SOT

Merita, gruaja që u kthye nga Suedia dhe po kujdeset për 30 mace

Jetoi për më shumë se një dekadë në Suedi, e me kthimin e saj në Kosovë, Merita Krasniqi vendosi që të hapë dyert dhe shtëpia e saj të jetë strehë për macet e rrugës.

Tani oborri dhe dhomat janë vend argëtimit për macet, me të cilat ajo ka krijuar lidhje të veçantë.

“Jam rritur me qenë e mace, madje edhe në Suedi kam pasur mace. Në vitin 2019 u ktheva, duke e pa vendin në Kosovë që kafshët po keqtrajtohen në rrugë dhe nuk ka strehimore për to e kam marr këtë iniciativë për një jetë më të mirë. Në Suedi çuditen me neve që nuk i duam kafshët, atje ta imponon rrethi dhe shoqëria që ta mbash një kafshë në shtëpi. Ligjet janë të ashpra ndaj njerëzve që i keqtrajtojnë kafshët, nuk guxon t’i lësh ato vetë 6 orë, me iu anku atyre për veprimet e maceve dhe qenve ata çuditen me reagimin tënd”, thotë Merita.

Ajo thotë se qysh e vogël ishte rritur e rrethuar nga kafshët, e dashurinë më të madhe e kishte ndaj maceve.

“Macet dikur i kemi mbajt brenda në shtëpi, e qentë jashtë por asnjëherë në mot të ftohtë. Më kujtohet gjyshja ime se si kujdesej për ta që të mos kenë të ftohtë dhe i kemi mbajt brenda për shkak kohës, por me i lënë qentë dhe macet bashkë është e vështirë, të dyja i dua, por macet i kam pikë të dobët”, thotë ajo.

Merita me bashkëshortin dhe djalin e saj pjesën më të madhe e kalojnë pranë shoqërisë të rreth 30 maceve të tyre.

Secila e ka emrin e vet.

“Unë jetoj me burrin dhe djalin, i kemi afro 30 mace, dikur kanë qenë më shumë, disa janë adaptuar, disa kanë ngordh, disa kanë ikë. Emrat ua lë duke marrë ide edhe nga të tjerët, por më shumë unë vendosi për to”, tregon Merita.

Gingeri dhe Skipi janë dy maçokët që ia kanë marrë Meritës zemrës e nga të cilët nuk do të ndahej kurrë.

“Pablo nuk më do fare, më do vetëm kur duhet t’i jap me ngrënë, e ndërsa raportet më të mira i kam me Gingerin dhe Skipin, i dua shumë, ata janë të sëmurë dhe duan kujdes më të veçantë’, shton Merita.

Dëshira e saj është që ligjet që garantojnë mbrojtje të kafshëve të kenë zbatueshmëri më të madhe. Kërkon që institucionet të kujdesen më shumë, sepse aktualisht puna më e madhe bëhet nga dashamirët e maceve.

“Institucionet nuk kanë ndihmuar aspak, ne si strehimore kemi nevojë për përkrahje sepse unë jetoj në këtë shtëpi me qira dhe nuk kam mundësi me i mbajt më pastaj që të gjitha. Dua ta kem një strehimore sikurse në Suedi me ato kushte për macet, më duhet një truall nga komuna për hapësirë dhe dalëngadalë ta ndërtoj strehimoren”, thotë ajo.

Pavarësisht shtetit, Merita zotohet se shtëpia e saj do të jetë gjithmonë e hapur për macet.

“Po të mbes pa mace me siguri më duhet të shtrihem në spital psikiatrik, nuk mundem dot pa to. Jam mësuar me to dhe do mundohem gjithmonë të përkujdesem për qenë dhe mace edhe nëse nuk do t’i kem kushtet, por kështu do t’i mbaj”, shton në fund Merita.

Iniciativa e mirë e Meritës ka bërë që të hapet një organizatë joqeveritare, e cila nuk është e udhëhequr nga ajo, porse ka synim mbrojtjen e maceve, kujdesin dhe strehimin e tyre.