Ka ardhur në vendin ku ka filluar gjithçka. Në moshën pesëvjeçare, Mirsim Topanica nga Podujeva nuk e kishte idenë se pasioni i tij për peshkimin do të kthehej në punë.
Pikërisht në liqenin e Batllavës, ku ka qenë i pranishëm gati çdo ditë gjatë këtyre 35 vjetëve, ai rrëfen dëshirën e tij të thellë për peshkimin.
Ai thotë se ky pasion është trashëguar nga paraardhësit e tij, të cilët gjithashtu kanë peshkuar në këtë liqen.
“Me peshkim jam marrë qysh prej moshës së hershme të fëmijërisë, e kam pasur traditë prej babit dhe prej gjyshit tim. Duke e pasur parasysh kohën dhe vullnetin e madh për peshkim për shumimin dhe ruajtjen e peshkut, unë jam angazhuar edhe në shoqatë që nga viti 2005 dhe në 2007 jam zgjedhur edhe si kryetar i shoqatës deri në vitin 2015 prej kur edhe kemi pauzuar pak mirëpo jemi rikthyer në vitin 2022, jam zgjedhur prape në Llap si kryetar i shoqatës dhe që nga atëherë jam angazhuar për ruajtjen e peshkut këtu në liqenin e Batllavës”, thekson Topanica.
Ai shprehet se parandalimi i peshkimit ilegal ka qenë një sfidë e madhe, duke theksuar se ka pasur raste kur është kërcënuar edhe me armë zjarri.
“Peshkimi nuk është i vështirë sepse bëhet me shumë dëshirë. Mirëpo problematike ka qenë ruajtja e peshkut sepse kushtet nuk kanë qenë të mira në fillim, me kohën kanë ardhur duke u vetëdijesuar edhe qytetarët e po ashtu na ka ndihmuar edhe policia dhe në këtë mënyrë ka ardhur gjithçka në vendin e vet. Kemi pasur shumë vështirësi me të cilat jemi përballur, përveç kërcënimeve verbale kemi pasur edhe të tilla me armë zjarri, por falë PK, është ndaluar çdo dukuri negative në këto pjesë”, deklaron Topanica.
Puna bëhet më e lehtë kur ka bashkëpunim të mirë, si ai mes shoqatës “Llapi” dhe shoqatës “Krapi”, të cilat mbrojnë liqenet në territorin e Prishtinës dhe më gjerë.
“Më së shumti peshkimi ilegal në këto zona është bërë me rrjeta dhe me gjeneratorë. Tani mund të them që këto dukuri negative janë larguar dhe prej kur kemi filluar ne që nga viti 2021-2022 ne kemi filluar që t’i peshkëzojmë liqenet e po ashtu edhe duke i mbrojtur në masë të madhe ka filluar që të kemi një sasi më të mirë të peshkut në liqenet e Kosovës. Ne kemi rojet tona lokale që bashkëpunojnë edhe me shoqatën e peshkimit “Llapi”, në Podujevë dhe kur shohim se ka peshkim ilegal mobilizohemi te dy shoqatat dhe e kryejmë punën tonë normalisht së bashku me Policinë e Kosovës”, thekson Ali Vitija, kryetar i shoqatës “Krapi”.
Ai gjithashtu shprehet se, krahasuar me vitet e kaluara, kur peshkimi ilegal ishte një problem i madh, gjendja ka përmirësime të dukshme viteve të fundit.
“Unë merrem me aktivitete të peshkimit që nga viti 2000 dhe tërë kohën që atëherë e kam përcjellë gjatë gjithë kohën peshkimin në Kosovë. Duke e bërë këtë përcjellje dhe të gjitha aktivitetet mund të them që ndër vite gjendja e peshkimit në Kosovë ka qenë e mjerueshme, mirëpo këto vitet e fundit nëse e krahasojmë është ardhur duke u përmirësuar. Pra në vitin 2024 dhe 2025 mundem me thanë që jemi në nivel shumë të mirë dhe kësisoj është parandaluar në masë të madhe peshkimi ilegal në liqenet tona”, deklaron Vitija.
Këto dy shoqata, por edhe të tjera, angazhohen çdo pranverë për të hedhur peshq të rinj në liqene, me qëllim që ujërat e Kosovës të pasurohen me këto gjallesa.