Shala e Lipjanit njihet si një ndër fshatrat me kontribut të madh në luftë.
Përveç banorëve që kapën armët e iu bashkuan UÇK-së, fshati ishte bërë vendkrijim i ushqimit për luftëtarët.
Në mullirin e Isuf Hoxhës drithërat bluheshin edhe në kohë lufte dhe nga aty barteshin në zona lufte si bukë për ushtarët.
Mulliri që është i vjetër 300 vjet vazhdon të punojë ende.
Si në shumicën e vendeve në Kosovë, mulliri është i ujit që e merr nga lumi Drenica dhe bluan misrin e grurin. Vizitorët i pret mullisi, Sani Hoxha.
Hoxha thotë se mulliri i familjes së tij ka qenë i pari në fshat.
Në situatë lufte, mulliri punoi pa ndalur ditë e natë.
Për shkak të historisë, mulliri është atraktiv edhe për vizitorë.
Sani Hoxha tërë jetën ia ka kushtuar punës në mulli, e cila tash nuk është profitabile si dikur.
Megjithatë, ai nga ora 7 e mëngjesit e deri në mbrëmje mban të hapura dyert për konsumatorë.