shkollës “Shtjefën Gjeçovi” nga Prishtina janë prezantuar me një projekt të avancuar. Dren Selimi, njëri nga realizuesit e projektit, tregon se si në bashkëpunim me instruktorin, ai së bashku me nxënësit e këtij drejtimi kanë arritur të realizojnë një sistem modern të ngrohjes me solar.
“Këtu jemi në një panair për të treguar se çfarë detyre kemi bë ne si shkollë. Është ngrohja për solar, janë gypat, rryma dhe është një teknologji që po përdoret më së shumti në shtetet e huaja. Është një ide e mirë se e përdorim dhe nuk kemi problem. Vështirë nuk ka qenë sepse e kemi bërë me ndihmën e instruktorit. Këtu tregojnë se sa bar është nxehtësia e gypave. Nxehtësinë e merr solari nga dielli dhe uji këtu pastrohet dhe e shtynë dhe këtu janë gypat që shkojnë në dalje, pra në dhoma. Është e veçantë se me këtë kursehet energjia elektrike dhe në rast se ndalet mund të vazhdojë ngrohja deri në 2-3 ditë”, deklaron Selimi.
Ky nuk është profesioni i vetëm me të cilin po prezantohet kjo shkollë.
“Ne kemi ardhur në panairin e edukimit dhe edukimit kemi sjellë punimet që i kanë punuar nxënësit në shkollë gjatë viteve. Kemi prej të gjitha profileve. Meqenëse jemi qendër e kompetencës nxënësit tanë aftësohen për treg. Numri i nxënësve që arrijnë të punësohen është i kënaqshëm dhe mundësia e shkollimit më të lartë pasi sistemi e lejon këtë. Por sa i përket punës për aftësim është ideale dhe arrijnë të punësohen, ata që kanë mundësi të shkollohen më tutje e kanë këtë mundësi”, thekson Blerton Bahtiri, zëvendësdrejtor në shkollën “Shtjefën Gjeçovi”.
Panairi do të vazhdojë të jetë i hapur edhe gjatë ditës së mërkurë, duke ofruar mundësi të mëtejshme për të parë nga afër kreativitetin dhe profesionalizmin e të rinjve.