Mramori është fshat kodrinoro-malor i Prishtinës. Përveç banorëve të përhershëm, për shkak të pozitës gjeografike dhe ajrit të pastër, ai po shihet si një mundësi e mirë për shumë qytetarë për të kaluar vikendet. Në këtë mënyrë, banorët e Mramorit thonë se atje po ndërtohen çdo ditë e më shumë vila.
Mramori është fshat i cili gjendet në lindje të Prishtinës e në të cilin jetojnë mbi një mijë familje.
Për shkak se rrethohet nga malet, ai karakterizohet për ajrin e pastër që e ka.
Si fshat jo i largët nga qendra e qytetit, numri i banorëve nuk është tkurrur shumë.
Banori Mehmet Gashi thotë se nga fshati i tyre nuk janë larguar edhe shumë banorë.
Por, interesim për këtë fshat po ka nga shumë qytetarë të tjerë të cilët po blejnë toka atje për ndërtimin e vilave.
“Përpara ka pasur më shumë, por edhe tash ka boll se prej Mramorit nuk janë shpërngulur shumë. Po vijnë edhe të rinj, po blejnë toka afër këtu dhe tani po ndërtojnë edhe vila”, tha Gashi.
Ajri i pastër është ai që Mehmet Gashin e ka shtyrë të mos e ndërrojë vendin e tij të lindjes.
“Ajri te ne është shumë i mirë. Zhurma s’kemi, pluhur jo, ajri po më mban mu. Unë ju kisha thënë të rinjve të mos dalin por e kanë marrë atë rrugë e s’po ndalen. Mua falë me ma dhënë një banesë në Prishtinë apo diku në qytet nuk shkoj. Ajri është ndryshe, kallaballëku, zhurma ajo e këto janë ndryshe, nuk mundem t’i përballoj. Këtu është qetë, kaloj më mirë shumë, punoj nga pak e humbi kohën”, tha Gashi.
Në përgjithësi, Gashi thotë se në këtë fshat banorët janë marrë me bujqësi, gjë të cilën, sipas tij, tani nuk po e preferojnë edhe të rinjtë.
“Kush do të punojë jetesa është e mirë. Nga pak tokë e bujqësi. E punojnë tokën, jo shumë por nga pak po. Të rinjtë nuk e donë shatin. Unë për veti i mbjelli të gjitha e i kam të mijat. I kam 75 vjeç dhe punojë. Lodhem po ulem e pushoj sa herë kam nevojë”, tha ai.
Kryetari i bashkësisë lokale në Mramor, Bahri Gashi, thotë se përveç banorëve që jetojnë aty, fshati po shfrytëzohet nga shumë qytetarë për të kaluar vikendet.
“Është fshat i Komunës së Prishtinës e të them që është vend më i miri për shkak se jam prej këtu. Është vend kodrinoro-malor. Fshat piktoresk, ka gjelbërim shumë gjatë pranverë e verës se tash dimrit po dihet më e ftohtë koha. I ka 1300-400 banorë. Ka të përhershëm ka edhe prej tyre që po ndërtojnë vila vetëm për vikend. Ka edhe prej atyre që nuk janë të Mramorit por po blejnë këtu toka dje po ndërtojnë”, tha Bahri Gashi.
Përkundër investimeve nga komuna, ky fshat nuk furnizohet me ujë nga ujësjellësi “Prishtina”.
“Investime ka bërë komuna, kanalizim e ndriçim po, por ujësjellësin se kemi. Verës po e kemi problem shumë se duhet të i thërrasim çdo herë për t’i mbush puset. Është e vështirë se për pijë duhet të shkojmë në fshatin Marec, me bidona. Jemi 2-3 lagje që kanë problem sidomos gjatë verës kur është thatësi e madhe”, tha ai.
Gjatë stinës së pranverës dhe verës ky fshat merr një pamje piktoreske.