Të shtunën ka arritur në vendlindjen e tij mërgimtari nga Gjermania, Arbert Lubeniqi, i cili më 13 maj mori rrugë me biçikletë dhe për 15 ditë të udhëtimit ai arriti në Istog, ku u takua më familjarë e miq, për secilin km të kaluar ai ka shtuar 1 euro dhe më të hollat i ka ndihmuar fëmijët kosovarë, ekipi ynë ka qenë të shtunën në Istog, ku e ka pritur mërgimtarin i cili erdhi me biçikletën e tij.
Deri te Komuna e Istogut i ka kaluar 1850 km, por i kanë mbetur edhe 7 km të tjerë deri sa të takohet me nënën e tij.
Bashkatdhetari nga Gjermania, Arbert Lubeniqi më 13 maj mori rrugë me biçikletë për të ardhur në fshatin e lindjes, në Tomoc. Këtë iniciativë e mori me qëllim humanitar, ku për çdo kilometër të kaluar do të dhuronte 1 euro për t’i ndihmuar fëmijët kosovarë.
Për 15 ditët e kaluara vetëm në rrugët e 5 shteteve thotë se lodhjen nuk e ka ndier fare dhe se në mendje e kishte vetëm ditën e arritjes në vendlindje.
Me biçikletën Riese&Müller, Arberti kaloi vende të shumta e me kushte të ndryshme atmosferike, deri të shtunën që e solli në Istog.
Një iniciativë e tillë po shënohet për herë të parë në Istog, e një pritje ceremoniale nga kryetari i kësaj komune nuk do të mungonte.
Familjarë, miq e qytetarë të tjerë të Istogut mezi kishin pritur ardhjen e tij, por gjatë tërë kësaj kohe të udhëtimit nëna Hatixhe derisa takoi mërgimtarin kishte qenë më e shqetësuara dhe se kishte insistuar të mos niset i vetëm.
Që nga viti 1994, kur mori rrugën për herë të parë në Gjermani, Arberti thotë se nëna brengosur sa herë që merr rrugën për vendlindje, por kjo me biçikletë kishte qenë e pazakontë.
Mërgimtari shpreson se do të ketë edhe herë të tjera për ta përsëritur të njëjtën mënyrë udhëtimi.
Me arritjen e mërgimtarit, Arbert Lubeniqi në Istog kishin arritur të mblidheshin 3400 euro për shoqatën e Sos Fshatit, 3000 euro për Handikos në Istog dhe 2000 euro të tjera për Autizmi Flet, por janë edhe shumë donatorë të tjerë që mbështetën iniciativën e tij dhe kushdo që u bë pjesëmarrës i udhëtimit brenda kufijve të Kosovës për çdo km të kaluar dhuroi 50 centë.