Para disa ditësh Qeveria e Kosovës bëri të ditur vendimin për rritjen e pensioneve për 20 për qind për një grup kategorish. Nga kjo rritje kanë përfituar edhe personat me aftësi të kufizuara. Mirëpo Shqipron Kuliqi nga Skenderaj, person i verbër, thotë që nuk është i kënaqur me këtë rritje që e ka bërë Qeveria. Sipas tij, paratë që ata i marrin shpeshherë nuk i mjaftojnë as për t’u ushqyer
Aktualisht 29-vjeçari Shqipron Kuliqi nuk punon asgjë. Shumicën e kohës e kalon në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.
Ai ka shikim të dobësuar e me njërin sy nuk sheh fare. Ai hyn në kategorinë e personave që përfitojnë nga pensionet e Qeverisë së Kosovës. Nga vendimi për ngritjen e pensioneve, Shqiproni merr 50 euro më shumë në muaj.
Mirëpo, thotë që kjo pagesë mujore nuk i mjafton shpeshherë as për ushqim, e lëre më për nevoja të tjera që ka ai.
“Skema pensionale për të verbër jepet në Kosovë që nga viti 2014 edhe një herë pati pasur rritje, diku afër 20 për qind ka qenë shumë e vogël. Mirëpo edhe tani kjo shumë është e vogël edhe pas rritjes nga Qeveria. Kjo për shkak të rrethanave të jetës e cila po ndryshon vazhdimisht. Kriza globale dhe ngritja e çmimeve e kanë bërë të veten dhe kanë ndikuar edhe në jetën tonë. Ne nuk po mund ta bëjmë një jetë dinjitoze, sepse për të jetuar mirë duhesh të kesh të ardhura të tjera, eventualisht një pagë shtesë”, thotë Kuliqi.
Thotë që nëse nuk kanë ndonjë ndihmë shtesë nga familjarët, mbijetesa e personave të verbër apo me shikim të dobësuar është tejet e vështirë.
“Kërkesat tona kanë qenë për ngritje më të madhe. Edhe pse kjo gjë është relative, por prapëseprapë nuk mjafton, çmimet janë shumë të larta në krahasim me të ardhurat që ne i marrim. Më herët ka qenë pensioni 200 e tani është bërë 250 euro dhe 300 është bërë 350 euro. Këto shuma nëse nuk ia ndihmon me ndonjë para shtesë as për ushqim nuk mjaftojnë”, tregon Kuliqi.
Thekson vazhdimisht mungesën e përkrahjes institucionale.
“Ne nuk kemi përkrahje të madhe nga institucionet, përveç kësaj dhe pagesës për konsumimin e energjisë elektrike. Tanimë ky subvencionim ka mbaruar dhe shpresoj që do ta kemi prapë, në mënyrë që të na e lehtësojë jetën. Kemi nga pak mbështetje, por realisht është shumë e vogël. Sepse kjo nuk po i përmbush kërkesat dhe nevojat tona”, thekson Kuliqi.
Kërkesa e tij drejtuar institucioneve është të krijojnë vende pune për personat si ai në mënyrë që edhe ata të kenë një jetë të dinjitetshme.
“Kërkesa jonë kryesore është që të krijojnë vende të punës edhe për personat e verbët dhe me shikim të dobësuar, pastaj janë edhe zhvillimi i kërkesave tona qoftë sportive, qoftë trajnime të tjera që ne i bëjmë për socializmin me personat e tjerë. Kjo për shkak se ka shumë persona me aftësi të kufizuara që familjarët e tyre nuk i lejojnë që të dalin jashtë shtëpisë. Ky është një problem shumë i madh që ka nevojë për trajtim psikologjik”, thotë Kuliqi.
Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës bëri të ditur vendimin për rritjen e pensioneve për 20 për qind për një grup kategorish.