Në njërën anë paraqitet bukuria e vendit tonë, e në anën tjetër Kosova në një kohë të vështirë të saj.
Kjo pikturë, e cila përmban më vete emocione të shumta, është punuar nga nxënësja e klasës së nëntë, Aurela Berisha, nga shkolla fillore “Dardania”, dhe tani është vendosur brenda Komunës së Prishtinës, krahas një ekspozite për nder të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Megjithëse e re në moshë dhe nuk e ka përjetuar periudhën e viteve ’90, përmes këtij punimi ajo është munduar të paraqesë atë çfarë ka dëgjuar nga prindërit e saj për luftën e Kosovës.
“Unë kam pasur dëshirë të paraqes një pikturë ku gjysma tregon natyrën e qetë dhe bukurinë e Kosovës sonë, dhe një shtëpi tipike shqiptare e, në anën tjetër, të kundërtën e saj. Pra, ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë. Kam bërë të mundur që gjysma e Kosovës të jetë më e shembur. Edhe vetë ushtarët të mundohen ta gjejnë bukurinë e Kosovës. Këtu shihet buzëqeshja e ushtarit kur merr një lule nga një vajzë e Kosovës... Për shkak se edhe vetë prindërit e mi e kanë përjetuar luftën, unë këtë ndjesi që e marr nga ta mundohem ta shpreh përmes pikturës. Pra, në piktura nuk është që vetëm vizatoj, por edhe shpreh ndjenjat e mia në të. Edhe këtu jam munduar të paraqes diçka që prindërit e mi e kanë ndier së bashku me gjithë të tjerët”, thotë Berisha.
Ajo tregon se sa e rëndësishme është për të dhe babin e saj që të mësojë sa më shumë për luftën.
“Babi ka jetuar në fshatin Grabovc, ku gjyshi dhe vëllai i tij kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithmonë e kanë ndier dashurinë e tyre ndaj atdheut. Babi jem kur e sheh që çfarë piktura po i bëj, e sheh që vajza e tij po e përcjell atë trashëgimi. Pra ajo çfarë ka ndodhur po përcillet hap pas hapi jo në një mënyrë reale, por përmes pikturës”, thotë Berisha.
Në kuadër të kësaj ekspozite me nxënës të shkollave të Prishtinës është edhe piktura e Ronin Bekollit.
Përmes këtij punimi ai është munduar të paraqesë një perspektivë tjetër të luftës.
“Këtu kam vizatuar një burrë duke mbajtur një foto të fëmijëve të tij gjatë luftës, që ka ndodhur në ‘98-‘99 ka humbur familjen dhe kur ka mbaruar luftën dhe e ka gjetur përsëri. Është shumë e ndjeshme ku ky kërkon fëmijët përmes fotografive që mban dorë. Kam dëgjuar edhe më përpara për këtë foto dhe kështu nuk kam dashur të bëj pikturën e Adem Jasharit pasi e bëjnë të gjithë të tjerët dhe në këtë mënyrë kam paraqitur një perspektivë tjetër të luftës dhe kështu vendosa ta pikturoja këtë”, tregon Bekolli.
Sipas tij, këto shënjime bëjnë që ata të mësojnë edhe më shumë për luftën e Kosovës.
Të gjitha këto vepra të artit janë munduar të paraqiten sa më mirë nga nxënësit e Prishtinës.
“Këtë vit është 26-vjetori i Epopesë së UÇK-së dhe është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të popullit tonë, ata kanë luftuar për çlirimin e shtetit tonë dhe ne jemi të lirë dhe të pavarur. Është përtej e rëndësishme kjo ngjarje dhe mënyra e interpretimit të secilit nxënës përmes veprave të tyre është e jashtëzakonshme. Unë e kam hobi artin dhe i punoj me shumë entuziazëm punimet e mia, por jashtëzakonisht kur e kam marrë vesh që do të ketë ekspozitë me shumë dëshirë e kam punuar këtë dhe kam përdorur ngjyra akril, thekson, Sara Ismaili, nxënëse e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë.
Nikoqiri i kësaj ekspozite, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka vlerësuar shumë këto punime, duke thënë se kryeqyteti ka talente të shumta.
“Ditë këto monumentale për vendin tonë. Ditë që na kanë pru lirinë që sot e gëzojmë. Është e rëndësishme që edhe gjeneratat tona të dinë për historinë tonë në mënyrë që ta gëzojnë lirinë që e kemi si komb. Këtu janë disa punime fantastike të nxënësve të shkollave të Prishtinës. Është heroi legjendar Adem Jashari e janë edhe elemente tjera nga koha e luftës që vendi ynë ka kaluar. E kemi një ekspozitë të mirë dhe i ftoj qytetarët që të shohin këtë ekspozitë. Këtu shihet që kemi talente të shumta të shkollave tona. Kemi mësues dhe mësuese të nivelit të lartë që mësojnë fëmijët tanë në mënyrën më të mirë. Këtu ka elemente të ndryshme dhe mënyra të ndryshme të shprehjes së kësaj ngjarjeje”, ka theksuar Rama.
E arsimtarja e artit, Sevdije Maliqi, në shkollën fillore “Dardania”, thotë se shkolla e tyre u jep rëndësi të veçantë këtyre datave, në mënyrë që fëmijët të mësojnë sa më shumë.
“Prindërit e fëmijëve kanë përjetuar luftën dhe çdo familje shkëmben këtë me fëmijët e vet, por në shkolla mësohet jashtëzakonisht shumë. Shkolla jonë “Dardania” jep një kontribut të madh në lidhje me luftën e Kosovës. Shumica e neve mësimdhënësve e kemi përjetuar. Unë e kam hapur ekspozitën edhe brenda shkollës dhe është mirë që komuna sivjet për herë të parë ka bërë thirrje për epopenë e UÇK-së dhe janë të kënaqur edhe fëmijët. Dëgjimi i mbledhjes që e patën kjo është një e re”, thekson ajo.
Për nder të shënimit të Epopesë së UÇK-së, në seancën solemne të Kuvendit të Prishtinës kanë performuar edhe nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”.