Ka dy vjet që për herë të parë në Kosovë ishte hapur një minibibliotekë me libra në gjuhën rome.
Minibiblioteka rome në Prizren kishte qenë iniciativë e mësimdhënëses së kësaj gjuhe, Urma Menekshe, e cila deri më tani me ndihmën e Ministrisë së Kulturës e po ashtu të autorëve vendës e të huaj ka arritur të grumbullojë afro 400 tituj të shkruar dhe përkthyer në gjuhën rome.
Mësimdhënësja thotë se minibiblioteka është një shtyllë për komunitetin rom në Prizren.
Poezitë e Kujtim Paçakut mbesin të preferuarat e lexuesve, por edhe përmbledhja e gojëdhënave dhe e përrallave nga mësimdhënësja është libri i ri që po pëlqehet mjaft shumë nga masa.
Shyret Hoxhaj është një nga lexueset e rregullta të kësaj minibiblioteke.
Gjuha rome për të kishte qenë e njohur, por me anë të librave e përvetësoi më shumë.
Pos gjuhës shqipe, edhe ajo rome është tejet e vështirë për ta mësuar, thotë Hoxhaj, por njohja e saj, sipas saj, është pasuri.
Minibiblioteka në Prizren, pos qëllimit kryesor që ka në grumbullimin e titujve të tjerë në gjuhën rome, për qëllim ka të ndihmojë edhe komunat e tjera.
Deri tash kanë shpërndarë libra në 4 vendbanime tjera. E në Qeverinë e Kosovës, po ashtu, është i ndarë një kënd me libra që flasin për historinë e gjuhën rome.