SOT

Menaxhimi i diabetit përmes sportit dhe ushqyerjes

Ecja për të paktën tri orë në ditë në sheshet e Prishtinës, për Izet Zhurin, është bërë pjesë e rutinës së përditshme.

Në këto shëtitje ai kryesisht është i vetëm, por ndonjëherë shoqërohet nga gruaja ose miqtë.

Edhe pse është në vitet e tij të ‘80-a, ai ka arritur ta menaxhojë sëmundjen e diabetit të tipit 1 përmes një stili të jetesës së shëndetshme, duke e mbajtur atë nën kontroll për më shumë se katër dekada.

Ai thotë se diabeti nuk është trashëguar nga familja e tij. 

“Para 40 vjetësh kam filluar të ndiej një etje të vazhdueshme dhe nuk ia kam vënë shumë theksin, pasi kam punuar në dy punë, ditën dhe natën. Bashkëshortja ime e ka vërejtur që po pi më shumë ujë sesa duhet. Më tha që është mirë të kontrollohem te mjeku. E dëgjova dhe shkuam te mjeku. Kur mjeku ma mati sheqerin, isha shumë i befasuar sepse doli 17.7. Kurse sheqeri normal është nga 4.5 deri në 5.5. U befasova, nuk u frikësova, por u shqetësova. Duke u konsultuar me mjekun, e pyeta se për sa kohë mund të kem pasur diabetin para se të vija te ju. Më tha se e kam pasur nga 5 deri në 10 vjet dhe nuk e kam ditur. Nuk kam ndier asnjë dhimbje ose shqetësim në organizëm”, deklaron Zhuri.

Që nga mosha 40 vjeçe, kur për herë të parë zbuloi se ishte prekur nga sëmundja e diabetit, Izet Zhuri filloi të ndiqte një stil jetese më të rreptë në lidhje me shëndetin, duke iu përkushtuar aktiviteteve fizike dhe duke konsumuar ushqim të shëndetshëm.

Aktualisht ai merr 22 njësi insulinë dhe vazhdon të jetë aktiv pa u ndalur.

“Fillova të përmbahem nga rregullat. Në fillim mjeku më sugjeroi të përdorja 'Daonil', një ilaç për diabetin, të cilin e kam përdorur gjysmë tablete në ditë. Pas dy-tri javësh i tregova mjekut që sheqeri nuk po stabilizohej me këtë terapi. Pastaj fillova të marr tabletën e plotë në mëngjes dhe në mbrëmje. E kam përdorur këtë terapi për 5 vjet. Pas 5 vjetësh, sheqeri filloi të rritej, kështu që fillova të merrja 'Metformin', një tabletë në mëngjes dhe një tjetër në mbrëmje, pastaj kalova në një e gjysmë në ditë. Kjo terapi më ka zgjatur 10 vjet. Pas 10 vjetësh sheqeri filloi të rritej edhe më shumë, dhe me këshillën e mjekut kalova në insulinë. Fillova me 'Novomix', ndërsa pas 5 vjetësh kalova në 'Levemir'. Edhe sot jam me këtë terapi, të cilën e marr falas nga shteti. Kam filluar me 4-5 pika, ndërsa tani i marr 22 pika në mëngjes dhe 22 pika në mbrëmje”, thekson Zhuri.

Ecja është thelbësore për shëndetin e tij. Tani, si pensionist, ai ka më shumë kohë për veten sesa kur punonte dy punë si inxhinier i tekstilit, duke u përballur gjithashtu me sëmundjen.

"Fillimisht kam shëtitur vetëm 30 minuta në ditë. Më pas një orë, një orë e gjysmë. Aktualisht, shëtis deri në tri orë në ditë në sheshet e Prishtinës, ndërsa gjatë fundjavës, bashkë me gruan, shëtisim në Parkun e Gërmisë. Shëtitja nga gjysmë ore deri në tri orë është e mjaftueshme për një person me diabet të rëndë, siç e kam unë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam qenë i këshilluar me mjekun edhe për ushqimin. Gradualisht kam filluar të konsumoj ushqime me më pak sheqer. E kam eliminuar bukën e bardhë dhe e kam zëvendësuar me bukë të zezë. Pastaj i kam larguar ushqimet me yndyra dhe ha vetëm ato me yndyra të shëndetshme. Gjithçka me masë, sipas këshillave të mjekut. Kam konsumuar shumë fruta dhe perime, dhe, sipas rekomandimit të mjekut, konsumoj vetëm mollën e gjelbër, pasi ato kanë më pak sheqer. Nga të gjitha këto, shëtitja më ka ndihmuar shumë në stabilizimin e kësaj sëmundjeje", deklaron Zhuri.

