Bletët tashmë kanë dhënë produktin e punës së tyre për këtë vit. Por sivjet bletarët po ankohen se ka më pak rendiment. Ndryshimet e kushteve klimatike, janë arsyeja pse sivjet ka më pak mjaltë në Kosovë
Pas mjaltit që dhanë sivjet, bletët e bletarit Bajram Bajrami, tashmë janë vendosur në gjumë të thellë.
Janë këto kosheret e bletarit nga Kamenica, të cilat i ka vendosur afër pikëkalimit kufitar “Dheu i Bardhë”.
Ai mban bletë edhe në 11 lokacione të tjera brenda këtij qyteti, të vendosura në lartësi të ndryshme mbidetare, prej 400 deri në 1100 metra.
Bajrami tashmë i ka bërë gati për dimër dhe po pret që në pranverë të dalin shumë më mirë.
“Tash këto janë mbledhur në lëmshin dimëror, janë bletë të përgatitura shumë mirë për dimër. Besojmë që do ta kalojmë shumë mirë dimrin. I kemi vendosur këta shirita acid osalik dhe i japim ndonjë pogaçe nëse ka nevojë dhe e bëjmë trajtimin me acid osalik. Këto janë bletë me një gjenetikë tjetër në krahasim me bletët e Kosovës sepse këtu janë bletë bukëfast dhe këto janë bletë shumë më produktive dhe më të urta dhe e kalojnë dimrin më mirë dhe dalin shumë më mirë në pranverë. Nuk rritet numri i tyre që është një plus i madh për neve bletarëve që kemi shumë bletë se përndryshe ish dashtë të angazhojmë fuqi të madhe punëtore. Thjeshtë kam bërë diçka që shtetet tjera e bëjnë”, tregon Bajrami.
Mjalti i malit, është ai që dominon, e për të cilin Bajrami thotë se është shumë i shëndetshëm.
“Kryesisht tek ne dominon mjalti i malit, mënja, është njëra ndër mjaltet më të mira, më cilësore ka lëndë 9 herë më shumë minerale sesa mjaltë e tjera. Ka ngjyrë të zezë, është e shijshme, shumë e mirë për organizimin e njerëzve por që është e papërshtatshme për bletët. Prandaj duhet pas kujdes që gjatë dimrit të mos e lëmë vetëm me këtë mjaltë por të kemi edhe mjaltë të blirit dhe të bagremit”, thotë Bajrami.
Për Bajramin gjithë ky biznes nisi me një bletë, për tani ka arritur me qindra sosh.
“Me një bletë kemi filluar, por pas luftës, lufta ka sjellë telashe dhe pas luftës kam pas 22 bletë dhe tani mund të jenë rreth 770-80 copë bletë sepse është e vështirë të dihet tani se janë në kohë të gjumit, por është dashur shumë investim. Jam i lidhur shpirtërisht sepse pjesën më të mirë të jetës sime ja kam kushtuar atyre. Ka munguar njohuria profesionale, ka munguar investimi, ka qenë e vështirë e sot i kemi të gjitha, mirëpo sot klima na sjellë telashe të mëdha dhe nuk e kemi në plan të largohemi nga kjo punë”, tregon Bajrami.
Më shumë bletë, por rendiment thotë se ka më pak. Kushtet klimatike po ndikojnë në këtë gjë.
“Kemi pasur vit që i kemi quar në Prizren dhe e kanë shfrytëzuar kullosën e bagremit dhe këtu të tjerat dhe kanë pas rendiment deri në 50 kilogram një koshere. Ndërsa tani ka shumë më pak. Bletët që i shtegtojmë shkojnë deri në 20 kilogram koshere, ndërsa këto statike që nuk i lëvizim ndër 10 kilogram ndoshta. Të gjitha këto bletë nuk i përdorim për mjaltë. Një pjesë të tyre na nevojitet për mbretëreshën, një pjesë na vyen për qumësht, për ndarje të tjera, një pjesë e shfrytëzojmë edhe për helmin e bletës”, thekson Bajrami.
Përveç mjaltit dhe produkteve të tjera, bletari nga Kamenica thotë se është i vetmi që nxjerr helmin e bletës, e i cili është shumë i kushtueshëm.
“Ne i nxjerrim të gjitha produktet e bletës, prej mjaltës që shumica e bletarëve janë të fokusuar në këtë produkt të bletës, ne e nxjerrim edhe polenin, edhe propolisin, edhe qumështin dhe helmin e bletës që mund të them se jam ndër i vetmi në Kosovë që e bëj vjeljen e këtij produkti që është shumë i kërkuar dhe shumë i kushtueshëm dhe shumë profitabil për bletarin. Sillet rreth 70 mijë euro për kilogram. Nuk është e zorshme por problemi qëndron se shteti nuk ka investua në aftësimin profesional të bletarëve për të nxjerrë kuadro, përveç subvencionimeve që jemi shumë të kënaqur. Por duhen më shumë kuadro që mund të nxjerrin edhe këto produktet tjera dhe fokusohen vetëm në produktin e bletës e në fund nuk ndahen të kënaqur”, deklaron Bajrami.
Megjithëse shumë i kërkuar, ka mungesë të qumështit të bletës, e njëra ndër arsyet është edhe mungesa e punëtorëve.
“Qumësht origjinal kërkohet shumë por ne nuk mund t’i plotësojmë të gjitha kërkesat sepse nuk kemi kapacitet. Është një sezone shumë i shkurtë dhe gjatë asaj kohe duhet t’i shfrytëzojmë bletët për të gjitha produktet dhe fuqia punëtore mungon. Fatkeqësisht mund të themi se ndoshta jemi gjenerata e fundit e bletarëve. Janë të papërgatitur fizikisht dhe psiqikisht”, thekson Bajrami.
Temperaturat e larta sivjet kanë ndikuar në rendiment më të ulët edhe në kulturat e tjera bujqësore.