SOT

Nga atlete në trajnere fitnesi, sjell ushtrime unike për mitrovicaset

Nën tingujt e muzikës relaksuese po i kryejnë lëvizjet që po ua dikton trajnerja.

Janë këto ushtrime, të cilat bëhen përmes një cope mëndafshi e duke përdorur forcën e trupit.

“Pilates” nuk janë ushtrime të panjohura. Por, pilates në mëndafsh për herë të parë mitrovicaset po ushtrohen nga një trajnere tash e 4 muaj. Është kjo Almira Kuçi, dikur atlete.

“Është Pilates që ushtrohet në mëndafshe. Pra sfilla është një mjet që na mundëson ushtrimet më lehtë. Mëndafshi përshtatet për trupi, në mëndafsh mund të bëjmë ushtrimet fizike të barkut, të këmbëve dhe të duarve. Pjesa e parë e pilates është hyrja ku klientët anëtarë ulen dhe relaksohen, pastaj janë zgjatjet e muskujve dhe pas kësaj, kush ka dëshirë të bëjë akrobacione dhe e fundit është që shtrihemi dhe bëjmë relaks të muskujve”, thotë Kuçi.

Ky lloj i ushtrimeve, përveç shëndetit fizik, ndikon edhe në atë mendor.

“Te shëndeti mendor ndikon shumë, sepse mëndafshi e prek trupin dhe lirohen nervat e qafës dhe shpinës dhe ne fillojmë meditimin e në ato momente, ne nuk jemi në këtë botë që thonë, por në një relaks total”, tregon Kuçi. 

Gjithçka nisi në moshën 24-vjeçare, kur edhe i dha fund karrierës së saj si atlete e suksesshme.
“Me atletikë kam filluar të merrem me 14 vjet, kam qenë atlete vrapuese dhe kam vrapuar 1500-3000 metra, kam marrë pjesë në kampionate evropiane, në kampionate botërore e ballkanike. Pasi kam përfunduar karrierën e atletikës me 24 vjet, kam filluar të merrem me këto aktivitete. Së pari, për shkak të shëndetit tim e pastaj edhe për gratë e tjera. Përndryshe jam mësimdhënëse e edukatës fizike”, thotë Kuçi.

Fillimisht nisi me ushtrime të tjera, për të vazhduar sot me “Spining”, “Step Hip-hop” dhe së fundmi edhe me “Pilates”

“Kemi filluar para 10 vjetësh. Kemi filluar me ZumbaFittnes dhe pas Zumbas, kemi filluar me Kangoo. Gjatë pandemisë, kur kanë qenë masat, e kemi ndërprerë “Kangoo” dhe kemi vazhduar me Spining dhe aty e kemi futur edhe Step-Hiphop, dhe tani e kemi futur edhe një ushtrim të ri, i cili është i vetmi në Kosovë, Pilates në mëndafsh. Step Hip-hopin e kam kryer online në Amerikë. Është i vetmi në Kosovë këtu që e bëjmë. Step Hip-hopi është aktivitet me koreografi që bëhet hiphopi në shkallë dhe gjatë koreografisë shkon pulsi më lart dhe në këtë mënyrë edhe humbet peshë më shpejt. Ndërsa Pilates që e kam përfunduar para 4 muajve jashtë Kosovës, pos që e kam bërë kursin për vete, mund t’i trajnoj edhe të tjerët”, tregon Kuçi.

10 vjet më parë, interesimi i grave për këto aktivitete ishte më i vogël, ndërsa tani Kuçi thotë se është rritur shumë. 

“Janë shumë të interesuar, por unë kisha thënë të interesohen edhe më shumë. dallimi prej para 10 viteve e deri më tani është shumë i madh. Në fillim, kur kemi filluar ka qenë vetëm një grup, ndërsa tani janë 7 grupe, do të thotë aq është interesimi më i madh. Por është mirë që tani kanë filluar të dinë edhe rëndësinë e pilates. Në fillim, mund të thonë se pilates është shumë lehtë por kur vijnë, e shohin se nuk është ashtu, se pilates ta rregullojnë trupin shumë mirë. Atëherë fillojnë të merren, edhe janë shumë të kënaqura”, thotë Kuçi. 

Interesim shprehin nga ato më të reja e deri te gratë më në moshë.

“Çdo grup i ka nga 15 anëtare. Së pari vijnë këtu e pastaj e shohin se ku po e gjejnë veten. Ka edhe të moshuara. Ato janë më të përqendruara, janë më strikte, sepse e dinë rëndësinë më shumë se ato më të rejat. E ndiejnë veten që munden dhe kur arrijnë diçka, janë shumë të gëzueshme. Është njëra 72 vjeçe e janë edhe dy të moshës 60-vjeçare”, tregon Kuçi.

Pjesëtarët e grupit të Almira Kucit, janë shumë të kënaqur.

Donjeta Dashevci-Vitaku nga Mitrovica thotë këto ushtrime i kanë ndihmuar shumë si në shëndetin fizik, e po ashtu edhe në atë mendor.

“Qe 6 vjet merrem me aktivitete fizike intensivisht 3 herë në javë. Na pëlqen shumë, prandaj edhe vijmë dhe këto ushtrimet që i bëjmë ne janë atraktive, prandaj edhe kjo periudhë kaq e gjatë, nuk i kemi ndërprerë, sepse ushtrojmë edhe në grup dhe jemi vajza e gra të moshave të ndryshme e vijmë me vullnet, sepse edhe mësuesen e kemi shumë të mirë. Pika kryesore është shëndeti, si fizik ashtu edhe psikik. Ne ushtrojmë edhe me biçikletë dhe ka përfitime shumë të mira shëndetësore. Unë, sa herë ushtroj në biçikletë them ta bëj një test të zemrës, mirë qenkam. Pastaj i kemi edhe ushtrimet e tjera e që është më e rëndësishme, ndihemi shumë lehtë dhe shumë mirë për aktivitetet e tjera gjatë ditës”, thotç Dashevci-Vitaku.

Ndërsa Dua Zeneli thotë se ka pasur rezultate shumë të mira. Thotë se 10 kilogramë i ka humbur vetëm gjatë këtij viti.

“Unë jam pjesëmarrëse prej vitit 2019 në Spining Fitnes dhe tani kemi kaluar edhe te pjesa pilates. Jam shumë e kënaqur me rezultatet që i kam pasur gjatë viteve dhe nuk mendoj t’i ndal dhe njëkohësisht sa më duket mirë ana fizike, luan rol edhe ana psikike. Normal që shumë njerëz vijnë të humbasin apo të shtojnë peshë. Unë kam humbur peshë dhe e kam arritur këtë qëllim me përkushtim e disiplinë dhe po ashtu edhe aktivitetet, sepse asnjëri prej tyre nuk është i njëjtë për gjatë javës. Humbja e peshës ka qenë për afro 1 vit - 10 kilogramë. Arritjen më të madhe e kam arritur këtë verë, me humbjen e peshës”, tregon Zeneli.

Trajnerja thotë se së shpejti do ta sjellë edhe një risi në Kosovë.