Piper i kuq djegës, hudhër, pleh dhe biostimulant.
Është kjo njëra ndër recetat, të cilat hidhen për përzierje e pastaj vjen deri te krijimi i topthave me fara të drunjve.
Ky është njëri nga proceset e projektit që parasheh shtimin e pyjeve të reja në Prishtinë.
Të rinjtë e kryeqytetit dhe të Fushë-Kosovës po ndihmojnë që t’i krijojnë këta toptha, të cilët pastaj pritet të hidhen në Arbëri e në Kodrën e Trimave përmes dronëve.
Synimi i organizatës SLK ka qenë që përmes këtij projekti të bëhet shumimi i drunjve, që konsiderohet i domosdoshëm, pas degradimit të madh që po u bëhet pyjeve.
“Projekti ka filluar si rezultat i analizës, të cilat i kemi bërë në pyjet e Kosovës dhe me rezultatin që kemi marrë, jemi brengosur shumë, sepse kemi humbje të mëdha të pyjeve. Kosova momentalisht i humb 3.5 hektarë pyje në ditë. Gjithashtu pas analizës dhe hulumtimit, kemi bërë një turne në Kosovë dhe kemi krijuar kampanjën ‘Mos e merr malin’ dhe në mes të kampanjës kemi filluar të ngremë vetëdijesimin te njerëzit, se sa janë të rëndësishme pyjet për Kosovën, për jetën tonë dhe të ardhmen tonë”, ka thënë Indira Kartallozi, drejtoreshë në SLK
Përbërësit e kësaj recete kanë një rol të veçantë për mbirjen e drunjve të rinj.
“Betoni i paaktivizuar përmban 100 gramë pluhur hudhre, 110 gramë biber të kuq djegës gjithashtu përmban në sasinë ujore, e përziejmë edhe një biostimulant, e cila ndihmon farën të zihet. Betoniti e ndihmon topthin të forcohet, bëhet si gur, ndërsa komposti ia jep ushqimin që duhet dheut, hudhra e mban shëndetin e farës, gjersa speci i kuq djegës ndihmon që të mos e hanë zogjtë apo brejtësit në fushë kur i gjuajmë dhe biostimulanti ndihmon që të mbijnë më lehtë, ka deklaruar Kartallozi
Projekti ka marrë përkrahjen e Komunës së Prishtinës, duke synuar zgjerimin edhe në pjesë të tjera të Kosovës.
“Jemi të lumtur që kemi marrë interes të madh të shkollave. Ne po shpresojmë që pas Komunës së Prishtinës, të kemi kapacitet të zgjerohemi edhe në regjione të tjera. Kemi male afër Istogut që humbin çdo ditë, jugu i Kosovës, duhet të intervenojmë në ato regjione që paraqesin rreziqe të vërshimeve apo shembjeve, duhet të intervenojmë në ato pjesë e pastaj të fokusohemi te regjionet që kanë humbur shumë drunj", u shpreh ajo.
Drejtoresha e Parqeve në Prishtinë, Donika Çetta, thotë se ky është projekt që po ndodh për herë të parë në kryeqytet.
“Në kuadër të rigjenerimit të sipërfaqeve të gjelbra në kryeqytet, kemi parë të rëndësishme të përqafojmë një projekt të tillë, është një projekt inovativ për herë të parë në Kosovë, faktikisht në kryeqytet. Është një metodë inovative që përdoret në vendet e rajonit për të pyllëzuar tokat e degraduara, të cilat janë të degraduara për shkaqe të ndryshme natyrore, gjatë përfshirjes së zjarrit apo nevojave ekonomike, të cilat kanë pasur nevojë banorët. Kjo metodë na është treguar nga SLK-ja dhe së bashku është krijuar një marrëveshje bashkëpunim”, ka deklaruar Çetta.
Gjatë nëntorit, parashihen të mbillen 5 hektarë tokë.
“Ky projekt ndahet në dy faza, është krijimi i topthave dhe faza e dytë është faza e lansimit të tyre përmes dronit. Është metodë mjaft e shpejtë dhe efikase dhe mund të mbërrijë në vend ku nuk mund ta mbjellë dora e njeriut. Këto fara të topthave së bashku me agjencionin e pyjeve kanë marrë pjesë të tokës dhe janë analizuar dhe janë përshtatur farat në pjesët ku ne do t’i mbjellim. Po ashtu jemi konsultuar edhe me profesorë të fakultetit të bujqësisë, të cilët janë duke na ndihmuar në këtë proces për mbjelljen e farave në mënyrë që të kemi një projekt të suksesshëm
Janë 5 lloje të ndryshme të drunjve që synohet të mbillen në këto pjesë të Prishtinës.
“Është një lloj i pishës dhe fara të tjera të frashërit, të bungut, të qarrit dhe lloje të pishave të ndryshme. Në një farë janë të kombinuara, në rast se njëra nuk mbin, tjetra do të ketë sukses. Është një recetë që na kanë huazuar kompania kroate që e përdorin këtë metodë të mbjelljes që disa vite. Materie të cilat gjenden në natyrë, uji, një stimulant që e nxit mbirjen. Përzihen në mikser pastaj bëhet formimi i topthave përmes dorës, farat duhet të thahen për 7 ditë dhe pastaj bëhet hedhja përmes dronit në zonat e parapara", ka thënë Çetta.
Në mënyrë që ky projekt të bartet edhe te brezat e rinj, janë angazhuar nxënësit e shkollave të ndryshme.
14-vjeçarja, Bertina Makolli, nga shkolla “Mihal Grameno - Aneksi II”, në Fushë-Kosovë, thotë se përmes këtij projekti ata kanë mësuar shumë gjëra të reja.
“Mendoj që ka shumë vlera dhe na mëson shumë gjëra të reja, sepse do ta shfrytëzojmë në të ardhmen dhe do ta bartim edhe te pasardhësit tanë. Disa tema i kemi në lëndën e biologjisë, por është mirë që ndonjëherë të dalim edhe prej lëndëve të shkollës dhe të mësojmë disa ekstra", ka thënë Makolli.
Në pranverë të këtij viti, pyllëzimi për herë të parë është bërë në Butoc. Ndërsa farat që po përgatiten tani, pritet të hidhen në hapësirat e reja të Prishtinës, të martën e javës së ardhshme.