Një grup miqsh nga Stambolli i Turqisë kanë zgjedhur Prevallën si destinacionin e tyre për të kaluar disa ditë relaksi dhe eksplorimi në natyrën malore të Kosovës.
Për disa prej tyre, kjo është vizita e parë në vendin tonë, ndërsa për të tjerë është një rikthim i shumëpritur.
“Sot kam ardhur për herë të parë për ta vizituar Kosovën, bashkë me shokët. Prevalla po më pëlqe, por do ta vizitojmë më pas Prizrenin, Ferizajn edhe Shkupin. Kur t’i vizitoj të gjitha këto vende mund ta bëj dallimin se cili vend më ka pëlqyer më shumë, por në përgjithësi Kosova më pëlqen. Me kanë treguar se në Prizren flitet edhe gjuha turke, besoj se do të kalojmë mirë edhe në Prizren”, thekson vizitori Bekir Esen.
Exhevit Zymberi, i cili është me origjinë nga Shkupi dhe prej vitesh jeton e punon në Stamboll, ka organizuar këtë udhëtim së bashku me shokët e tij për të vizituar Kosovën.
“Jam nga Shkupi dhe jetojmë në Stamboll të Turqisë. Kem ardhur me shokët për ta vizituar Prevallen dhe po na pëlqen shumë. Do ta vizitojmë Prizrenin, Ferizajn dhe do të kthehemi në Shkup”, deklaron Zymberi.
Agim Mustafa nga Presheva është një vizitor i rregullt i Prevallës.
Për shkak të gjendjes shëndetësore të tij dhe të bashkëshortes, ai ka planifikuar një qëndrim dyjavor në këtë zonë malore.
Megjithatë, Mustafa thekson se çmimet e akomodimit dhe ushqimit në Prevallë nuk janë të përshtatshme për buxhetin e pensionistëve.
“Që tri ditë kam ardhur me gruan në Prevallë. Ajo vuan nga sëmundja e zemrës, po ashtu edhe unë e kam të njëjtën sëmundje. Vështirë e kem pasur të gjejmë vendbanim me çmime të volitshme. Natën e paguajmë 20 euro dhe për ne si pensionist çmimet nuk janë edhe aq të volitshme. Edhe ushqimin e kem marrë nga shtëpia. Ajri i pastër, klima e mirë e gjithçka tjetër shpresojmë që do të na ndihmojnë në shëndetin tonë. Planifikojmë të qëndrojmë dy javë. Mëngjesin e kem zakonisht për shëtitje te pishat, ndërsa pasdite qëndrojmë duke ecur në këtë pjesën tjetër. Deri tash po vërejmë se na ka ndihmuar qëndrimi në Prevallë në kollë, frymëmarrje. Shpresoj të na ndihmojnë edhe më shumë Prevalla në shëndeti tonë”, thotë Mustafa.
Prevalla njihet jo vetëm si një atraksion turistik, por edhe si një ndër zonat më të shëndetshme në Kosovë, sidomos për ata që vuajnë nga sëmundje të rënda, për shkak të klimës së saj të pastër dhe natyrës shëruese.