SOT

Më pak gështenja sivjet në Deçan, shkak temperaturat e larta

Gështenjat janë ndër më të mirat e sezonit. Të pjekura apo të ziera, aroma e tyre është e parezistueshme, posaçërisht në ditët e vjeshtës. E, vjelja e tyre fillon nga gjysma e tetorit. 

Fshatrat në rajonin e Dukagjinit njihen për kultivimin e gështenjës. Vetëm në Deçan me rrethinë ka rreth 2 mijë hektarë sipërfaqe, thotë inxhinieri i pylltarisë Haki Tahirukaj. 

Këtë vit, ai thotë se ka më pak gështenja në Deçan. Arsyeja thotë të jenë temperaturat e larta. Sipas tij, lulja e gështenjës nuk mund t’i përballojë temperaturat mbi 37 gradë celsius. Pos kësaj, edhe nuk janë të cilësisë së mirë.  

“Sipërfaqja me gështenja 1.900 hektarë përfshin Strellcin, Icniqin, Deçanin, Vokshin, Junikun dhe vazhdon deri në Tropojë. Gështenja përpos që është në natyrë, e ka pasur edhe rolin e saj ekonomik. Njerëzit kanë mbijetuar nga gështenja, kanë mbijetuar nga drunjtë e gështenjës duke ndërtuar shtëpi banimi. Edhe fruta e gështenjës ka qenë për mbijetesën e njerëzve. Gështenja është dru i lashtë, dru pyjor, i cili rritet deri në 30 metra, ndërsa diametër deri në dy metra dhe jeton deri në 500 vjet”, thotë Tahirukaj.

Sipas tij ky vit ka qenë ekstrem për çdo kulturë bujqësore. “Për arsye se deri kah fundi i majit kanë qenë temperaturat ekstreme të ulëta dhe me lagështi. Qershori, korriku, gushti thuajse edhe shtatori kanë qenë temperaturat ekstreme të larta. Lulja e gështenjës nuk mund të përballojë temperatura mbi 37 gradë celsius. Fruta e gështenjës ka mbetur e pazhvilluar, sepse nuk ka pasur lagështi. Për shkak të saj, edhe nëse do të ketë prodhim, do të ketë pak dhe jocilësor”, tregon Tahirukaj. 

Në konakun e deçanasve vazhdon tradita e shërbimit të gështenjave të pjekura apo edhe të ziera për mysafirët. 

“Ky regjion, ky popull ka qenë i ‘mishnuar’ me gështenjën. Gështenjën e kanë ditur si ushqim cilësor, për mbijetesë, edhe sot e kësaj dite ruhet ajo traditë. Për çdo mbrëmje përgatiten gështenjat, qoftë të ziera apo të pjekura. Mysafiri dhurohet me gështenja, nëse vjen mysafiri në këtë kohë dhe nuk i ofrohet gështenja, e ndien veten të anashkaluar. Këtu është traditë të qerasësh me frutat e gështenjës”, thotë Tahirukaj. 

Temperaturat e larta nuk e kanë zvogëluar vetëm numrin e gështenjave në këto anë.  Tahirukaj thotë se nga 180 kosheret e tij me bletë, ka nxjerrë më pak mjaltë sivjet. 

“180 koloni bletësh i kam ta stacionuara në disa vende të Deçanit dhe në Pejë e Suharekë. Deçani, pos llojeve të tjera të mjaltit, si prodhim kryesor e llogarit mjaltin e gështenjës. Për këtë lloj të mjaltit, Deçani është i njohur. Gështenja lulëzon në fillim të qershorit dhe vazhdon lulëzimin për 21 ditë. Lulet e gështenjës japin mjaltë diku 10 kilogram, jo më tepër. Ka shumë bletarë dhe kosheret me bletë i stacionojnë në gështenja, edhe bletët e mia kanë qenë te gështenjat. Mjalti i gështenjës ka veti edhe ushqyese edhe shëruese, sidomos personat që kanë probleme me organet e frymëmarrjes. Ky vit ka qenë ekstrem edhe me frutën e gështenjës edhe me mjaltin, sepse këto janë të lidhura”, tregon Tahirukaj. 

Ukë Hoxhaj, banor nga Strellci i Ulët, tregon për kohët se si kanë qenë të organizuara familjet në kohën e vjeljes së gështenjës. 

Çdo familje tregon të ketë pasur një tokë me gështenja, prej të cilave e kanë siguruar ushqimin dhe veshmbathjen për krejt vitin.

Tash thotë se gështenjat, më shumë shfrytëzohen për ushqimin e bletëve gjatë kohës së lulëzimit. 
“Përpara, para 50-60 vjetësh, secila familje e ka pasur pjesën e vet me gështenja. Kur janë pjekur gështenjat, të gjithë kanë shkuar përnjëherë t’i mbledhin, që të mos shkojë dikush përpara e dikush pas, t’ia marrë njëri-tjetrit gështenjat, por të gjithë bashkë. Çdokush ka mbledhur ku e ka pasur tokën e vet. Shumica ka qenë pa marrëdhënie pune, ndoshta bukën e shumë gjëra i ka siguruar nga gështenjat. Ka mbledhur p.sh. 2 mijë kilogramë e më shumë dhe, me shitjen e tyre, e ka siguruar jetën për krejt vitin. Ka qenë shumë profitabile për këtë popull. Për gështenja dhe për bletari e ka shumë leverdinë e mirë. Bletarët që mbajnë bletë kanë shumë dobi për të pasur mjaltë gështenje. Shitet më shumë, është e mirë dhe është mjekësore”, tregon Hoxhaj. 

Gështenja është burim financiar për shumë familje në këto anë.