Për shkak të diabetit, atij iu kanë shfaqur edhe sëmundje të tjera, të cilat i ka mbajtur nën kontroll për vite me radhë, falë këshillave të mjekëve.

“Kam pasur katër operacione të rënda dhe tri më të lehta, si dhe kam marrë mbi 120 injeksione në sy, pasi diabeti më ka shkaktuar 'glaukoma', një sëmundje e syrit. Këtë sëmundje e kam zbuluar para 22 vjetësh, e cila është një sëmundje e rëndë që mund të çojë në verbëri. Për të parandaluar zhvillimin e glaukomës duhet të përmbahem strikt ndaj të gjitha rekomandimeve të mjekut", thekson Zhuri.

Endokrinologia Rozafa Olloni-Nikaj thekson se përveç terapisë së përshkruar nga mjeku, ushqimi i shëndetshëm dhe aktivitetet fizike luajnë një rol të rëndësishëm në stabilizimin e glikemisë.

"Sëmundja e diabetit është një sëmundje që na bën të kujdesemi më shumë për veten. Ndryshe nga sëmundjet e tjera që varen vetëm nga medikamentet, diabeti varet gjithashtu nga pranimi i sëmundjes, kujdesi për ushqimin dhe aktivitetet fizike, monitorimi i gjendjes me aparate për matjen e sheqerit dhe kontrollet shëndetësore të vazhdueshme. Ushqimi është një faktor kyç për parandalimin e diabetit. Jetesa me diabet është një jetesë e shëndetshme. Trajtimi përfundimtar i diabetit është me insulinë. Një numër i madh pacientësh e refuzojnë insulinën, por duhet ta pranojnë, pasi ajo stabilizon vlerat e glikemisë", deklaron ajo.

80-vjeçari Zhuri, ndër të tjera, thekson se gjendja emocionale është një nga faktorët që ndikon në sëmundjen e diabetit.

"Kryesorja është që njeriu të jetë pozitiv dhe të mos i nënshtrohet pikëllimit. Pozitiviteti është shumë i rëndësishëm, sidomos për sëmundjen e diabetit. Kjo sëmundje kërkon disponim të mirë, pasi nervozizmi është një nga faktorët që rrit sheqerin. Ju kisha preferuar të gjithëve të jeni sa më pozitivë", thotë Zhuri.

Endokrinologia Olloni-Nikaj thotë se diabeti i tipit 2 është më i përhapuri në Kosovë. Ajo përmend edhe shenjat që mund të shoqërojnë këtë sëmundje.

“Diabeti tip 1 është një formë më pak e përhapur e diabetit. Prek kryesisht moshat e hershme, fëmijët dhe rreth moshës 30-vjeçare. Është shumë e rëndësishme të dihen simptomat e kësaj sëmundjeje, sepse një numër i madh i popullatës nuk e di nëse ka diabet tip 1. Shenjat e këtij diabeti janë: etja, lodhja, plogështia, urinim i shpeshtë dhe humbje peshe. Ky diabet diagnostikohet përmes një analize të thjeshtë të gjakut, ku vlerësohet niveli i sheqerit. Sa i përket diabetit tip 2, mund të themi se është më i përhapur, jo vetëm te ne, por edhe në botë. Kjo sëmundje është në rritje për shkak të mënyrës së jetesës, ushqimeve të shpejta dhe aktivitetit fizik të pamjaftueshëm. Përveç stilit të jetesës, një rol të rëndësishëm ka edhe trashëgimia e sëmundjes në familje", deklaron ajo.

Olloni-Nikaj shton gjithashtu se shpjegon mënyrat e menaxhimit të sëmundjes së diabetit, në mënyrë që të parandalohen komplikimet e tjera në organizëm.

"Pasojat e sëmundjes kryesisht ndodhin nëse ajo nuk menaxhohet siç duhet. Nëse vlerat e diabetit mbahen stabile përmes aktiviteteve fizike, kujdesit në ushqim dhe terapive të rekomanduara nga mjeku, rreziku për pasojat është më i vogël. Komplikimet që mund të vijnë nga kjo sëmundje përfshijnë dëmtimin e enëve të gjakut, infarktin në tru dhe zemër, dëmtimin e veshkave dhe komplikime të tjera", thekson ajo.

Sipas statistikave nga Klinika Endokrinologjike në QKUK, gjatë vitit 2024 janë hospitalizuar ... persona nga diabeti. Prej tyre, ... kanë pasur diabet të tipit 1, ndërsa ... të tjerë diabet të tipit 2.