I kaloi afro 15 vjet në Gjermani, e gjatë asaj kohe kishte bërë punën e rregullimit të kopshteve, por paslufta e riktheu atë përsëri në vendlindje.
Sherif Bytyqi me kthimin në fshatin e tij, Drenoc të Klinës, e vazhdoi punën e njëjtë, e që atëherë për çdo vit arriti të shtonte numrin e punëtorëve e të hapësirës.
Tani në 16 hektarë tokë ai ka arritur të kultivojë 2 milionë lloje të ndryshme.
“14 vite kam qëndrim në Gjermani, punova në të njëjtin profesion. Në vitin 2000 menjëherë pas luftës, u ktheva në Kosovë dhe fillova me pak punë, kështu gradualisht e zgjerova edhe hapësirën e hektarëve”, tha ai.
Bujqësia ka qenë punë me të cilën janë marrë edhe prindërit e Sherifit për shkak të tokave të shumta që kishin në pronësi. Kjo ishte njëra ndër shtysat e kthimit në Kosovë e krijimit të një biznesi.
“Prindërit i kam pasur bujq, por kanë pas pasuri të mëdha në parcela dhe kur shkova në Gjermani mendova me vete pse nuk po e bëjmë të njëjtën gjë edhe në Kosovë dhe kështu u ktheva për t’i punuar tokat të parëve të mi” , tregon Sherifi.
Ai thotë se nuk e kishte menduar një sukses të tillë në vendlindje, por tani kapacitetet e fidanishtes janë rritur dhe synim ka që të jetë një nga eksportuesit më të mëdhenj të fidanëve.
“Kur u ktheva nga Gjermania nuk e kam menduar asnjëherë se kështu do të kem sukses, ia kam lënë kohës dhe shpresoj që kështu të vazhdoj edhe në vitet e ardhshme”.
Edhe trashëgimtarët e tjerë të familjes Bytyqi janë rritur me të njëjtën frymë duke pasur pasion kultivimin e fidanëve.
“Për momentin kam 16 punëtorë, jemi po ashtu unë, vëllai dhe djali im që e bëjmë këtë punë, e duam dhe nuk pushojmë, sepse gjatë tërë vitit jemi në prodhim”, shtoi ai.
Në këto 20 vjet punë, Sherifi tashmë ka teknologjinë më të fundit për mirëmbajtjen e kopshteve dhe ka kontaktuar marrëveshje të shumta edhe me komunat të cilat kanë zbukuruar sheshet e tyre nga dora e tij.
Sherifi aktualisht ka marrëveshje me vende të rajonit e të Evropës ku po i eksporton fidanët e kultivuara nga fidanishtja e tij.