Nga qendra e Hanit të Elezit janë rreth 10 kilometra rrugë për të mbërritur në fshatin Gorancë . Peizazhi i bukur e lartësia mbidetare të përcjellin derisa ngjitesh lartë.
Deri para pak ditësh, banorët e këtij fshati sa herë që kishin nevojë për ndihmën e mjekut niseshin drejt qytetit.
Por kjo përfundoi në muajin shkurt.
Nga 1 marsi, mjeku Përparim Rexhallari bashkë me infermieren Teuta Shkreta erdhën për të ofruar ndihmën në fshat dhe tashmë çdo të martë dhe të enjte ata do të jenë në ambulancën e fshatit.
Ambulanca e Mjekësisë Familjare kishte pasur kohë që ishte ndërtuar, por se këtë të martë i hapi dyert për banorët e Gorancës.
Mjeku tregon se cilat shërbime ofrohen nga ta në qendrën që, sipas tyre, i përmbush të gjitha nevojat elementare.
E për infermieren, Goranca është fshati nga ku edhe ka origjinën. Ajo thotë se vetë dikur kishte udhëtuar nga fshati drejt qendrës së qytetit dhe për vështirësitë që i ka hasur shpesh herë në udhëtim.
Sipas saj, kapacitetet e ambulancës janë të shumta dhe se pacientët mund të marrin shërbime si në trajtim, ashtu edhe me terapi.
E me ditën e parë të hapjes, banorët dolën për të marrë konsulta nga stafi shëndetësor. E pacienti i parë ishte Imer Dernjani.
Ambulanca deri tani nuk kishte qenë funksionale si pasojë e mungesës së stafit mjekësor, por tani ajo do të jetë e hapur dy ditë të javës nga ora 8 deri në mesditë.