Janë bërë pothuajse dy vjet qëkur pandemia ndryshoi mënyrën e jetës kudo në botë, rrjedhimisht duke ndikuar edhe në procesin normal të çdo lloj aktiviteti.
Ndikim të tillë ka pasur edhe në proceset mësimore, disa herë ato u zhvilluan online dhe u kthyen fizikisht, por me masa.
Edhe ky vit i ri shkollor nisi ngjashëm, gati një muaj me vonesë, më 27 shtator nxënësit iu kthyen bankave shkollore.
Megjithëse pati vonesa në kthimin e mësimit fizik në shkolla, ashtu po vazhdon edhe tani, porse me një problem tjetër.
Mungesa e furnizimit me libra shkollorë tani po i lë prapa nxënësit me mësime.
Ngjashëm i ka ndodhur edhe Triumf Emerllahut, i cili sivjet vijon klasën e 6-të në shkollën fillore “Faik Konica”.
Ai thotë se tani po i duhet ta plotësojë çantën me librat e tjerë, të cilët janë jo pak të kushtueshëm për familjen e tij.
Edhe pse fizikisht nxënësit janë të pranishëm në klasë, megjithatë Demi thotë se mungesa e librave e vazhdon përsëri pengesën në mbarëvajtjen e mësimeve.
E kur përmendet kostoja e tyre, patjetër se prindërit janë ata të cilëve xhepi u preket.
Në këtë situatë të pandemisë edhe shtimi i blerjes së librave është shumë i vështirë për ta.
Në lidhje me mungesën e librave ka reaguar edhe vetë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke ua lënë fajin drejtorive të Arsimit nëpër komunat e Kosovës.
“Pas pranimit të shqetësimeve nga ana e prindërve dhe njoftimeve nga disa mësimdhënës, kam dërguar disa komisione që të bëjnë vizita në shkolla për t’u siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nga DKA-të është realizuar në bazë të kërkesave të parapara. Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jokompetentë (punëtorë teknikë)”, ka shkruar Nagavci në rrjete sociale.
E ndërsa shtëpitë botuese po thonë se nga ana e tyre të gjitha porositë që janë bërë nga ana e MAShT-it janë kryer me kohë dhe se për shpërndarjen e tyre përgjegjës janë DKA-të dhe Ministria e Arsimit.
“Ne si shtëpi botuese u kemi qëndruar me përpikëri porosive zyrtare nga ana Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Të gjithë librat i kemi çuar me kohë dhe nuk kemi pasur asnjë problem gjatë procesit të shpërndarjes në DKA. Sqarimet për paqartësi duhet të kërkohen te Ministria apo DKA-të”, ka thënë menaxheri dhe përgjegjësi në sektorin e menaxhimit nga shtëpia botuese “Albas”, Fatlum Hetemi.
Para se të fillonte viti i ri shkollor, MAShT-i kishte njoftuar se që nga klasa e parë e deri në të nëntën të gjitha tekstet shkollore do të shpërndaheshin falas, mirëpo një gjë e tillë ende nuk është zbatuar, ndërsa prindërit e nxënësit janë në pritje të tyre, mirëpo disa veçse kanë filluar t’i sigurojnë ato me shpenzimet vetjake të tyre.