SOT

Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” me vepra artistike

Piktura me motive arsimore, peizazhe, portrete e shumë punime të tjera kanë zbukuruar korridoret e gjimnazit “Sami Frashëri”.

Kjo ekspozitë me punime të nxënësve të klasave 10, 11 dhe 12 për nder të ditës së shkollës ka mbledhur nxënës, mësimdhënës e liderë nga Komuna e Prishtinës.

Talenti i nxënësve në art u vlerësua nga të pranishmit. E vetë nxënësit thanë se kjo është në të mirë të tyre, pasi që jo rrallëherë marrin pjesë në ekspozita të tilla, si dhe gara të ndryshme sa u përket punimeve artistike.

Erëza Istogu është nxënëse e klasës së 12-të në gjimnazin “Sami Frashëri. Piktura e saj është pjesë e ekspozitës me rastin e ditës së shkollës. Thotë se pasionin për pikturën do ta vazhdojë edhe më tutje.

Vlera Osmani dhe Jon Muçolli gjithashtu kanë krijuar punime rreth ekspozitës së shkollës.

E gjithë kjo ekspozitë është organizuar falë profesoreshës së artit, Nora Jashari.

Thotë se ekspozita ka përfshirë tematika të ndryshme nga nxënësit.

Ajo e vlerëson talentin e nxënësve në art. Kërkesë e saj është që të ketë më shumë aktivitete të tilla që lidhen me artin në përgjithësi.

Në këtë ngjarje ishte prezent edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu. Ajo premtoi investime të reja në këtë shkollë, nxënëse e së cilës ishte vetë dikur.

Betim Sylejmani, drejtor i gjimnazit “Sami Frashëri”, thotë se talenti i nxënësve në art duhet të shfaqet edhe në ekspozita të tjera brenda dhe jashtë shkollës.

“Sami Frashëri” ka gjithsej 1 mijë nxënës. Shumë shpesh nxënësit e kësaj shkolle marrin pjesë në garat matematikore, shkencore, por edhe të artit.