Mbi 50 thirrje urgjente pranon çdo ditë Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë.
Këto raste përfshijnë emergjenca shëndetësore të ndryshme, duke nisur nga problemet më të vogla e deri te më të mëdhatë, si kardiake deri te aksidentet e trafikut.
Një nga rastet e fundit ka qenë një pacient i shtrirë në Qendrën e Mjekësisë Familjare Nr. 9, në rrugën "Xhavit Ahmeti", në lagjen Vneshta.
Pas marrjes së thirrjes dhe informacioneve për gjendjen e pacientit, ekipi shëndetësor është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Rruga deri te QMF-ja pritet të zgjasë rreth pesë minuta.
Pasi morën të gjitha të dhënat nga stafi i QMF-së, ekipi i Urgjencës, me autoambulancë e nisi pacientin drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Gjatë rrugës, pacienti, i cili kishte vështirësi në frymëmarrje dhe bronkit, ishte nën mbikëqyrjen e doktorit Dëfrim Qerimi dhe ekipit të tij.
“E kemi pranuar një thirrje nga QMF 9, për një pacient me iniciale S.R., i cili u paraqit me ndryshime në EKG, frymëzëne, bronkit e probleme të tjera. Momentalisht e kem pranuar pacientin në autoambulancë me një gjendje të rëndë dhe do ta përcjellim për në qendrën emergjente, QKUK. Pacienti është në kujdesin tonë përmes aparaturave, si oksigjen, përcjelljen e tensionit, zemrës etj. Kontrollet e mbulimi i terapisë janë bëra nga stafi i Mjekësisë Familjare ndërsa ne vetëm po i përcjellim parametrat deri të mbërrijmë. Rastet më të shpeshta janë pacientët me simptomat aktute koronare dhe aksidente të rënda në trafik”, deklaron Qerimi.
Doktor Qerimi u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm në përdorimin e numrit të urgjencës.
Ai gjithashtu theksoi se puna në urgjencë është shumë sfiduese dhe kërkon përkushtim të madh.
“Për shkak të rasteve të rënda, kisha lutur qytetarët që vetëm në raste të rënda të na thërrasin dhe jo nëse munden me marrë shërbime në QMF-të e tyre. Kjo për arsye që kemi shumë raste të rënda dhe nuk duhet t’i neglizhojmë”, deklaron Qerimi. “Numri i urgjencës është 194. Shpesh pranojmë thirrje nga 112, sepse një pjesë e madhe nuk e dinë numrin e urgjencës. Si profesion është shumë i shenjtë puna në Urgjencë. Gjithmonë ballafaqohesh me të papriturën”, shton ai.
Qerimi thekson se pajisjet shëndetësore duhet t’i përshtaten teknologjisë më të re.
“Nuk është që kemi mungesë të pajisjeve, por gjithmonë duhet të shkojmë drejt teknologjisë. Të jemi një hap me kohën. Normal gjatë vitit 2024 kemi pasur renovim dhe prurje të reja të pajisjeve”, thekson ai.
Infermieri dhe vozitësi i autoambulancës, Arben Visoka, me një përvojë prej 22 vjetësh, ndau disa nga sfidat e përditshme të ekipit të Urgjencës. Tregoi disa prej sfidave që hasin si ekip gjatë terreneve për te pacientët.
“Sfidat në Urgjencë janë shumë të mëdha. Duke e marrë parasysh që në çdo ditë pune që e fillojmë jemi në luftë me vdekjen. Është shumë e rëndë nëse një pacienti na ik e na merr vdekja. Mungesa e korsisë urgjente në kryeqytet e vështirëson shumë punën e shërbimit të urgjencës, përkatësisht arritja në vendin e ngjarjes në kohën e duhur”, tregon Visoka. “Pengesat që janë vendosur në rrugë shumë e vështirësojnë lëvizjen urgjente në komunikacion. Ka raste kur familjarët nuk japin adresën e saktë dhe kjo na paraqet vonesa në mbërritjen te pacienti. Profesioni infermier dhe vozitës janë profesione që lidhen me ekipin e ndihmën urgjente. E ndihmon punën e urgjencave shumë sidomos dhënien e ndihmën së parë në mënyrë profesionale”, shton ai.
Visoka thekson se periudha e pandemisë Covid-19 ishte një nga sfidat më të mëdha për stafin shëndetësor.
“Sfida si ekip shëndetësor kemi pasur gjatë periudhës me Covid-19. Kemi çdo herë rreziqe ndaj sëmundjeve sepse nuk e dimë se çfarë gjendje është pacienti dhe njëherësh rrezikojmë edhe shëndetin tonë dhe të familjarëve”, deklaron Visoka.
Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë ka gjithsej 113 punonjës shëndetësorë dhe operon me pesë ekipe gjatë ditës, ndërsa gjatë natës në funksion janë katër ekipe.
Investimet në pajisje moderne dhe trajnime të vazhdueshme për stafin duhet të shihen si prioritet për të ofruar shërbime të shpejta dhe cilësore për qytetarët.