Pas orëve mësimore, nxënësit e shkollës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë shpesh mblidhen në sallën sportive të shkollës, ku mësojnë shigjetari, të udhëhequr nga mësimdhënësi Fadil Krasniqi.
Ndonëse është mësimdhënës i lëndës së teknologjisë, Krasniqi krijoi klubin e shigjetarisë në shkollë për t’ua mësuar nxënësve këtë sport dhe për t’i relaksuar pas orëve të mësimit.
“Nxënës tash po e bëj një demonstrim si mbushet harku dhe si bëhet nivelizimi i shkrepjes dhe shkrepja. Fillimisht harkun e vendosim në këmbën e majtë. Këmbët vendosen në gjerësinë e kraharorit. Në harqet e shigjetave që ne i përdorim këtu në shkollë e kemi një sustë që tregon se këto pajisje i përdorin shigjetarët me përvojë. Por për fillestarët gjithnjë funksionon pa këtë lloj detaji”, thotë Krasniqi.
Në sallën sportive të shkollës këta nxënës zhvillojnë shumë sporte, por prej kohësh në preferencat e tyre është shigjetaria.
“Edhe pse klubit të shigjetarisë këtu në shkollë i jam bashkuar tash së fundi, po më pëlqen shumë si sport. Momentalisht jam duke i marrë instruksionet e para me ndihmën e arsimtarit. Edhe pse kemi sporte tjera që i zhvillojnë në kuadër të lëndës edukatë fizike, mund të them se për mua shigjetaria është sporti më atraktiv”, thekson nxënësi Nahar Rrmoku.
Arbes Isufi është një nga nxënësit e rregullt në këtë sport.
Shigjetaria thotë se e relakson dhe i ndihmon të përqendrohet vetëm në gjuajtje, larg ngarkesave ditore.
“Me shigjetari kam filluar tash e 1 vit. Falë arsimtarit që e ka krijuar klubin për ne, shigjetaria me fillim nisi të më pëlqente, prandaj po e vazhdoj. Për mua ky sport është tejet relaksues. Sa herë që jam në gjuajtje të shigjetës krejt fokusin e kam te tabela dhe nuk mendoi asgjë tjetër”, deklaron Isufi.
Mësimdhënësi Krasniqi tregon se interesimi i nxënësve për shigjetarinë ka bërë që shkolla të jetë edhe garuese në këtë sport.
“Në kuadër të shkollës, këta nxënës që po i shohim tani janë tejet të përkushtuar ndaj këtij sporti. Madje në mesin e tyre kemi garues shumë të mirë e nxënës të mirë gjithashtu. Stërvitjet më shpesh i bëjmë kur jemi afër garave, por qëllimi im është sa më të shpeshta t’i kemi ato, sepse shoh potencial te këta fëmijë që mund të jenë të zot në këtë sport atraktiv”, thotë Krasniqi.
Mësimdhënësi Krasniqi edhe pse jashtë lëndës së tij, thotë se instruksionet si sportist i shigjetarisë i jep falas e për rekreacion te nxënësit e interesuar për këtë sport.