Ushtrimet i kanë sfidë. 32 kilometra bëjnë vetëm në një relacion nga Skenderaj për në Istog të paktën katër herë në javë për ta praktikuar notin. Mirëpo kjo nuk po i pengon Arbana Imerin dhe Bledion Mehajn që të jenë kampionë në këtë sport.
Bledioni, 15-vjeçar, thotë se arsyeja që ai kishte filluar të merrej me not ishte problemi që kishte pasur me shtyllën kurrizore.
Kurse tash thotë që ka filluar t’i pëlqejë shumë ky sport, duke i sjellë medalje të shumta.
Ëndrra e tij është që në të ardhmen ta përfaqësojë Kosovën në gara ndërkombëtare.
Notare e zonja edhe pse në moshë te re po tregohet edhe Arbana. Në nivel Kosove ajo mposhti kundërshtaret e saj që kishin ardhur në po këtë pishinë nga qytetet e tjera, në gusht të vitit 2023.
Ajo thotë se nuk e sheh veten si notare në Kosovë pasi thotë se iu mungon përkrahja institucionale.
Për arritjet e tyre pa dyshim që meritor është edhe trajneri i klubit “Dielli”, Ekrem Avdiu.
Mirëpo përveç kësaj ai thotë se për shkak të mungesës se fondeve po rrezikohen të mbyllen klubet e notit në Kosovë.
Noti është ndër sportet me benefitet më të mëdha në shëndetin e njeriut pasi që aktivizon të gjithë trupin. Ndër të tjera, noti ndikon në uljen e inflamacionit dhe rrit sistemin imunitar, derisa mban nën kontroll sheqerin e tensionin në gjak.