SOT

Lisi rreth 900-vjeçar në oborrin e familjes Sejdiu

Të gjithë e njohin si “Lisi i Madh”, por pak dinë për të. 

Thuhet se ekziston qe më shumë se 800 vjet. Trungu i bungëbutës ka një diametër prej 9 metrash, ndërsa është i gjatë deri në 25 metra.

Kjo pemë e vjetër gjendet në oborrin e familjes Sejdiu, nga fshati Greme e Ferizajt. 

Atë, familja e shfrytëzon për relaksim ditor e për ahengje të ndryshme. Lisi trupmadh si të veçantë ka formën, degët e vjetra dhe vrimat, nga të cilat kohë më parë njerëzit  janë futur në brendi të tij. 
Edhe gjatë natës, oborri i familjes Sejdiu duket si një panoramë. (foto natën)

“Babagjyshi ka thënë se baba i babës së vet e ka mbajtur mend kështu këtë pemë. Degët i janë tharë, breshëri e ka dëmtuar pak. Më herët kur janë bërë dasmat, gjatë verës sidomos, janë përcjellë nga ky oborr. Është i vjetër mbi 850 vjet dhe jeton deri më 120 vjet. Mendohet të jetë lisi më i vjetër në Ballkan”, thotë Sejdiu. 

“Më herët kur janë bërë dasmat, janë përcjellë nga ky oborr. Apo edhe për Bajram, Shëngjergj, etj. Mbi 100 persona mblidheshin në oborr. Brenda lisit është e hapur. Diametri i lisit është 9 metra, ndërsa lartësia deri 15 metra. Në vitin 1997 lisi është djegur edhe e kemi ndalur zjarrin me të lagjes, por kanë qenë edhe zjarrfikësit. Nuk e di si është djegur, shton ai. 

Lisi i familjes Sejdiu mbrohet me ligj si monument natyror që nga viti 2017. Ai nuk mund të dëmtohet, të pritet apo edhe të zhvendoset diku tjetër.  

Pavarësisht kësaj, kryefamiljari thotë se barrën e mirëmbajtjes e mban familja dhe se institucionet përkatëse shtetërore nuk interesohen fare për gjendjen e lisit. 

“Për mirëmbajtje, shteti nuk është paraqitur asnjëherë, vetëm UNESCO ka ardhur, kanë marrë pjesë të listit për analiza. Tabelën këtu e kanë vendosur, por nuk janë përgjigjur asnjëherë. As nuk vijnë pse i ka dëmtuar krimbi, as për degët e thata. Unë nuk jam ekspert i pemës për mirëmbajtje. Nëse është në mbrojtje të shtetit, atëherë duhet të vijnë e të përgjigjen ose të më tregojnë se çfarë të bëj lidhur me lisin”, deklaron ai.

Ky lis tërheq vizitorë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë.  

“Më shumë verës vijnë vizitorë amerikanë, gjermanë, polakë. Vizitorë nga Shqipëria. Por ka pasur edhe prej vendeve të ndryshme të Kosovës edhe nga ana e Maqedonisë. U duket interesant shumë, sepse është i vjetër”, tregon ai.