Ndonëse me origjinë amerikane, Lydia Musliu më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar në Kosovë.
I ati i saj ka vdekur kur e ëma ishte pesë muajsh shtatzënë me të.
E lindur në Ohio të Amerikës, në moshën 4 vjeç Lydia bashkë me nënën e saj u shpërngulën në Peru, pasi që nëna e Lydia-së u angazhua të ndihmojë jetimët dhe gratë e veja.
Më pas, në vitin 1999 u shpërngulën në Vlorë të Shqipërisë, për të punuar po ashtu në një jetimore.
Në vitin 2001 për herë të parë nënë e bijë erdhën në Kosovë për të hapur “Shtëpinë e Buzëqeshjes”, një qendër mësimore për fëmijët që kishin humbur prindërit në luftë.
Lydia si një 10-vjeçare përmes kësaj qendre e takoi edhe fatin e jetës, Lavdimin, i cili atëkohë ishte vetëm 13 vjeç.
“Lydia-në e kam takuar për herë të para në hapjen e qendrës ‘shtëpia e buzëqeshjes’, Lydia ka qenë e veshur si palaço dhe atë kohë për mua ka qenë interesante. Unë kam qenë 13 vjeç ndërsa kjo 10 vjeçe”, thotë ajo. “Nëse mundem ta shpjegoj arsyen pse jam veshur si palaço. Mami im për hapje ka menduar të jetë diçka më e veçantë për fëmijët. Dhe më ka veshur si palaço”, shton Musliu.
Lavdimi dhe Lydia dashurinë e tyre e kurorëzuan në vitin 2010.
Aktualisht Lavdimi është 37 vjeç, ndërsa Lydia 34 vjeç. Të dy thonë se kanë një jetë të lumtur, bashkë me tre fëmijët e tyre Loresën, Rionin dhe Rubinin.
“Në fillim kem qenë shok shumë të mirë dhe kem pasur shok të përbashkët, ku kem kaluar shumë mirë. Pas 5-6 vjet shoqëri kem kaluar në një lidhje. Unë kam qenë 18 vjeç dhe Lydia ka qenë 15 vjeçare, ku e kem filluar lidhjen, kjo është bërë me lejen e prindërve. Ndërsa jem martuar kur unë kam qenë 22 vjeç ndërsa kjo 19 vjeçare”, thekson ai.
Çifti nga Mitrovica tregon se në mesin e tyre gjithnjë ka pasur mirëkuptim. Madje, Lydia thotë se shpeshherë ka praktikuar zakonet nga kultura shqiptare.
“Me ju thënë të drejtën bashkëjetese me një nacionalitet tjetër nuk ka qenë diçka e çuditshme. Lydia e njeh kulturën shqiptare mirë, po ashtu dhe flet mirë shqip. Komunikimi ka qenë mes neve shumë mirë. Lydia e donë Kosovën dhe familjen time, bashkëjetesa për ne ka qenë shumë e lehtë dhe natyrale, tregon ai.
Lydia Musliu ka folur për jetën e saj në Kosovë.
“Për mua eksperienca ka qenë pak më ndryshe kur jam martuar, sepse unë jam rritur në Kosovë dhe kam parë nuse të bukura se si duken. Kam pasur disa vështirësi derisa kam e kam mësuar traditën, kulturën. Gjithmonë e kam respektuar vjehrrën time sepse i kam pasur qejf më shumë traditat shqiptare që janë. Për të i kam veshur ‘dimiat dhe dallamet’, te ndonjë dasme. Pastaj mysafirët i kam shërbyer me çaj, më është dukur interesant se shumë herë është dashtë me shërbyer çaj dhe burrit i kam thënë pse nuk blejmë gota të mëdha mos me pasur nevojë të shërbej 100 herë. Këto janë disa prej gjerave nga kultura të cilat kanë qenë më ndryshe për mua, por i kam mësuar. Dhe familja e Lavdimit më ka pritur dhe më respektojnë si një familjare”, thotë ajo.
Shtëpia ku jetojnë Lydia e Lavdim Musliu ndodhet në fshatin Shupkoc të Mitrovicës.
Ajo thekson se asnjëherë nuk ka pasur rëndësi të jetuarit në fshat apo qytet. Dëshira e tyre është të jetojnë dhe kontribuojnë për Kosovën.
“Kur jam martuar, Lavdimi e ka pasur shtëpinë në fshatin Shupkoc. Mua më pëlqen jeta atje. Nuk e kisha nderuar me asnjë vend tjetër në botë”, tregon ajo.
