Që nga 12 qershori, stacioni i autobusëve në Podujevë është i hapur. Mirëpo ende nuk është funksionalizuar. Nga komuna thonë se shkak ka qenë energjia elektrike dhe disa procedura të tjera të papërfunduara, para përurimit. Kësisoj, llapjanët ende po e përdorin stacionin e vjetër, i cili karakterizohet me papastërti të mëdha dhe kushte jo të mira.
Ka vite që janë të vendosur në këtë hapësirë të ngushtë. Janë përballur me kushte jo të mira të veprimit.
Operatorët turistikë dhe udhëtarët janë përballur me mungesë të higjienës, duke filluar nga mbeturinat e shumta dhe kundërmimi nga to.
Për t’u përmirësuar këto kushte më 19 qershor, në Ditën e Çlirimit të Podujevës, komuna ka bërë përurimin e stacionit të ri. Modern dhe më i mirë se i kaluari.
Mirëpo, që nga ajo ditë, ende autobusët po vazhdojnë të kryejnë veprimtarinë e tyre në ambientet e stacionit të vjetër.
Si rrjedhojë, i riu ka mbetur i zbrazët, edhe pse komunës ndërtimi i tij i ka kushtuar mbi 1 milionë euro.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Podujevës, Bahri Selimi, thotë se ende nuk është vendosur njehsori nga KEDS-i dhe kësisoj stacioni i ri nuk ka energji elektrike.
“Procedurat e tejzgjatura të KEDS-it, kanë krijuar pasojat për mosfunksionalizimin e stacionit të autobusëve. Ne i kemi kryer të gjitha procedurat që ata na kanë kërkuar dhe nga ana jonë jemi në rregull me këtë pjesë. Kemi bërë edhe një projekt të ri me një kompani tjetër për kryqin e njehsorit në stacionin e autobusëve, kemi bërë gjithashtu edhe kërkesat që ata na i kanë kërkuar. Sot më njoftuan nga KEDS-i, që është aprovuar projekti. Tash jemi në fazën kur jemi duke e përgatitur kërkesën për pranim teknik të projektit dhe posa të kryhet ky pranim, do të vendoset njehsori”, deklaron Selimi.
Ai thotë se ende nuk ka një datë zyrtare, kur do të funksionalizohet stacioni i ri.
“Nuk mundemi që të japim data të sakta të funksionalizimit, sepse kjo gjë nuk po varet më prej komunës. Më kanë premtuar që brenda kësaj jave do të kryhet kjo punë, mirëpo kështu më kanë thënë edhe më herët, mirëpo nuk ka ndodhur. Prandaj meqë nuk varet prej Komunës së Podujevës se kur do të hapet përnjëmend, në atë moment që KEDS-i do ta vendosë njehsorin, në atë moment do të bëhet lëshimi i stacionit të autobusëve”, tregon ai.
Menaxheri i stacionit të autobusëve, Afrim Mustafa, hedh poshtë dyshimin se operatorët ekonomikë nuk kanë dashur të zhvendosen në stacionin e ri.
“Problemi nuk është te stacioni i vjetër as i riu, janë disa çështje që është dashur të kryhen me kohë. Ka qenë problematike. Problemi nuk ka qenë te operatorët, të cilët normalisht që duan të shkojnë në stacion të ri, mirëpo, sepse ata e dinë që gjithqysh duhet të shkojnë atje. Këto janë vetëm fjalë të njerëzve që thonë se nuk duan të shkojnë. Larg qytetit nuk është stacioni, unë besoj që është një stacion i mirë dhe modern dhe do të jemi të kënaqur që të gjithë”, thotë Mustafa.
Aktualisht në këtë stacion operojnë 20 kompani turistike. Në këtë vend është menduar që të vendoset tregu.