Produktet ushqimore po vazhdojnë të shënojnë rritje. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, muaji gusht i këtij viti ka shënuar ngritje të çmimeve në krahasim me muajin gusht të vitit të kaluar. Përderisa nga viti 2020, çmimet e produkteve ushqimore bazike kanë shënuar rritje afro 70 për qind.
Çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë po vazhdojnë të rriten. Kjo ndikon direkt në xhepin e qytetarëve, të cilët thonë se jetesa është bërë shumë e vështirë në Kosovë.
Gjendja më e rënduar është te të moshuarit, të cilët me një pension iu duhet të kalojnë gjithë muajin.
“Unë deri para një viti, me pension temin e kam kaluar gjithë vitin, tani s’mundem as dy javë dhe për çdo ditë janë lart e më lartë çmimet. Rrogat dhe pensionet po rrinë njësojë, unë nuk e di se çfarë llogarie po bëjnë, çfarë matematike kanë mësuar. Ndoshta këta më të rinjtë ndonjë matematikë të lartë unë s’po i kuptojë. Pensionim e kam 190 por me ato para unë kam jetuar deri në fund të muajit. Vetëm unë, ama tani as i 15-ti nuk ma pret. Kjo është mashtrim optik këto që po thonë se ranë çmimet. Ne kemi nevojë për gjërat elementare të ushqimit. Ndoshta po i duket mirë, unë nuk jam e kënaqur, nuk është në pyetje vetëm kjo qeveri”, tha një pensioniste.
“Asnjë ditë nuk janë çmimet e njëjta. Të gjitha çmimet i kanë rritur. Me 100 euro pension jemi duke jetuar. Unë harxhoj shumë se jam edhe me barëra. Më shumë harxhoj për barërat se për ushqim se unë jetoj vet. E jam edhe në banesë të huaj. Harxhimet çka i bëj i bëj vet. Del siç del. Jo s’ka kush më ndihmon. Ka ndodh që muajin nuk kam pas mundësi ta qes në fund me pare. 70 euro vetëm barëra marr vetëm me 30 euro bukën”, tha një tjetër pensioniste.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, muaji gusht i këtij viti ka shënuar rritje të çmimeve prej 1.4 për qind në krahasim me muajin gusht të vitit paraprak.
Ilir Berisha, drejtor i Statistikave Ekonomike, thotë se nga kjo rritje më të madhe në ushqim kanë pësuar kafja, çaji dhe kakaoja.
“Indeksi i muajit gusht 2024 krahasuar me muajin gusht 2023 ka një rritje prej 1.4 për qind. Ndërsa muaji gusht me muajin korrik të të njëjtit vit pati një rritje prej 0.2 për qind. Rritja prej 1.4 për qind të indeksit vjetor është ndikuar nga rritja e disa nëngrupeve, siç janë biletat e fluturimeve me 26.3 për qind. Kafeja, çaji dhe kakao me 8.9 për qind, pushimet e organizuara me 7.5 për qind, peshqit me 5.6 për qind dhe lëndët djegëse me 6.2 për qind. Mallrat: sheqeri, pijet alkoolike, uji mineral kishin një rritje. Të gjitha këto nëngrupe patën ndikim në rritje. Kjo është neutralizuar me uljen e çmimeve të perimeve dhe karburanteve”, tha Berisha.
Në krahasim me vitin 2020, muaji gusht i këtij viti ka shënuar lëvizje deri në 24 për qind në produktet ushqimore.
“Indeksi i harmonizuar i çmimit të konsumit ka një lëvizje të vazhdueshme. Lëvizje të theksuar ka pasur vitit 2020. Kosova është vend i hapur për tregti dhe një pjesë të madhe të produkteve për nevojat e konsumit final ne i importojmë dhe patjetër që ato kanë ndikime. Po ta krahasojmë apo ta marrim mesataren e vitit 2020, atëherë vërejmë që indeksi i rritjes së çmimit me muajin gusht të këtij viti është rritur me 23.1 për qind. Kryesisht është ushqimi që ka pasur më shumë rritje, por të gjitha së bashku kanë pasur lëvizje deri në 23 për qind”, tha ai.
Prej ushqimeve bazike, gjatë kësaj periudhe, yndyrat dhe vajrat kanë pësuar më së shumti rritje të çmimit, deri afro 70 për qind.
“Prej vitit 2020 vërehet se ngritje më të mëdha kanë vajrat dhe yndyrat diku me 67.1 për qind. Ndërsa janë buka dhe drithërat me 46.1 për qind. Pastaj sheqeri, reçeli, mjalti dhe çokollata etj. me 39.8 për qind. Vezët, qumështi dhe deri te më të fundit, frutat dhe perimet, që kanë shënuar rritje”, tha Berisha.
Sipas kryetarit të shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, shkalla e inflacionit është e lartë. Sipas tij, produktet që deri tani janë blerë më 100 euro, sot blihen me 300.
“Shkalla e inflacionit për ne si qytetarë-konsumatorë nuk është më 1.4 për qind, është 14 për qind minimumi dhe nëse ne kemi një pension prej 100 eurosh dhe na mungojnë 14 euro, pensioni na bie në 86 euro dhe çdo vit bie. Do të thotë ajo që ne kemi mundur të blejmë me 100 euro tani e blejmë me 300 euro”, tha ai.
Problemet për rritjen e këtyre çmimeve sipas Kacanikut janë të brendshme.
“Është tregu botëror, por kemi edhe probleme të brendshme. Nuk më pëlqen kur pushteti e arsyeton me probleme të jashtme. Ne kemi shumë përgjegjësi me procesin e privatizimit. Ne sot nuk i kemi disa prodhime themelore që i kemi pasur përpara, i kemi prodhuar vetë dhe më nuk i prodhojmë, por i importojmë. Të mos harrojmë që me import ne importojmë edhe inflacionin. Ne nuk kemi strategji të zhvillimit ekonomik, pa strategji ne nuk kemi perspektivë, ne zbatueshmërinë e ligjeve akoma e kemi nën 40 për qind. Ne me Qeverinë komunikojmë vetëm me zhurma. Ne jemi ata që e ushqejmë shtetin dhe asnjë parti nuk na ka njohur që nga ’99-a. E derisa ata nuk ka njohin, ne do t’i kemi punët kështu siç i kemi”, tha Kaçaniku.
Sipas tij, konsumatori duhet të kërkojë llogari nga pushteti dhe nga partitë politike.
“Qytetari - konsumator jemi në një distancë reale që e kemi krijuar me pushtetin dhe me partitë politike dhe me vetveten tonë. Ankesat i bëjmë në adresë të gabuar. Meqë kjo s’ka ndodhur ne duhet të bëjmë ankesa te partitë politike. Pasiviteti karshi partive politike ne na ka sjellë këtu. Partitë marrin nga ne dhe harrojnë se ne jemi familjarë të tyre dhe sovrani që e kemi formuar shtetin. Ndërsa këta sillen thuajse janë jashtë nesh. Nuk bën qeverisja kështu. Të gjitha qeveritë është dashur të bëjnë politika për kënaqjen e qytetarëve”, tha ai.
Përderisa Qeveria nuk po ndërmerr asnjë hap në lidhje me ngritjen e çmimeve ushqimore, janë qytetarët ata që po përballen çdo ditë me këto vështirësi.