SOT

Lule “Bonboni”, më e kultivuara nga kosovarët në pranverë

Pranvera është sezoni ku të gjithë fillojmë me mbjelljen e luleve, por ndryshe prej viteve të kaluara, kjo pranverë ka filluar me reshje të shiut kështu që edhe mbjelljet janë lënë për më vonë.

Dikur lulet sezonale dekoronin oborret e shtëpive, por ndërtimi i lartë ka rritur kërkesën për lule ballkoni.

Kështu në lulishten “Agrocoop” rrugë marrin edhe rezidentët e rinj që duan që edhe ballkonet e vogla të banesave kolektive t’i kthejnë në mini-kopshte me ngjyra të bukura të luleve.

“Ka dy vjet që kemi shumë kërkesa për lule ballkoni për shkak të numrit të madh të banesave kolektive. Madje kemi edhe blerës të ri në moshë”, ka theksuar Ismet Rukolli, nga lulishtja “Agrocoop”.

Në popull njihet si lule “Bonboni” dhe ajo është ndër bimët dekorative më të kërkuara në pranverë e verë.

Reshjet e vazhdueshme të shiut i kanë shtyrë mbjelljet në kopsht, por njohësit e hortikulturës thonë se temperaturat janë ideale për rritje të bimëve dhe shiu ka impakt pozitiv edhe në këtë proces.

Përgatitjet për pranverë në “Agrocoop” fillojnë qysh në dimër.

Madje tashmë në serrat kosovare kultivohen shumica e luleve.

Mes ngjyrave të shumta, lulet sezonale kanë edhe çmime më të lira se sa ato shumëvjeçare, duke i ofruar mundësi për rregullim ambienti të secilës shtëpi.

E nëse në ambientet e tyre njerëzit mbajnë lulen e preferuar, sipas një studimi të bërë, ndikimi në gjendjen emocionale është i madh.

Kush kultivon lulen me ngjyrën e preferuar arrin të ketë disponim më të mirë deri në 200%.

Lulet preferohet të mbahen edhe në ambiente e brendshme të zyreve. Bimët e gjelbra brenda rrisin efikasitetin e punëtorëve deri në 15%.