Zotërimi i gjuhëve të huaja në ditët e sotme është një aftësi e domosdoshme në shumë vende.
Por, kështu nuk ka qenë në Kosovë shumë vjet më parë. Si pasojë e historisë dhe marrëdhënieve kulturore ndër shekuj, përdorimi i gjuhës turke në të kaluarën ka qenë pjesë e pandashme e komunikimit nga qytetarët, përfshirë ata nga Prishtina, Prizreni dhe qytete të tjera.
Megjithatë, ndryshimet në shoqëri dhe ndikimet e globalizimit kanë sjellë një kalim gradual nga turqishtja në gjuhën angleze, që sot është gjuha më e folur në botë.
Rrahman Paçarizi, gjuhëtar dhe profesor universitar, thotë se turqishtja ishte përdorur edhe për të krijuar distancë sociale.
“Gjuha turke te ne ka ardhur si gjuhë e administratës së Perandorisë Osmane. Pastaj një pjesë e popullatës për të krijuar distancën sociale e kanë përdorur gjuhën, e cila ka qenë më prestigjioze për ta zhvilluar karrierën dhe punën etj. Kjo gjuhë ka mbetur për një pjesë të popullatës me origjinë shqiptare, si gjuhë e komunikimit. Gjithnjë duke bërë përpjekje duke e realizuar distancën sociale dhe për të ruajtur statusin social në shoqëri dhe për t’u paraqitur si qytetar, duke e bërë diferencën me të tjerët e ardhur nga vendet e tjera. Pas Luftës së Dytë Botërore, Prishtina si kryeqytet është vërshuar nga të ardhurit, për shkak të jetës administrative, ekonomike, universitare, jeta kulturore etj. Pra rrjedhimisht Prishtina i ka thithur njerëzit nga anë të ndryshme të Kosovës. Pjesë që e kanë ruajtur gjuhën turke si gjuhë të komunikimit e kanë ruajtur më shumë për status social. Ndërsa në Prizren situata është më ndryshe pasi që atje mund të ketë një popullatë turke, por edhe në Prizren gjuha turke e ka luajtur rolin e ngjashëm sikurse Prishtina”, ka deklaruar Paçarizi.
Përdorimi i gjuhës turke, sipas Paçarizit, ka lënë disa pasoja në të folurit e gjuhës shqipe. Të njëjtin mendim nuk e ka për pasojat e anglishtes.
“Turqishtja pa dyshim që ka lënë pasojë në gjuhën shqipe, sepse gjuha shqipe ka shumë huazime nga turqishtja. Këto huazime janë më shumë të periudhës së Perandorisë Osmane. Ndërsa gjuha turke që është folur në disa qytete të Kosovës nuk e ka pasur as prestigjin dhe nuk ka pasur as fuqi për të ushtruar ndikim ndaj gjuhës shqipe. Kodi gjuhësor që e zgjedhin fëmijët nuk është e trashëguar gjenetikisht, por varet nga ekspozimi i njërës gjuhë, këtë rast anglishte. Shpeshherë bëhet pyetje nëse është e dëmshme kjo. Unë nuk mendoj që është e dëmshme, përkundrazi mendoj se është shumë e dobishme. Këta fëmijë rriten si ‘peleng’ të mirëfilltë, kanë kompetenca të larta në anglishte dhe shqipe. Prindërit nuk kanë nevojë të shqetësohen shumë pasi që këta fëmijë në momentin që sigurojnë qasje në institucionet shkollore, ata fëmijë i ekspozohen gjuhës shqipe dhe e mësojnë gjuhën si gjuhë të parë brenda kohës së moshës”, ka theksuar Paçarizi.
Me prejardhje nga Mramori, Hilmi Gashi jeton në Prishtinë me familje që nga viti 1970. Ai rrëfen se në familjen e tij të ngushtë kanë komunikuar në gjuhën turke, por pa e anashkaluar shqipen.
“Familja jem bashkë me 7 familje të tjera, unë kam qenë shumë i vogël në vitin 1963, janë shpërngulur në Beograd, pastaj në Shkup dhe pastaj në Turqi. E kam pasur një motër të martuar në një familje në Prishtinë, lagjen “4 Llullat”. Gjatë vitit 1957 motra e ka mësuar gjuhën turke dhe ka komunikuar vetëm turqisht me familjen e burrit. Gjuha turke atë kohë ka qenë vetëm çështje politike. Si familje nuk na kanë penguar fjalët turke. Dhe i kemi kuptuar çfarë po flitet. Dikush më pak e dikush më shumë. Në vitin 1964 kam filluar klasën e parë, ku dhe kemi mësuar shqip”, ka theksuar Gashi.
Ish-profesori i financave, Sabri Kadriu, përmend se të folurit në turqisht kohë më parë ka qenë e imponuar, ndërsa gjuha angleze është ndikim i teknologjisë në përgjithësi.
“Unë edhe kur isha në nivelet më të larta në shtetet e tjera, kolegëve të mi edhe në Zagreb, edhe në Beograd, ju kam thënë mësoni gjuhën shqipe, sepse në Ballkan do të jetë me rëndësi. E para gjuha shqipe e pastaj gjuha angleze. Nga këndvështrimi historik ishte dikur gjuha turke shumë e përdorur, serbishtja, rusishtja e frëngjishtja. Tash është gjuhë e përdorur edhe anglishtja. Për perspektivën unë e shoh në bazë të zhvillimeve ekonomiko-social dhe shkencës dhe teknologjisë, e cila edhe mëson, edhe kushtëzon”, ka theksuar Kadriu. “Çështja e përdorimit të një gjuhe gjithmonë ka qenë e kushtëzuar me ndërtimin institucional shtetëror. Dikur turk, dikur serbë. Tash e drejtë e çdokujt është me folë gjuhën, por ndikimi i gjuhës turke nuk është sikurse ka qenë më herët. Njëjtë as i gjuhës serbe, ruse apo edhe angleze. Me ditë gjuhën angleze është me rëndësi shkenca, inovacioni e teknologjia lidhen me këtë gjuhë. Mirë është që fëmijët tanë me ditë këtë gjuhë, por gjuha shqipe duhet me qenë kryesore. Sepse nga gjuha është edukata dhe trashëgimia mijëravjeçare familjare”, ka shtuar ai.
Qytetari Januz Dautaj thekson rëndësinë e gjuhës shqipe dhe e vlerëson si një prej gjuhëve më të rëndësishme që fliten në Kosovë.
“Në Prishtinë jam prej vitit 1970. Prejardhjen e kam nga Strellci i Deçanit. Me gjuhën turke asgjë asnjëherë nuk më ka lidhur as në kohërat më herët e as tash. Në kohën time kur jam shkolluar gjuhën angleze nuk e kem pasur, e kem pasur mjerisht gjuhën ruse. Prej gjuhëve të huaja jam shumë i dobët. Vetëm gjuhën shqipe e di edhe atë nuk jam i sigurt që e di mirë. Ja kam tërhequr vërejtjen djalit tim, i kam thënë flisni me fëmijët shqip, se keq i kem punët me gjuhë”, ka theksuar Dautaj.
Anglishtja renditet si gjuha më e folur në mbarë botën, me rreth 1.5 miliardë folës amtarë dhe joamtarë.