Po kryen kontrollin e nevojshëm nga ekipi mjekësor.
Derisa ka kryer kontrollin e nevojshëm mjekësor, Ismajl Hajdini është bërë gati për të dhuruar gjak në automjetin e transfuzionit të gjakut, i cili tash e 10 vjet vendoset në parkun e “Taukbahces”, çdo 28 mars.
Ai e ka bërë këtë për të nderuar martirët e lagjes “Sofalia”, të cilët 25 vjet me parë u morën dhe u dogjën nga forcat serbe në vitin 1999. Në mesin e tyre ishte edhe babai i tij, i cili ishte invalid e në moshë të shtyrë. Ndërkohë vetë Hajdini ishte ushtar i UÇK-së.
Përmes dhurimit të gjakut, Hajdini thotë se kujton babanë e tij duke shpëtuar jetën e dikujt tjetër.
“Babën e kam të djegur. Baba ka qenë invalid dhe është djegur në “Zllatar”, dhe sot i përkujtojmë duke dhuruar gjak për t’ua shpëtuar jetën të tjerëve. Qe 4-5 vjet rregullisht. Është dashur të bëhet më shumë, por po harrohet. Ka interes, por kishte me qenë më mirë të bëhet më shumë.”
Fatin e njëjtë e kanë pasur edhe 14 banorë të tjerë të kësaj lagjeje, ku njëri nga ta është ende i zhdukur.
Dhurimin e gjakut e ka bërë edhe Muharrem Gashi nga fshati Mramor, i cili ka thënë se janë harruar shpejt të rënit në luftën e viteve 1998-1999.
“Gruaja e ka motrën e vrarë në luftë, këtu në “Rrugën e Bledit” dhe axhën e kam pasur të zhdukur në luftë të cilin e kemi gjetur pas 11 vjetësh. Dhuroj sa të është nevoja. Kam dhënë edhe herëve të tjera, por mirë është që kur ka kësaj dite të dhurojmë. Është mirë përkujtohen pak më shpesh, sepse kemi filluar t’i harrojmë shpejt, nuk po i përkrahim sa duhet njerëzit që kanë qenë në luftë”.
E doktoresha Fetije Daciq ka thënë se dhurimi i gjakut është shumë i nevojshëm, sidomos në muajin e Ramazanit.
“Ne çdo vit e mbështesim këtë manifestim për nder të martirëve të rënë në këtë lagje dhe çdo vit po shtohet numri sa më shumë. Kryesisht janë familjarët që dhurojnë dhe ne e kemi që çdo vit, çdo 5 minuta nga koha e dikujt është një jetë e tërë për dikë. Është një gjë shumë e mirë dhe tani në muajin e Ramazanit kemi pak më shumë nevojë për dhurimin e gjakut. Është mirë që kushdo që gëzon një shëndet të mirë të dhurojnë gjak”.
I gjithë ky organizim është bërë nga Këshilli Lokal në “Sofali”. Enver Redenica, kryetar i këtij këshilli, thotë se nuk kanë pasur përkrahjen e Komunës së Prishtinës, duke u injoruar nga ta.
Përveç organizimit të dhurimit të gjakut, tash e dy vjet po mbahet edhe manifestimi për përkujtimin e këtyre martirëve.
Në këtë tubim i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se masakrat në lagjet e Prishtinës dhe zhdukjet me dhunë janë dëshmi e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit.
Për të përkujtuar të rënët e kësaj lagjeje tash e 5 vjet është ngritur lapidari në parkun “Taukbahce”.