Familja Qukani nga qyteti i Gjakovës njihet si një familje që ka ruajtur për shumë vjet zejen e vjetër të poçarisë.
Si fëmijë, Luan Qukani zanatin e mori nga i ati i tij. Gjatë gjithë jetës së tij e ka bërë vetëm këtë punë.
Në gjithë Gjakovën janë vetëm dy poçarë. Me përkushtim dhe kujdes të veçantë, Qukani i punon të gjitha llojet e enëve; nga ato të voglat deri te ato më të mëdhatë.
“Së pari materialin e kam ngjeshur me dorë lehtë, i kam formuar topat. Tash jam në procesin final të punimit të enës në qarkun që po e shihni. Ky qark ka qenë i gjyshit kur ka punuar me këmbë, po ashtu edhe i babit, dhe tani është më profesional, është me rrymë. Enët zakonisht që i punoj janë prej më të voglave deri më të mëdhatë. Punoj tava, enë të ndryshme për ushqim, saksi për lule, varësisht nga kërkesat e myshterinjve”, thotë Qukani.
Tregon se brenda një dite mund t’i punojë deri në 60 enë prej balte.
“Procesi i enëve të cilat i punoj varet nga disponimi i poçarit. Brenda një dite mund t’i punoj deri në 40 enë, ka ditë më pak apo edhe më shumë, mbi 60 sosh”, thotë Qukani.
Për Qukanin, kjo nuk është vetëm një punë për të siguruar jetesë. Zeja e poçarisë, e trashëguar brez pas brezi, është pjesë e identitetit të familjes së tij. E traditën familjare po e bart edhe tek i biri. Nganjëherë ai e ndihmon në krijimin e enëve.
“Gjyshi thoshte se ky zanat në familjen tonë është me të lindur. Edhe djali besoj që do ta vazhdojë këtë zeje pas meje”, tregon Qukani.
Krijimi i enëve prej balte nuk është aspak i lehtë. Kërkon kujdes të veçantë dhe kohë deri në përfundimin e saj. Për një enë si kjo duhen disa procese dhe deri në dy javë tharje.
“Këto janë disa mjete të vjetra të punës që kanë punuar gjyshi dhe babai im. Me këto mjete të dizajnit edhe unë punoj. I kam trashëguar nga ta”, thotë Qukani.
“Pas disa proceseve të punës në punëtori tash është procesi final i enës. Kjo duhet të thahet dy javë në ambiente të mbyllura, duhet të bëhet pjekja e parë në temperaturë deri në 850 gradë. Pastaj lyhet ena me ‘glazurë’ dhe piqet prapë ena mbi 1 mijë gradë. Kjo është furra dhe pas tharjes është pjekja dy herë”, shton ai.
Luan Qukani është në mesin e zejtarëve që gjenden te “Çarshia e vjetër” në Gjakovë. Arti i tij thotë se i tërheq klientët nga vende të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë. Tavat për ushqim janë më të kërkuarat, duke mos lënë anash edhe enët e tjera nga argjila.