Bashkëshorti i saj thotë se fëmijët e pëlqejnë Amerikën vetëm për pushime, ndërsa Lydia thotë se e kanë ëndërr që fëmijët e tyre të jetojnë në Kosovë.
“Ëndrra jonë është që fëmijët tanë me jetuar në Kosovë, ndoshta shkollimin munden edhe jashtë, por me rënësi me jetuar në Kosovë. E ardhmja e Kosovës është me fëmijë, munden me filluar edhe me fëmijët tanë”, thekson ajo.
Çifti tregon se asnjëherë nuk ka lejuar paragjykimet e të tjerëve të ndikojnë në lumturinë e tyre.
“Ndoshta paragjykime mes çifteve mundet me pas, por për shkak raporteve të mira që ka Kosova me Amerikën nuk kem pasur diçka të tillë. Raportet që kem mes vete janë shumë më të rëndësishme sesa mendimet e të tjerëve. Lydia e ka nënshtetësinë edhe të Kosovës, jem duke jetuar mes dy kulturave të dy shteteve. Për neve jeta është në Kosovë dhe kem vendosur me vazhduar jetën”, tregon Lavdim Musliu.
“Kur e dinë që jam martuar me një shqiptar gëzohen shumë sepse thonë se shqiptari e ka marr një nuse nga Amerika. Kam qenë shumë e mirëpritur kur jam martuar me Lavdimin. Lavdimi e ka pasaportën edhe të Amerikës. Një mesazh për krejt shqiptarët që duan ta braktisin Kosovën. Mendoni sesi mundeni me ndryshuar shtetin e juaj. Kosova ka diçka që shumë vende të tjera nuk e kanë. As Amerika nuk e ka historinë dhe trashëgimin që e ka Kosova. Kosova është një thesar që duhet ta ruajmë. Kam shëtitur në disa vende në Kosovë, Prizreni është i mirë, Prishtina ka përparësitë e veta, por Mitrovica është vendi im dhe kam më të dashurit e mi”, shton bashkëshortja e tij Lydia.
Atë që e ka mësuar ndër vite ua përcjell nxënësve të saj. Lydia Musliu, aktualisht është mësuese e gjuhës angleze.
“Kur kam ardhur në Kosovë unë kam qenë 10 vjeçe, kam qenë klasë të gjashtë, gjithashtu kam vazhduar mësimin me mamin, por për të më ndihmuar kanë ardhur edhe mësimdhënës edhe nga Amerika për të më ndihmuar me mësime. Në klasën e shtatë kam filluar të jap mësim në lëndën e gjuhës angleze për fëmijët që janë në klasën e tretë. Pastaj kam vazhduar në shkollën e mesme të lartë me program online nga Amerika. Për një vit bashkë me bashkëshortin kem studiuar në AUK, por nuk e kanë pasur drejtimin e mësueses së anglishtes, dhe jam kthyer në Amerikë. Në Amerikë e kam përfunduar fakultetin për edukim, drejtimi për lëndën e anglishtes”, deklaron ajo.
Mësuesen nga Amerika as studimet në Harvard nuk e bënë që ta braktiste Kosovën.
“Në vitin 2018 kam filluar të jam mësim nga klasa e 10-të deri në të 12-të. Mësimi për mua është diçka shumë e rëndësishme sepse unë e di çka mundet me ndryshuar një mësuese te një fëmijë. Më pëlqen shumë të mësoj anglisht, sepse unë flas më mirë anglisht se shqip. Kur unë jap mësim në anglisht nuk u mësoj nxënësve vetëm gramatikën ose tregimet por edhe gjera për jetë. Për tri vite kam mësuar vetëm nivelin e lartë 10-12. Pastaj ka qenë nevoja për një mësuese e klasës së parë në lëndën e anglishtes, kam pranuar dhe kam jep mësim për këtë nivel. Vitin e kaluar më kanë zgjedhur si drejtoresh e shkollës për ciklin e ultë, dhe në të njëjtën kohë jam pranuar edhe në Universitetin Harvard të Amerikë, në programin e tyre online. Kjo ka qenë një befasi për mua sepse nuk e kam besuar që do të pranohem në këtë shkollë me këtë nivel. Edhe pse në muajin maj do ta marr diplomën në Harvard, pra do të shkoj në Amerikë. Gjithmonë zemra jem, mendja jem është në Kosovë. Me këtë diplomë mundem me punuar në çfarëdo punë në Amerikë, unë dhe burri nuk e mendojmë që të kthehemi atje sepse Kosova është vendi jonë”, thekson ajo.
Lydia bashkë me familje kanë shëtitur botën, por strehën dhe qetësinë shpirtërore thotë t’i kenë gjetur në Kosovë.