SOT

Loja me shah, e preferuara e pensionistëve të Prishtinës

Të mbledhur kokë më kokë e të koncentruar në ndërrimin e figurave.

Është loja e shahut ajo që i bën bashkë çdo ditë pensionistët e Prishtinës. E shokë i bëri Qendra e të Moshuarve në Prishtinë.

Është ky vendi ku kalojnë orë të tëra, nën shoqërinë e njëri-tjetrit.

Përveç shahut, ata luajnë edhe me letra e domino.

Që nga pensionimi 6 vjet më parë, këtu vjen çdo ditë Brahim Xhemajli. E filloi si hobi, tani ai u ka hyrë edhe garave që bëhen në kuadër të klubit të pensionistëve, duke zënë kështu edhe vendin e parë.

“Pesë ditë të punës vij rregullisht prej orës 12 deri ka ora 3. Më shumë e luaj shahun. Kam filluar qysh në vitin ’71, kur kam fillu me punu në arsim. Kemi pasë garë në këtë klub dhe e kam marrë vendin e parë e do të shkoj përsëri. Tash po jam më i lirë, kur isha në punë nuk kisha kohë. Vikendeve nuk vijmë”, ka thënë ai.

E nëse një ditë mungon në këtë qendër, ai thotë se menjëherë shqetësohen shokët e tij.

“Kohën e kalojmë shumë mirë këtu, luajmë, dalë pak në qytet dhe kthehem në shtëpi. Në rast se nuk vij një ditë, shoqëria më lajmërojnë më pyesin ku je, mos ka ndodhë diçka. Shumë interesant është dhe i lajmëroj që mirë jam, vetëm se nuk kam ardhur. Nganjëherë edhe gruaja më thotë se ku po shkon e i them se e kam edhe një punë tjetër, por po shkoj se shoqëria po më thërrasin me luajt shah”, ka thënë Brahim Xhemajli, pensionist.

E Kadri Berisha thotë se shahun e luajnë për argëtim.

“Bukur moti e luajmë, dikush e luan ma mirë, dikush fiton, dikush humb, hidhërohet pak e ftoftë e vjen prapë. Argëtohemi mes vete, kjo është një pjesë e lojës ku njeriun e shtinë me zhvillu trurin, të jep motivim të jetës dhe ta zhvillon trurin. Ata që e kanë qitë shahun kanë qenë më të mençur se na”, ka shtuar ai.

Avdi Llapashtica thotë se edhe kur është mbyllë kjo qendër, së bashku me shokë dalin në parkun e “Taukbahçes” apo edhe në “Gërmi”.

“Ne prej të gjitha viseve kemi rënë në këtë qendër. Më shumë e çojmë jetën qetu se në shtëpi. Një pjesë në ‘Taukbahçe’ e një pjesë në ‘Gërmi’”, ka thënë ai.

Por Llapashtica ka disa ankesa në lidhje me pensionet.

“Çmimet kanë shkuar shumë lart, pensionet janë shumë të vogla, e qeto pare shkojnë krejt në barna. 100 euro a me pagu ujë, mbeturina a tatime, a me ble ilaçe”, është shprehur ai..

Këtu mblidhen pensionistët nga të gjitha lagjet. 

“Gati për ditë vij. Prej orës 11-12 deri në 15:00. Luajmë shah, shoqërohemi, se këtu vijnë të lagjeve të ndryshme. E çojmë kohën, bisedojmë, mirë kalojmë edhe shërbyesit këtu janë në nivel, na respektojnë, na shërbejnë mirë”, ka thënë Ismet Bajrami, pensionist.

Përveç shahut, ka disa që pëlqejnë lojën me letra e me domino.

Pensionistët e Prishtinës kërkojnë që të zgjatet orari i funksionimit të qendrave kulturore dhe sociale për të moshuar, pasi momentalisht ato qëndrojnë hapur vetëm deri në orën 15:00.