Muralet e punimet e ndryshme të artit po i japin pamje edhe më të bukur ambientit të gjimnazit “Hamëz Jashari”, në Skenderaj.
Secila nga to është e punuar me profesionalizëm nga duart e nxënësve.
Murali me figurën e fizikanit të njohur, Albert Ajnshtajn, është punimi i 18-vjeçares, Djellza Isufi, e cila për 3 muaj arriti ta finalizonte.
Ajo tregon se i pëlqen të punojë portretet më shumë, e ky i Ajnshtajnit ishte ai i cili i tërhoqi më shumë të gjithë vizitorët e shkollës.
Një mural tjetër i përket Liridona Hysenit, por janë edhe punimet e tjera të heronjve që bien në sy në momentin që hyn brenda ambientit të shkollës.
Me talentin e saj në mesin e 70 garuesve, Liridona do të përfaqësojë Kosovën në një garë ndërkombëtare për art.
Drejtori i këtij gjimnazi, Hajdar Beka, thotë se ndihet krenar që është në udhëheqjen e një shkolle e cila ka staf dhe nxënës të dalluar.
Gjimnazi “Hamëz Jashari” kohëve të fundit është përmendur mjaft shumë si shkak i rezultateve të mira që kanë pasur nxënësit e kësaj shkolle, një nga ata madje edhe është cilësuar si nxënësja më e suksesshme në botë e moshës 16-17-vjeçare.