Në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës ende mbahen të forta themelet e shtëpisë e cila është e vetmja në fshat, që i mbijetoi luftës së fundit në Kosovë.
Ajo ka 6 dekada që kur u ndërtua, e brenda saj po ruhen mbi 100 artefakte të ndryshme të cilat pasqyrojnë mënyrën e jetesës së paraardhësve tanë.
Familja Ymeri nga Brodi shtëpinë e shndërroi në muze për një qëllim të caktuar. Donin që nxënësit e këtij rajoni të kenë afër një muze të cilin do të mund ta vizitonin për t’u njohur nga afër me zakonet dhe traditën shqiptare.
Eksponati më i veçantë që ruhet në këtë muze është ai që njihet si “numrat rabush” për funksionin e të cilit tregon Sadik Ymeri.
Çdo gjë të vjetër që pati familja Ymeri e vuri brenda muzeut.
Aparate filmike, faqe gazetash të vendit e të huaja që shkruanin për Kosovën, e fotografi të shkrepura në fshatin Brod me histori e objekte që tashmë nuk ekzistojnë, janë disa eksponate që nxënësit mund t’i shohin në këtë vend.
Familja Ymeri ka dashur që Muzeu i Brodit të jetë një institucion i mbrojtur nga shteti, porse kërkesa e tyre ende nuk është marrë parasysh nga Ministria e Kulturës.
Të gjitha eksponatet bashkangjitur kanë detajet e origjinës dhe funksionin që kryenin në kohën kur ishin të përdorura.
Në mënyrë që secila informatë të ruhet, familja Ymeri është kujdesur që të krijojë një libër me informata që, po ashtu, tregon me fotografi e shkrim secilin detaj për artefaktet ekzistuese aty.