SOT

Nxënësit e “Sami Frashërit” me film për parandalimin e dhunës

Kjo nuk ishte një orë e zakonshme për nxënësit e klasave të 10-ta dhe 11-ta të gjimnazit “Sami Frashëri”, në Prishtinë.

Ata ishin mbledhur për të parë një film të realizuar nga vetë nxënësit, në kuadër të projektit “Promovimi i vlerave humane” të organizuar nga Kryqi i Kuq. 

Tema qendrore e filmit ishte parandalimi i dhunës – një mesazh që vjen fuqishëm nga të rinjtë për të rinjtë.
Ky projekt i dha mundësinë nxënëses Hana Limani të shprehë kreativitetin e saj përmes një filmi të shkurtër, në të cilin ajo gjithashtu interpretoi si aktore, duke përçuar një mesazh të fortë kundër dhunës në shoqëri.

“Bashkë më grupin kemi qenë pjesë e projektit nga Kryqi i Kuq, andaj ne kemi ardhur me idenë që njëra nga temat që duhet të trajtohet në kuadër të ‘Promovimit të vlerave humane’ të jetë ajo për luftimin e dhunës në përgjithësi. Kemi zgjedhur që ta realizojmë një film të shkurtër duke përmendur problemet me dhunën që po e shqetësojnë shoqërinë tonë. Sigurisht miratimin dhe ndihmën e kemi marrë edhe nga profesoreshat tona. Pos idesë dhe realizimit edhe vet kam aktruar në film dhe jam e lumtur që sado pak arritëm të përcjellim mesazh te bashkëmoshatarët që të qëndrojnë sa më larg dhunës”, deklaron Limani.

Sipas profesoreshës Arbenita Vokshi, përgatitjet për filmin ishin një detyrë, që u mor seriozisht nga vetë nxënësit. 

Tema u konsiderua shumë e rëndësishme, sidomos për shkak të rasteve të shumta të bullizimit që ndodhin në rrjetet sociale. 

“Në kuadër të Kryqit të Kuq jemi të përfshirë në katër projekte si shkollë. Më e rëndësishmja ka qenë kjo me këtë temë tejet aktuale. Prandaj nxënësit kanë ardhur me idenë që ta krijojnë këtë film për të përçuar mesazhe te gjenerata e tyre, por edhe gjeneratat që vijnë pas tyre që ta parandalojmë dhunën në shoqëri sa më shpejt që të jetë e mundur. Sidomos sot në kohën e rrjeteve sociale, jemi të gjithë dëshmitar të përmbajtjeve bullizuese që shfaqen e që çojnë në dhunë”, deklaron Vokshi.

Filmi me titullin “Një hap larg” nuk do të mbetet vetëm brenda mureve të gjimnazit. Nxënësit kanë planifikuar që ta shfaqin atë edhe në shkolla të tjera të Prishtinës. 

“Sot e shfaqëm filmin edhe para nxënësve të klasëve të 10-ta e 11-ta. Por qëllimi ynë është që filmin e punuar nga nxënësit ta shfaqim te shkollat e kryeqytetit, që sa më shumë ta përcjellim mesazhin për t’i thënë stop dhunës në përgjithësi dhe ta kuptojnë të rinjtë se dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje për asgjë”, deklaron – mësimdhënësja në “Sami Frashëri”, Ganimete Hyseni – Gashi.

Një nga aktoret e filmit, Delvina Muja, ka parë nga afër raste të dhunës dhe bullizimit. Kjo përvojë e shtyu atë të merrte pjesë me përkushtim në projekt, duke luajtur madje edhe rolin negativ.

“Duke qenë vet pjesë e kësaj shoqëri e kësaj grupmoshe kam pas rast që të has në raste dhune e bullizmi, gjë që më ka bë me mendu se si mund të kontribuoj edhe unë në këtë film me pjesëmarrjen time. Kur më ftuan që të marrë pjesë më një rol, u vendos që të kem rol negativ. Edhe pse kisha rol negativ, isha e lumtur që munda të bart mesazh për shmangien e një anë shumë negative që po ndodhë fatkeqësisht në vend”, deklaron Muja.

Përveç filmit, nxënësit kanë përgatitur edhe broshura me mesazhe kundër dhunës, duke e shtrirë ndikimin e projektit përtej ekranit, në çdo formë të mundshme komunikimi.